Kërko

  Emilia Kaczorowska e Karol Wojtyla, prindërit e Gjon Palit II Emilia Kaczorowska e Karol Wojtyla, prindërit e Gjon Palit II 

Oder: nis çështja e lumnimit të Emilia e Karol Wojtylës

U hap faza dioqezane e çështjes së lumnimit të Emilia e Karol Wojtylës me sesionin e parë solemn të gjykatës e kremtimin e Meshës Shenjte, kryesuar nga kryeipeshkvi i Krakovit. Postulatori i Çështjes, imzot Oder, kujton: familja është vendi i privilegjuar për shenjtërinë. E këtë Gjon Pali II e dëshmoi me jetën e tij.

R. SH. - Vatikan

Në Wadovice të Polonisë u hap faza dioqezane e procesit të lumnimit të Shërbëtores së Zotit Emilia, lindur në Kaczorowska, dhe e Shërbëtorit të Zotit, Karol Wojtyla, prindërit e Shën Gjon Palit II. Lajmin e japin ipeshkvijtë në faqen e internetit të Episkopatit polak. Sesioni i parë solemn u kremtua në Bazilikën e Paraqitjes së Zojës në Tempull, në Wadovice, në praninë e të gjithë dekanëve të kryedioqezës së Krakovit. Pas fillimit formal të procesit, kryeipeshkvi i qytetit, Marek Jedraszewski, kryesoi Meshën Shenjte për suksesin e çështjes dhe iu lut Shërbëtorëve të rinj të Zotit të ndërmjetësojnë për nxjerrjen e hireve. Postulatori i çështjes, imzot Oder që, siç dihet, ndoqi gjithë procesin e Lumnimit e të Shenjtërimit të Gjon Palit II, flet, në Vatican News, për këtë ngjarje, të përshëndetur nga mbarë Polonia, e jo vetëm:

“Figurat e prindërve të Shën Gjon Palit II, Emilia e Karol, janë shumë popullore në vendlindje, prandaj për fillimin e fazës dioqezane të procesit, nuk gëzohen vetëm ipeshkvijtë, por e gjithë kisha në Poloni. Si postulator i Çështjes së Lumnimit të Gjon Palit II, mund të them se prindërit  e tij njihen edhe përtej kufijve të Polonisë. Prandaj mund të pohoj se ky lajm i  mirë u prit  me gëzim  në të katër anët e botës”.

Ju ishit postulator i Procesit të Lumnimit dhe të Shenjtërimit të Gjon Palit II. Tani kjo rrugë hapet edhe për prindërit e tij… domethënë, një familje shenjte?

“Në fakt, duke parë këtë ngjarje, më vijnë në mendje fjalët e Gjon Palit II, shqiptuar gjatë Meshës së Lumnimit të Shën Kingës, që njihet si Kunegonda, kremtuar në Poloni, në Stary Sacz. Pati thënë, pra, se Shenjtorët lindin nga Shenjtorët, ushqehen nga Shenjtorët, jetojnë si shenjtorë e bëjnë thirrje për shenjtëri! E në këtë rast kujtohet edhe një herë se familja është vend i privilegjuar, ku gjinden rrënjët e shenjtërisë. Si në rastin e Shenjtit të madh, Gjon Palit II që, pasi lindi e jetoi në një familje shenjte, e dëshmoi këtë me vepra!”.

Prindërit e Papës Shenjt

E ëma, Emilia, që vinte nga një familje zejtarësh e kishte tetë vëllezër e motra, lindi më 26 mars 1884. Ishte e bija e Feliks  e Maria Scholz.  E ëma i vdiq kur ishte vetëm 13 vjeçe.

Ndërsa Karol Wojtyla lindi më 18 korrik 1879, në Lipnik, pranë Bialas. Ishte i biri i Maciej Wojtylës e Anna Przeczek: familje rrobaqepësish. E humbi nënën kur ishte në moshën 2 vjeçare. Si kreu mësimet në liceun gjerman të Bielsko-s, u thirr për shërbim ushtarak në Wadowice. Vendosi  të mbetej në këtë shërbim, që e vijoi në Krakov e në Wadowice.

Martesa - dhe lindja e Karolit

Prindërit e Karolit u martuan më 10 shkurt 1906 në Kishën e Shën Pjetrit e Palit, në Krakov e patën tre fëmijë: Edmundin (lindur më 1906), Olgën, vdekur menjëherë pas lindjes e pagëzimit(1916) e Karolin (lindur më 1920), më pas Papë. Emilia vdiq më 13 prill 1929, pasi mori të gjitha sakramentet e u varros në varrezën  Rakowocki, në Krakov. Karoli ndërroi jetë në vitin 1941, në moshën 63 vjeçare, nga një sëmundje zemre. Pushon në paqe pranë shoqes së jetës, në një varr, pranë të cilit i Biri, Papë, ndalej për t’u lutur, sa herë vizitonte vendlindjen.

07 maj 2020, 11:47