Kërko

 Gjon Pali II lutet pranë Varrit të  Jerzy Popieluszko, m 14.06.1987, gjatë shtegtimit apostolik në Poloni. Gjon Pali II lutet pranë Varrit të Jerzy Popieluszko, m 14.06.1987, gjatë shtegtimit apostolik në Poloni. 

Dhjetë vjet më parë, lumnimi i atë Popieluszko, martir i regjimit komunist

Dhjetë vjet më parë, më 6 qershor, lartohej në nderimet e altarit atë Popieluszko. Sot reliket e martirit nderohen në Kapelën-muze të Kishës kushtuar Shenjtit Stanislao Kostka.

R. SH. - Vatikan

Më 6 qershor kujtohet dhjetëvjetori i lumnimit të at Jerzy Popieluszko, martir i kohës së regjimit komunist. Në  Kishën kushtuar Shenjtit Stanislao Kostka, në Varshavë, në lagjen Zoliborz, ku punonte meshtari-martir e ku ndodhet sot varri i tij dhe Muzeu, që i kushtohet, u instalua një vitrinë me reliket e tij: sendet që kishte me vete ditën e martirizimit, vetëm pse nuk mundi ta pranonte tiraninë!

Në vitrinë mund të kundrohen rruzarja e tij, një medalje ari, thirrja për hetime nga prokurori komunist, një figure prej metali e Zojës së Bekuar me Krishtin Fëmijë, një çakmak, në të cilin shkruhet fjala e ditës “Solidaritet!”, një shqiponjë (simbol e Polonisë) dhe fotoja e njërës nga Meshët e famshme kushtuar fateve të Atdheut, kremtuar nga Meshtari martir. Në Kapelën e relikeve u vendos edhe një vitrinë tjetër, me veladonin që kishte veshur kur u vra nga shërbimet sekrete kriminale komuniste.

Dy fjalë për jetën e të Lumit Popieluszko

I Lumi Jerzy Popieluszko lindi më 1947, në fshatin Okopy, në rajonin Bialystok dhe kaloi në histori si kapelani i sindikatës së famshme “Solidarnosc”. Gjatë meshëve kushtuar atdheut, në Kishë, mori guximin të fliste haptas e publikisht kundër shpërdorimeve të regjimit komunist. Duke kujtuar, sidomos, se i krishteri  nuk duhet të heshtë, kur para syve të tij shkelen brutalisht parimet ungjillore. E ka për detyrë të kundërveprojë, duke e luftuar të keqen me të mirë!

Ishte njeri paqësor, që nuk e dinte ç’është dhuna! E mësoi, kur komunistët e ushtruan pikërisht mbi trupin e tij të brishtë. U kap më 19 tetor 1984 nga oficerët e sigurimit të Ministrisë së Brendshme. Pasi e torturuan mizorisht, kriminelët e hodhën trupin e meshtarit në lumnin Vistola, mbi digën pranë qytetit Wloclawek.

Funerali

Pastaj trupi i tij u varros në Sheshin përballë Kishës së Shën Stanislao Kostkës. Në funeral, kremtuar në një heshtje vdekjeje, mori pjesë një gjysmë milioni njerëzish, ardhur nga të katër anët e vendit.

Atë Popieluszko u lumnua më 6 qershor 2010, gjatë Meshës kryesuar nga kardinali Angelo Amato, asokohe prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, në Sheshin kryesor të Varshavës.

Popieluszko udhës sё martirizimit

At Jerzy Popieluszko (Jerzhi Popielushko) (1947-1984), viktimë e regjimit filosovjetik, dёshmoi se në jetën e tij të shkurtër, devocioni, bamirësia, vuajtja e dashuria apostolike e deri rebelimi, u lidhen gjithnjë me dritën e Ungjillit. Vërtetoi, në këtë mënyrë, se njeriu i butë mund të jetë edhe shumë guximtar. Kështu jeton prej 26 vjetësh në zemrën e polakëve, pasi pati jetuar 37 vjet ndër ta e për ta.

I Lumi Jerzy Popieluszko eci gjithnjë në udhën e martirizimit. Kapelan i lëvizjes ‘Solidarnosh’, u mbyt mizorisht gjatë regjimit komunist, në Poloni. Martir i fesë dhe i lirisë, i nxiste gjithnjë bashkatdhetarët e tij të rebeloheshin në mënyrë paqësore kundër diktaturës, në emër të Ungjillit. “Njeriu që dëshmon të vërtetën – thoshte atë Popielushko - është njeri i lirë, edhe në pranga”.

Mijëra njerëz gjunjëzohen para varrit të Martirit

Mijëra shtegtarë gjunjëzohen para varrit të tij, aq sa numri i tyre ka arritur  në 23 milionë vetë. Janë polakë, por edhe të huaj, ardhur nga Amerika, Spanja, Franca… Vijnë e vijnë në këtë Kishë, ku ndjehet fuqimisht kulti i këtij martiri të komunizmit! Në Poloni reliket e tij ruhen në 990 vende kulti, në Kisha e kapela të ndryshme, edhe në kapelën  e Parlamentit e në Pallatin Presidencial, pa harruar kapelat e ndryshme të burgjeve. Kulti i nderimit të kapelanit të Solidarnosc vijon të përhapet edhe jashtë vendit: reliket e tij janë të pranishme në 460 kisha e kapela, në 61 vende, edhe në vise të largëta, si Vietnami, Koreja e Jugut dhe Emiratet arabe, posaçërisht në vende, që i kanë ende të freskëta mbi lëkurë kthetrat e tiranisë! Polonia di t’i nderojë martirët e vet!

Qendra e dokumentimit të mrekullive

Nga viti 1984, datë e vdekjes së Martirit, Qendra e dokumentimit ka marrë 570 dëshmi për hiret e fituara, falë lutjeve drejtuar martirit polak, ardhur nga mbarë bota. Në Poloni ka 52 shkolla, që mbajnë emrin e tij. E këtë emër të lum, e mbajnë edhe 219 udhë e sheshe. Ai është pajtor i gjithë të krishterëve të persekutuar! E kush mund të thotë se Martirët, që dhurojnë gjakun për Krishtin e për drejtësinë, vdesin e harrohen? 

08 qershor 2020, 12:31