festival-di-luceAEM.jpg

Afrika dhe Evropa, së bashku në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor

Ipeshkvijtë afrikanë dhe evropianë kërkojnë bashkëpunim të drejtë e të përgjegjshëm, përqendruar mbi popujt. Pas pak muajsh, takimi i gjashtë i krerëve politikë të dy kontinenteve, parashikuar në tetor 2020.

R.SH. - Vatikan

Afrika dhe Evropa, dy kontinente të lidhura nga rrënjët e përbashkëta dhe nga afërsia gjeografike, por tani, edhe nga shqetësimi për pasojat shkatërrimtare të pandemisë Covid-19 mbi familjet e bashkësitë. Për këtë arsye, Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece) dhe Simpoziumi i Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës e Madagaskarit (Secam) paraqitën sot një deklaratë të përbashkët, që i referohet takimit të gjashtë BE-Afrikë, i cili do të mbahet tetorin e ardhshëm.

Evropa dhe Afrika kanë nevojë për bashkëpunim

          Kryetarët e Comece-s dhe të Secam-it, kardinajtë Jean-Claude Hollerich dhe Philippe Nakellentuba Ouédrago, nga selitë e tyre në Bruksel(Belgjikë) dhe në Akra (Gana), përveç mirënjohjes për përgatitjen e takimit nga ana e politikanëve evropianë dhe afrikanë, i nxisin dhe i inkurajojnë ata “ta orientojnë punën e tyre përgatitore drejt parimeve të respektimit të dinjitetit njerëzor, të përgjegjësisë dhe të solidaritetit, duke vënë theksin në opcionin për të varfërit, në kujdesin për Gjithësinë dhe në të mirën e përbashkët”. “Jemi të bindur që Afrika dhe Evropa mund të bëhen motorrët e përtëritjes së bashkëpunimit shumëpalësh”, deklarojnë dy kryetarët. Ndër të tjera, kardinali Hollerich vë në pah përgjegjësinë e Evropës për paqen dhe begatinë e fqinjëve.  

Afrika dhe Evropa: përgjegjësitë e përbashkëta

Mbrojtja e dinjitetit njerëzor, përgjegjësia dhe solidariteti

          Dokumenti me titull “Në ditët e tij do të lulëzojë drejtësia e do të begatojë paqja”, marrë nga Psalmi 72 i Biblës, jep një sërë këshillash politike të posaçme, që synojnë rimodelimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërkontinentale, në mënyrë që ato të sjellin një bashkëpunim të drejtë e të përgjegjshëm, duke i vendosur popujt në qendër. Ipeshkvijtë e Afrikës dhe të Evropës shprehen në favor të “një partneriteti për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, për ekologjinë e gjithanshme, për sigurinë njerëzore, për paqen e për njerëzit në lëvizje” .

Shqetësimi për bashkësitë më të ligshta

          Kisha Katolike e të dyja kontinenteve shpreh shqetësimin e saj për të gjithë njerëzit, për familjet e bashkësitë, të cilat, për shkak të pandemisë së koronavirusit, janë zhytur në një gjendje edhe më të vështirë se më parë, në “varfëri e uri të skajshme, me pamundësi të vazhdueshme për të përdorur si të tjerët shërbimet bazë shoqërore, në mëshirë të korrupsionit, dhunës, sulmeve terroriste dhe persekutimeve, sidomos kundër bashkësive fetare më të dobta, si edhe pengje të shfrytëzimit të burimeve natyrore e të shkatërrimit të ambientit”. Ndërmjet kërkesave të ipeshkvijve, kardinali Ouédrago vë në dukje “shlyerjen e plotë të borxheve të vendeve afrikane, duke u dhënë atyre mundësi ta marrin veten ekonomikisht”.

Të ndërtojmë së bashku një botë më të mirë

“Ecclesia in Africa”: fener ndriçues edhe pas 25 vitesh

          Në deklaratën e përbashkët, dy prelatët kujtojnë edhe shpresën e dikuar nga shën Gjon Pali II, me Nxitjen Apostolike pas-sinodale “Ecclesia in Africa”, e cila edhe sot, pas 25 vitesh, “na mbush me inkurajim e zell për të kontribuar në përballimin e këtyre sfidave”. “Besojmë – përfundojnë kardinajtë Hollerich dhe Ouédrago – që parimet e vlerat e dinjitetit njerëzor, të solidaritetit, të opcionit për të varfërit, të destinacionit universal të të mirave të kësaj toke, të promovimit të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, të kujdesit të përgjegjshëm për Gjithësinë, si edhe puna për të mirën e përbashkët, duhet të jenë udhëheqje dhe orientime të nevojshme në përcaktimin e përgjigjeve dhe të politikave të secilit” prej vendeve afrikane dhe evropiane.

10 qershor 2020, 12:53