Ringjallja e Krishtit, Rubens, 1616 Ringjallja e Krishtit, Rubens, 1616

Çelësi i fjalëve të Kishës. Letra I e Shën Palit për Selanikasit, ringjallja e të vdekurve

Javën e kaluar filluam komentin e Letrës së parë të shën Palit drejtuar të krishterëve të Selanikut, kronologjikisht, shkrimi i parë i Besëlidhjes së Re. Në tre kapitujt e parë, shën Pali përfundon përshëndetjet e veta, kujton problemet, që pati, dhe vështirësitë për t’u kthyer në Selanik, por duhet të presim kapitullin e katërt për të gjetur thelbin e Letrës, që e ka bërë atë të famshme. Ndjekim, gjithnjë, librin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Është fjala për dokumentin e parë të krishterë, ku formulohet besimi në ringjalljen e të vdekurve. Natyrisht, është tekst i mirënjohur:

“Nuk duam, o vëllezër t’ju lëmë në padijeni lidhur me ata që vdiqën, që të mos trishtoheni porsi të tjerët që nuk kanë shpresë. E njëmend, nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ngjall, atëherë Hyji patjetër edhe ata që vdiqën, nëpër Jezusin dhe bashkë me Jezusin, do t’i marrë në lumturi” (1 Sel 4,13-14).

Ky është Ungjilli i shën Palit. Nuk lodhet së kumtuari këtë të vërtetë. Shën Pali duket sikur nuk është aq i interesuar për veprat e Jezu Krishtit, për gjestet e mrekullitë e Tij – për këtë, duhet të falënderojmë Markun dhe ungjilltarët e tjerë, që do ta bëjnë Ungjillin, libër. Për Palin, Ungjill janë këto pak fjalë e gjithçka mbetet për t’u thënë që t’u besohet atyre.

  Pjesën tjetër të tekstit Pali e përdor për të kuptuar rrjedhojat e kësaj ngjarjeje kolosale: ringjalljes së Krishtit. Pra, nëse mendojmë për Apostullin e Popujve, shohim: një misionar të përndjekur, gjithnjë në lëvizje; një kumtues të patrembur e këmbëngulës të Ungjillit; një apologjet, që e mpreh vazhdimisht tehun e argumentimit dhe të mbrotjes së ideve të veta; një mendimtar, që ngre gjithnjë pikëpyetje mbi rrjedhojat e Ungjillit, me Zotin e ndërmjet njerëzve.

 Ja shembulli i parë i këtyre rrjedhojave, kur shën Pali përpiqet t’u përgjigjet pyetjeve të selanikasve, që donin të dinin mbi ardhjen e Zotit:

“Këtë po ju themi të themeluar në fjalën e Zotit: ne që jemi gjallë, që do të ndodhim gjallë në Ditën e Ardhjes së Zotit, nuk kemi për të qenë para atyre që kanë vdekur. Sepse vetë Zoti - kur të jepet urdhri, me zë të kryeengjëllit, me zë të borisë së Hyjit - do të zbresë nga qielli e më së pari do të ngjallen të vdekurit në Krishtin, dhe vetëm atëherë, ne që do të jemi ende në jetë, bashkë me ta do të rrëmbehemi ndër re, në takim me Zotin, në ajër. Kështu do të jemi gjithmonë me Zotin. Pra, ngushëllojeni njëri-tjetrin me këto fjalë!” (1 Sel 4,15-18).

Fakti është që shën Pali, kur i shkruan këto të vërteta të fesë, nuk kishte lexuar asnjë Ungjill e natyrisht, as ndonjë katekizëm! Nuk kishte ndjekur apostujt e tjerë për t’u vënë në shërbim të tyre me përvujtëri. Gjithçka, e bëri vetë! Ai e përmbysi krejt kuptimin e tij personal për teologjinë judease, duke e kthyer në të krishterë. Duke dialoguar me shokët e rrugëtimit, duke diskutuar e duke u grindur me gjithë judeasit, që takonte në udhë, duke zbuluar e duke mësuar bashkë me ata paganë (e me pak judeas), që i pranonin idetë dhe Ungjillin e tij.

 Pyetjet e selanikasve, ndoshta, ishin plot kureshtje e dyshime, sepse apokalipsi, pra, ardhja e fundit të botës, ishte “sport i modës” në atë kohë, por shën Pali mbetet i kthjellët e i matur, duke paralajmëruar:

“Dhe përsa i përket kohës dhe momentit, vëllezër, as nuk është nevoja t’ju shkruaj, sepse vetë e dini mirë se Dita e Zotit vjen shi si vjen vjedhësi natën” (1 Sel 5,1-2).

Kapitullin e pestë, ashtu si fundin e çdo Letre të tij, shën Pali apostull ia kushton këshillave morale, por për këtë do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.

04 qershor 2020, 08:31