Kërko

2019.06.25 San Cirillo d'Alessandria 2019.06.25 San Cirillo d'Alessandria 

Më 27 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Qirilin e Aleksandrisë

Shën Qirili Aleksandrisë qe shkrimtar prodhimtar e polemik, nuk iu shmang diskutimeve kundër paganëve e kundër hebrenjve dhe bëhet pik referimi në diskutimet teologjike të paraprijnë e shoqëruan Koncilin e III Ekumenik, të kremtuar në Efez në vitin 431.

R. SH. - Vatikan

Me 27 qershor kalendari Kishtar përkujton Shën Qirilin e Aleksandrisë, ipeshkëv e doktor i kishës. Kisha katolike përkujton sot shën Qirilin e Aleksandrisë, ipeshkëv e doktor i kishës, njërin ndër protagonistët kryesor të Kishës në gjysmën e parë të shekullit të pestë. Përballoi kundërshtarët e Krishterimit me të njëjtën vendosmëri me të cilën luftoi devijimet teologjike brenda vet Kishës.

Shkrimtar prodhimtar e polemik, nuk iu shmang diskutimeve kundër paganëve e kundër hebrenjve dhe bëhet pik referimi në diskutimet teologjike të paraprijnë e shoqëruan Koncilin e III Ekumenik, të kremtuar në Efez në vitin 431. Në ato vite posaçërisht të vështira për Kishën, Qirili, e qeverisi Kishën e Aleksandrisë së Egjiptit duke mbrojtur trimërisht ortodoksinë.

I lindur në vitin 370, nga viti 412 e derisa vdiq, në vitin 444, mbajti me guxim në duar frenat e Kishës së Egjiptit, duke e kryer misionin e tij ipeshkëvnor në një nga periudhat më të vështira të jetës së Kishës lindore, në luftë për ruajtjen e ortodoksisë, në emër të papës Çelestini. E pikërisht në këtë qëndrim plot vendosmëri në shërbim të doktrinës e në guximin me të cilin mbrojti të vërtetën katolike, shikojmë shenjtërinë e ipeshkvit luftarak të Aleksandrisë, që u njoh vonë në perëndim.

Kulti i nderimit të tij u përhap në mbarë Kishën vetëm nën Papninë e Leonit XIII. E po atëherë iu dha edhe titulli doktor i Kishës, duke iu njohur kontributi në mbrojtje të ortodoksisë, kundër gabimeve të Nestorit, ipeshkëv i Kostandinopojës, ndonëse nën kërcënimin e burgut e të internimit. “Ne – shkruan Shenjti – për të mbrojtur fenë e Krishtit, jemi gati të përballojmë gjithçka: zinxhirët, burgun, të gjitha trazirat e jetës e edhe vetë vdekjen”.

Në Konçilin kishtar të Efezit, ku Shën Qirili ishte protagonist, kundërshtari i tij, Nestori, që kishte shkaktuar një stuhi të vërtetë në Kishë, duke vënë në dyshim amësinë hyjnore të Marisë, doli përfundimisht nga skena. Me këtë rast Shenjti hartoi një teologji të qartë e të vërtetë të Mishërimit të Krishtit.

Nestori, një ithtar i shkollës antiokene, për të shpëtuar integritetin e natyrës njerëzore të Krishtit, mendonte e besonte se personi hyjnor i Fjalës bashkëbanonte me personin e njeriut Jezus, me rezultatin se në Krishtin, sipas tij, janë dy natyra dhe dy persona, kështu që Maria mund të quhet vetëm nëna e Krishtit dhe jo nëna e Zotit. Çirili, duke ju referuar Koncilit kishtar të Nikesë, përkundrazi, mendonte e pranonte në Krishtin integritetin e dy natyrave -njerëzore e hyjnore - por në një person, atë të Fjalës së Hyjit. Jezusi, pra, është Zot i vërtetë dhe njeri i vërtetë, por është një person i vetëm, Ai është Zot i mishëruar. Zot i bërë njeri. Për këtë arsye, kush e lindi në njerëzimin e tij, mund të quhet me të drejtë nënë e Zotit. Koncili kishtar i Efesit më 431 i dha të drejtë. Çirili vdiq më 27 qershor të vitit 444, duke i lënë Kishës një prodhim të pasur teologjik mbi çështje të ndryshme.

Kundërshtar i klasit të parë, Qirili nuk e kurseu kurrë dhantinë e fjalës, me të cilën e kishte pajisur Zoti, në mbrojtjen e të vërtetave të fesë, së cilës i shërbeu edhe si teolog i mprehtë e si bari shpirtrash, duke na lënë trashëgim 156 homeli të famshme mbi Shën Lukën si dhe letrat e tij të njohura baritore, shprehur në 29 homeli të mbajtura në periudhën e Pashkëve.

26 qershor 2020, 14:19