Vatican News
Tutti i santi, manoscritto  Tutti i santi, manoscritto   (BAV Vat.sir. 559, f. 93v)

Më 23 qershor kalendari kishtar kujton Shenjtorët martirë të Nikomedisë

Më 23 qershor përkujtojmë martirët e Nikomedisë, po kësaj radhe është fjala për njërin nga katër grupet e martirëve të Helespontit, që u martirizuan në vitin 303, gjatë persekutimit të Dioklecianit e që kremtohen në katër data të ndryshme.

R.SH. - Vatikan

Më 23 qershor përkujtojmë martirët e Nikomedisë, po kësaj radhe është fjala për njërin nga katër grupet e martirëve të Helespontit, që u martirizuan në vitin 303, gjatë persekutimit të Dioklecianit e që kremtohen në katër data të ndryshme.

Perandori dalmat kishte kryer detyra ushtarake në Nikomedi para se të merrte pushtetin dhe, me që ky vend i pëlqente, kishte ngritur aty një nga selitë e tij më të bukura. I pari që u martirizua – i ndjekur – sipas Martirologut Romak – nga njëzet mijë të tjerë, ishte Pjetri, i cili shërbente pikërisht në pallatin perandorak. Pasi nuk pranoi të flijonte për nder të hyjnive pagane romake, u torturua e pastaj u dogj mbi turrën e druve.

Botimi më i ri i “Martyrologium Romanum”, e vendos festën e këtyre martirëve më 23 qershor, por pa përcaktuar numrin e saktë. Lajmet për ta vijnë nga lashtësia në kohët tona, falë një rrëfimi mbi  martirizimin e tyre “mundimet” – “passio”, që u bë i njohur përmes përkthimit latin, botuar në “Acta SS” (Acta Sanctorum).

Në vitin e parë të persekutimit të Dioklecianit (303) u martirizuan në Nikomedi (Izmiri i sotëm), kryeqytet i Bitinisë, krahinë e Azisë së Vogël në brigjet e detit Marmara – e që nga viti 74 para Krishtit provincë romake, një grup prej 1003 të krishterësh, për shkak të urrejtjes për fenë e tyre. Ata u paraqitën e vetë para Perandorit për të pohuar se ishin të krishterë, së bashku me familjet e tyre e me gjithë njerëzit që kishin lidhje me ta, të lirë e skllevër. As kërcënimet e as premtimet nuk i thyen: ata nuk hoqën dorë nga dëshmi i fesë në Krishtin. Atëherë Perandori u dha urdhër ushtarëve të tij t’i rrethonin dhe, pas një përpjekje të fundit për t’i bërë femohues, pasuar nga një dëshmi e re, e patundur e fesë, t’i masakronin të gjithë: burra, gra e fëmijë. Masakra, sipas kalendarit egjiptian, ndodhi më 24 shkurt të vitit 303, por më pas kjo datë ndryshon në të gjitha citimet: egjiptiane, bizantine si dhe në shkrimet e historianit të njohur, Euzebit.

Në këtë grup u përfshinë edhe katër “protectores”, domethënë truproje të perandorëve, që ka mundësi të jenë themeluar në kohën e Jordanit të III (238-244). Rojet, prekur thellë nga guximi i martirëve, u paraqiten edhe ata para perandorit duke dëshmuar se ishin të krishterë. Më pas u martirizua një grup tjetër martirësh civilë, si dhe një ipeshkëv me emrin Pjetër. Por të dhënat për ta i ngatërrojnë vazhdimisht personazhet, prandaj nuk mund të konsiderohen si të sakta. Për fat të keq emrat e kësaj aradheje të krishterësh të vërtetë, rënë gjatë persekutimit të Dioklecianit, nuk njihen, prandaj kujtohen e kremtohen të gjithë së bashku me emrin: “Martirët e Nikomedisë”.

23 qershor 2020, 09:31