Kërko

Sant'Ireneo, Nunziatura Apostolica a Parigi Sant'Ireneo, Nunziatura Apostolica a Parigi 

Më 28 qershor kalendari kishtar kujton Shën Ireneun e Lionit, ipeshkëv e martir

Shën Ireneu i Lionit, njeri i paqes me emër e me vepra, është figurë me rëndësi të dorës së parë në historinë e Kishës. Mësoi shumë shpejt gjuhën e barbarëve, për të ungjillëzuar popullsitë keltike e gjermanike. E atje ku nuk arrinte zëri i tij, arrinte fjala e shkruar. Në pesë librat e Ireneut kundër herezive, ndjehet jo vetëm forca e apologjistit të madh, por edhe ëmbëlsia e bariut të mirë, të shqetësuar për ndonjë nga delet e humbura, të cilën bën çmos ta rikthejë në vath.

R.SH. - Vatikan

Shën Ireneu i Lionit, që në shqip do të thotë Paqësor, ipeshkëv e martir, njeri i paqes me emër e me vepra, është figurë me rëndësi të dorës së parë në historinë e Kishës. Me origjinë nga Azia, i lindur në Smirnë, në vitin 177 u nis nga Galileja për t’u ulur në fronin ipeshkëvnor të Lionit, duke zënë vendin e ipeshkvit martir Potinit, pak kohë pasi qe dërguar në Romë për të sqaruar disa çështje doktrinore. Kur arriti në vend, gjysma e priftërinjve dhe e besimtarëve të Kishës, së cilës do t’i printe, ishin martirizuar. Mbeti i vetmi ipeshkëv për të gjithë Galinë.

Ai, grek, mësoi shumë shpejt gjuhën e barbarëve, për të ungjillëzuar popullsitë keltike e gjermanike. E atje ku nuk arrinte zëri i tij, arrinte fjala e shkruar. Në pesë librat e Ireneut kundër herezive, ndjehet jo vetëm forca e apologjistit të madh, por edhe ëmbëlsia e bariut të mirë, të shqetësuar për ndonjë nga delet e humbura, të cilën bën çmos ta rikthejë në vath.

Feja që përmbahet në Ungjill nuk është privilegj i pak intelektualëve, por mund të kuptohet e të pranohet nga të gjithë njerëzit përmes predikimit të ipeshkvijve, pasardhës të Apostujve, duke u nisur nga Papa. Tradita apostolike është publike, jo private apo sekrete. Për Ireneun nuk ka kurrfarë dyshimi se përmbajtja e fesë së krishterë që transmetohet nga Kisha është ajo e marrë prej Jezusit, Birit të Zotit dh prej apostujve. Nuk ekziston mësim tjetër përpos këtij. Prandaj, kush dëshiron ta njohë doktrinën e vërtetë mjafton ta njohë traditën që vjen prej apostujve e fenë që iu është kumtuar njerëzve. Tradita e feja – kështu thoshte Ireneu – kanë mbërrijë deri tek ne përmes pasardhësve të ipeshkvijve.

Kështu shën Ireneu na kujton unicitetin,  universalitetin dhe frymëzimin hyjnor të krishterimit, ashtu siç është mbrojtur e transmetuar nga tradita e Kishës, qysh në fillim. Duke kujtuar cilësitë e ipeshkvit të lashtë francez, Ireneut, mund ta quajmë kampion të luftës kundër herezive dhe prelat të aftë për të ripohuar konceptin e pastër të traditës apostolike. 

Mjafton t’i citojmë fjalët që i pati përdorur Ireneu për t’i kundërshtuar heretikët. Kisha, megjithëse e shpërndarë në mbarë botën, e ruan me kujdes fenë e apostujve, sikur të banonte në një shtëpi të vetme e të përbashkët. Në të njëjtën mënyrë, beson në këtë të vërtetë, si të kishte një shpirt të vetëm e një zemër të vetme. Në përkim të plotë, këtë të vërtetë e shpall, e mëson dhe e transmeton si të kishte një gojë të vetme, duke pasur mirë parasysh se tradita apostolike është e frymëzuar nga Shpirti Shenjtë.

28 qershor 2020, 09:11