Kërko

2020.01.04 Pellegrinaggio in Terra Santa, Terrasanta 2020.01.04 Pellegrinaggio in Terra Santa, Terrasanta 

Toka Shenjte: shtegtimet, pas pandemisë

Nga nisja e shtegtimit - tek arritja: ç’mund t’u ndodhë besimtarëve, që rinisen drejt viseve ku jetoi Jezusi? Me ne, Sergio Galdi D’Aragona, Komisar i përgjithshëm i Tokës Shenjte: “Jo më turma të pafundme, po grupe të vogla. Edhe hapësirat e brendshme të shenjtëroreve e të bazilikave do të rimendohen”.

R. SH. - Vatikan

Edhe në Tokën Shenjte shtegtimet pas pandemisë nuk do të jenë më, siç ishin. Rregullat e hekurta të distancimit, normat kundër grumbullimit të turmave, sterilizimi i vendeve të hapura për publikun dhe porosi të tjera, po e bëjnë të domosdoshme marrjen e masave energjike e të rrufeshme për pritjen e shtegtarëve, në këto ditë kur gjithë bota kufizon lëvizjet dhe merr masa karantine.

Në të ardhmen, grupe të vogla

Në të ardhmen e afërt, turmat vigane dhe kremtimet me pjesëmarrje të jashtëzakonshme do t’u lëshojnë vendin grupeve të vogla të shtegtarëve, “që nuk do të duhet të ndeshen me njëri-tjetrin". “Kemi nevojë të rikrijojmë hapësira të reja brenda viseve tona shenjte”- pohon fra Sergio Galdi D’Aragona, Komisar i Përgjithshëm i Tokës Shenjte. “Ne kemi bazilika e shenjtërore me kapacitet shumë të madh, që mund të zënë edhe grupe të mëdha, me më se 70 vetë”. Kështu shprehet françeskani e mendimi i tij shkon sakaq në Nazareth, në Gjetseman e në Malin Tabor që, jo më shumë se një muaj më parë, vizitoheshin nga mijëra njerëz. “ Po tani është e qartë se duhet të konceptojmë një stil të ri jete, e edhe shtegtimesh, të paktën deri në çastin kur,  më në fund, të gjindet edhe vaksina”- thekson.

Do të ndryshojnë edhe lidhjet

Edhe lidhjet ndërmjet pjesës tjetër të botës e Tokës Shenjte nuk do të mund të mos ndryshojnë. Për t’i zhvendosur grupet e vogla që, sipas nevojave, mund të bëhen edhe më të mëdha, fluturimet duhet të jenë sa më të shpesha e edhe sa më të sigurta. Vështirësi, kjo, për të cilën fra Galdi D’Aragona është i vetëdijshëm, ndonëse beson plotësisht se nuk do të mungojë qëndrimi i drejtë nga ana e autoriteteve:

“Toka e Shenjtë ka një thirrje universale. Jeruzalemi, pastaj, është zemra e krishterimit e njihet si Qytet Shenjt edhe nga fetë e tjera monoteiste. Sytë e mbarë botës drejtohen gjithnjë kah Jeruzalemi. Prej këndej, si rregulltarë të Tokës Shenjte, nuk mund të mos bëjmë çmos që secili të mund ta bëjë “shtegtimin e jetës”, domethënë, të shkelë së paku një herë në jetë mbi gjurmët e Krishtit, nga Betlehemi - në Kalvar - e tek Varri i zbrazët!  Vise historike, mbi të cilat sot naltohen shenjëtoret e bazilikat më të vizituara të njerëzimit”. Këtë kujton me emocion të thellë, fra Galdi D’Aragona

Në vitin 2019, turma shtegtarësh

Pandemia, shpërthyese e shkatrrimtare, i vuri pritë turmave të shtegtarëve e të turistëve, gjithnjë në rritje. Në vitin 2019, sipas të dhënave të Chistian Information Center, Tokën Shenjte e vizituan 630.000 shtegtarë. “Kishim - pohon me hidhërim fra Galdi D’Aragona - prenotime deri në Krishtlindjen e ardhshme, po virusi e bllokoi gjithçka. Tani nuk na mbetet tjetër, veçse të sajojmë rregulla të reja, për të pritur vizita të reja,  mbasi besoj plotësisht se virusi nuk do të mund t’ua mbyllë rrugën drejt takimit me Krishtin, në viset e Tij, mijëra njerëzve, që e ëndërrojnë shtegtimin në Tokën Shenjte!

04 maj 2020, 13:23