Kërko

1586118149652.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra II e Shën Palit për Selanikasit, vetëdija për fundin

Fillojmë sot komentin e Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve. Në filmin për të qarë e për të qeshur, me titull “Zoti ekziston dhe jeton në Bruksel”, vajza e një Zoti keqdashës dhe tejet antipatik u zbulon të gjithë banorëve të Tokës datën e vdekjes së tyre, duke aktivizuar një kohëmatës në celular, që u tregon ditët e minutat e mbetura. Në një çast, ndryshon gjithçka! Provoni ta mendoni ç’do të bënit, nëse do ta dinit me siguri sa ditë ju mbeten për të jetuar. Asgjë s’do të ishte më si më parë, apo jo? Kështu e mendon edhe meshtari italian, don Federico Tartaglia, që na ndihmon në komentin e Shkrimit Shenjt, me librin e tij “Është ora e leximit të Biblës”.

R.SH. - Vatikan

Në Letrën e dytë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve shohim pikërisht këtë: vetë Pali dhe bashkësitë, që formoi, përfshihen krejtësisht nga kjo përvojë e tashmë, e masin kohën e botës dhe të jetës së tyre mbi bazën e sigurisë së kthimit të afërt të Krishtit. Por mendimi apokaliptik mbart gjithnjë probleme gati të pakapërcyeshme, që shën Pali mundohet t’i zgjidhë me këtë Letër, e cila, siç duket, pason të parën me një diferencë prej pak muajsh:

“Në lidhje me Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe me bashkimin tonë rreth tij, ju bëjmë lutje, vëllezër, mos lejoni të merreni mendsh dhe as mos u trazoni për shkak të ndonjë vegimi kinse profetik, ose të ndonjë fjale, ose të ndonjë letre kinse të shkruar prej nesh, thua se ja, arriti Dita e Zotit! Mos lejoni t’ju gënjejë kush në asnjë mënyrë!... Tani po dëgjojmë se disa ndër ju jetojnë në papunësi: nuk punojnë asgjë dhe e humbin kot kohën” (2 Sel 2,1-3: 3,11).

Sapo fillohet të flitet për fundin e botës, nuk mund të mos hyhet në vorbullën e pritjes, të frikës, të parashikimeve e të personazheve jo dhe aq të besueshëm. Shën Pali e di mirë këtë dhe e dimë mirë edhe ne sot, që në më se 2000 vite krishterim, e kemi parë se ai, që lajmëron fundin e kohrave, përgënjeshtrohet vazhdimisht.

Problemi i apokaliptikës është gjithnjë ky: si të shmanget ankthi, sapo ndokush beson se gjithçkaje po i vjen fundi? E pastaj, si ta presim atë, që nuk vjen kurrë?

  Shën Palit i takon t’i japë kuptim zbulesës së krishterë. Faktikisht, pas tij, argumenti nuk përmendet më, si në Letrat e apostullit, ashtu edhe në pjesën tjetër të Besëlidhjes së Re, për t’u dukur sërish i furishëm e madhështor në kapitullin e fundit të saj: Zbulesa!

Është e vërtetë se aftësia jonë për të kuptuar ndërlikohet pak nga rendi i Letrave të Shën Palit në Besëlidhjen e Re, që nuk respekton rendin kronologjik të shkrimit të tyre. Do të ishte e dobishme të niseshim pikërisht nga Selaniku, pra, nga shën Pali i udhëtimit të dytë të madh misionar (50-52) e, pastaj, të kalojmë në katër Letrat e rëndësishme të maturisë së tij (Korintasve, Galatasve dhe Romakëve), shkruar gjatë udhëtimit të tretë (56-58) e, me radhë, në të tjerat.

 Por, le ta shohim këtë shën Pal, që merret me problemet e tij të para misionare, në Letrën e dytë për të krishterët e Selanikut. Mjeshtri i dashurisë dhe i bamirësisë akoma nuk është pjekur brenda tij, sepse apokaliptika mbart në vetvete një ndarje të qartë ndërmjet të mirëve e të këqinjve, ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve, për të cilët zbatohet e ashtuquajtura “drejtësi shpërblyese”, pra, secilit sipas meritave, pa treguar mëshirë:

“E njëmend është e drejtë që Hyji t’u japë mundim atyre që ju salvojnë, kurse juve, të salvuarve, t’ju dhurojë bashkë me ne pushimin në Ditën e Zbulesës së Zotit Jezus, kur të vijë prej qiellit bashkë me engjëjt e pushtetit të vet, me zjarr të ndezur flakë dhe t’u hakmerret atyre, që nuk duan ta njohin Hyjin dhe atyre, që nuk duan ta dëgjojnë Ungjillin e Jezusit Zotit tonë” (2 Sel 1,6-8).

  Drejtësia në apokaliptikë shfaqet si hakmarrje hyjnore kundër atyre, që nuk e pranojnë Ungjillin dhe i persekutojnë besimtarët. Kjo gjë është e qartë, e sigurtë dhe do të zbulohet së shpejti: për këtë, shën Pali është dëshmitar po aq i sigurt.

“Të tillët do të ndëshkohen me dënimin e pasosur larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e madhërisë së tij, atëherë, kur të vijë - atë Ditë - për të qenë lavdëruar në shenjtërit e vet dhe për t’u dëftuar i mrekullueshëm në të gjithë ata që të kenë besuar: tashti ju i besuat dëshmisë sonë” (2 Sel 1,9-10).

Pra AJO ditë është argumenti i Letrës e mund ta imagjinojmë si frymëzohet predikimi i shën Palit nga ringjallja e Krishtit, për të kaluar më pas në kumtin e kthimit të Tij të afërt e në Gjykimin e Mbramë. Duhet të ketë qenë një predikim këmbëngulës mbi këto dy pika, në të cilat gjithçka kthehej në profeci e pasojë e këtyre të vërtetave.

18 qershor 2020, 11:00