Kërko

 Meshtari në lutje Meshtari në lutje 

Atë Viktor Volaj: “Një lutje e thënë 84 vjet më parë, tejet aktuale”

Përkujtojmë sot 84 vjetorin e Meshës së parë të françeskanit atë Viktor Volaj, në altarin e së cilës u shqiptua një kushtim, me vlerë për çdo të krishterë të ditëve tona.

R. SH. - Vatikan

Po kujtojmë sot Meshën e parë të njërit nga fretërit më në zë të Provincës Françeskane e të kulturës shqiptare, botuesin dhe komentuesin e atë Gjergj Fishtës, sekretarin personal të Atë Anton Harapit, latinistin e leksikografin e shquar, që mbeti në kulturën shqipe si “Akademik pa vepra”, sepse ia përlau, pothuajse të gjitha, vorbulla  e antikulturës komuniste.

E kujtojmë me rastin e përvjetorit të Meshës së parë, kremtuar më 30. 06. 1936, në Colleviti (Pescia, Itali) ku kishte studiuar e ku  tha edhe lutjen e parë, tepër prekëse e  tejet aktuale e cila, me pak ndryshime, mund të përsëritet prej çdo besimtari sot, kur koha kërkon nga i krishteri të njëjtat virtyte, që i pati kërkuar Frati i ri në altar 84 vjet më parë. Prej lutjes së tij të parë çdo i krishterë mund të mësojë ende sot çka i duhet kërkuar Zotit në lutje:

“Meshtar i ri, tue kushtue për ma të parën herë

flinë e papërlyeme,

lypi, o Jezus: fuqi e qindresë,

apostullim për vedi,

hire e bekime për prind,

për të afërm, për shokë e dashamirë,

pushim e dritë për të dekunt e mi,

ndihmë për provincë e Atdhe të dashun,

paqë për botën e trazueme”.

Në shërbim të Zotit

Lutjes i paraprijnë fjalët kuptimplote të Shën Palit, shkëputur nga Letra drejtuar Timoteut (1 Tim 1, 12), shkruar në gjuhën latine:

“Gratias ago ei, qui me confortavit Christo, Jesus Domino nostro, quia fidelem me existimavit ponens in ministerio (Tim, 1,12)

“I falem nderës Zotit tim, që më dha forcë e më zgjodhi për të qenë besnik i Tij, tue më vu në shërbim të vet”.

 Kushtimi i Françeskanit të ri, na rikujton se i krishteri duhet t’i shërbejë në radhë të parë Zotit - edhe përmes shërbimit të robit!

26 qershor 2020, 12:43