Kërko

 Imzot Pizzaballa Imzot Pizzaballa 

Thirrje e Patriarkatit latin të Jeruzalemit: në rrezik, mijëra nxënës e studentë

Më se 12 mijë familje nxënësish e studentësh, që ndjekin 38 shkollat e Patriarkatit latin në Jordani e Palestinë, po kalojnë çaste shumë të vështira, për shkak të krizës ekonomike shkaktuar nga pandemia. U duhen ndihma të menjëhershme, për të shmangur rrezikun e mbylljes së instituteve.

R. SH. - Vatikan

Në Jordani e në Palestinë ka shumë shkolla, që ndiqen si nga të krishterët, ashtu edhe nga myslimanët e kombësive të ndryshme. Tridhjetë e tetë institute, disa prej të cilave të ngritura që në shekullin XIX, sot rrezikohen t’i mbyllin dyert, sepse një pjesë e mirë e familjeve të nxënësve e të studentëve nuk janë më në gjendje t’i përballojnë shpenzimet, për shkak të krizës së rëndë të pandeimsë Covid 19, që i pushtoi edhe Viset e Shenjta. Është problem i mprehtë, që mund të zgjidhet vetëm me donacionet e atyre, që nuk  duan ta lejojnë coranavirusin ta mbysë edhe shkollimin. Shifra e nevojshme për t’i mbuluar shpenzimet e  këtyre muajve, gjatë të cilëve mësimdhënia vijoi në distancë, është rreth 7 milionë euro.

Thirrja e administratorit apostolik

Imzot Pierbattista Pizzaballa, administrator apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit, bën thirrje, në emër të 12 mijë familjeve nevojtare të studentëve, që frekuentojnë shkollat e Patriakatit Latin të Jordanisë (25 struktura) e të Palestinës (13), për të ndihmuar në përballimin  e nevojave të instituteve edukative. “Për shkak të pandemisë, të pasojave shkatrrimtare të saj në mbarë botën  e të mungesës së strukturave të forta shëndetësore dhe ekonomike, si në Palestinë, ashtu edhe në Jordani, me humbjen e vendeve të punës e të pagës, që pason, shumica e familjeve mezi ia del të plotësojë nevojat më të ngutshme”. Kështu shkruhet në thirrjen e publikuar nga Patriarkati, në të cilën saktësohet edhe se sot prindërit e kanë krejt të pamundur t’i bëjnë ballë vijimit të mësimeve për bijtë e tyre.

Mësimdhënia nuk është ndaluar

Imzot Pizzaballa kujton, më pas, se me ndalimin e qarkullimit të lirë, të gjitha shkollat u pajisen me mjetet e nevojshme për mësimdhënien në distancë e mësuesit e vijuan punën nga shtëpitë, në kushte tejet të vështira. Kushte, që e vënë në diskutim vetë vijimin e këtyre shkollave, disa prej të cilave, me traditë më se 150 vjeçare. Për punën e kryer, shifra totale që nevojitet është 7.194.264 dollarë. Kontributi në para i atyre, që nuk duan t’i shikojnë shkollat në Tokës Shenjte të mbyllura, është kontribut jete.

Janë pa probleme vetëm 5 shkollat e patriarkatit në Izrael, ku shteti po i ndihmon ekonomikisht të papunët, aktivitetet që u detyruan të mbyllen e edhe shkollat.

22 maj 2020, 14:09