Kërko

2019.05.29 L'Ascensione del Signore di Gesù - solennità - vangelo della domenica 2019.05.29 L'Ascensione del Signore di Gesù - solennità - vangelo della domenica 

Të Shëlbuemit, liturgjia e Fjalës së Zotit 'A'

Festa e Ngjiturit e Jezu Krishtit në Qiell, që te shqiptarët quhet festa e të Shëlbuemit, na kujton përfundimin e qëndrimit të dukshëm të Zotit Jezu Krishti ndërmjet njerëzve, që u pasua me ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi apostujt dhe me përhapjen e krishterimit në mbarë botën.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të solemnitetit të Të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, ciklit të parë, sipas kalendari liturgjik.

Të Shëlbuemit, liturgjia e Fjales se Zotit, 'A'

Festa e Ngjiturit e Jezu Krishtit në Qiell, e cila te shqiptarët quhet festa e të Shëlbuemit, që Kisha katolike sivjet e kremtoi të enjten e kaluar, më 21 maj, po për arsye baritore ua propozon besimtarëve edhe kësaj të diele, është përmbushja e misterit pashkor të Krishtit. Me këtë festë kujtohet përfundimi i qëndrimit të dukshëm të Zotit Jezus ndërmjet njerëzve, që u pasua ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi apostujt dhe me përhapjen e krishterimit në mbarë botën.

Kjo e kremte shënon ngadhënjimin e tij e glorifikimin e tij pas disfatës në dukje të parë të mundimeve e vdekjes mbi kryq. Mirëpo Ai nuk na ka braktisur: është me ne “çdo ditë, deri në mbarimin e botës”, me praninë e tij në Kishë. Festa e Ngjiturit e Jezu Krishtit në Qiell, pra, na kujton një aspekt të rëndësishëm të misterit të Pashkëve: Krishti, që erdhi nga Ati Qiellor, kthehet tani tek Ati për të mbretëruar së bashku me Të në lavdi.  

Kjo ngjarje e të Shëlbuemit të Jezusit tregohet në në Leximin e Parë nga Veprat e Apostujve (1,1-11). Ai, Jezusi pasi i siguron dishepujt edhe për gjërat që nuk i dinë e, pasi u premton se do t’u dërgojë Shpirtin Shenjt, ngrihet lart, u ikën nga sytë dhe zhduket dalëngadalë në mesin e reve.  Engjëjt, që patën shpallur ngjalljen, tani i ftojnë njerëzit të mos shohin lart për të kërkuar Zotin, sepse Ai është në mesin e tyre.

Siç thuhet në Leximin e Dytë, të liturgjisë së kësaj së diele, nga Letra e Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve (1,17-23 )njohja e Zotit është përvojë e dashurisë së Tij absolute, që jep shpresë e forcë. E këtë koncept e thekson edhe Ungjilli i këtij solemniteti nga Mateu (28,16-20), kur vë në dukje se pikërisht kur kemi frikë se nuk do ta shohim më Zotin, Krishti premton: “Ja, unë do të jem me ju përgjithmonë”. Jo ndërmjet reve në qiell, por në zemrat e besimtarëve, në misterin e Kishës, në Fjalën e Zotit dhe në Eukaristi.

Në këtë festë, bashkësia e krishterë, pra, është e thirrur t’i drejtojë sytë nga Ai, Jezusi që, dyzet ditë pas ngjalljes, në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur, u ngjit lart para syve të tyre e u zhduk pas një reje. Duke u ngjitur në qiell, Jezu Krishti na e rihapi udhën drejt atdheut tonë të përhershëm, që është parajsa. Tani, me pushtetin e Shpirtit të Tij, na ndihmon në shtegtimin tonë të përditshëm mbi tokë.

                                        Liturgjia e Fjalës 

Leximi parë Vap 1,1-11

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit e deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi që u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet të Shpirtit Shenjt. Ai, pas mundimit të vet, më shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit.

Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lëshojnë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje: Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni ,e Shpirt Shenjt.” Tani ata që ndodhën bashkë me të e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë  e Izraelit?” Ai u përgjigj: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbres në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në samari, madje dhe gjer në skajin e botës.” Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre. Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin sesi ai ngjitej në qiell, ia bëhen dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “ O burra galileas, përse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezusi, që prej jush u ngjit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell! Fjala e Zotit

Psalmi 47 

Ref. Ngritet Zoti me këngë të hareshme.

—————————————

Duartrokitni, o popuj të gjithë

brohoritni Hyjit me zë gëzimi!

Sepse Hyji është i tejetlartë,

i tmerrshëm, Mbreti i madh mbi tokën mbarë.

—————————————

Ngritët Hyji me brohori

Zoti me zë trumbete

Këndoni Hyjit, këndoni,

këndoni mbretit tonë, këndoni!

—————————————

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës:

këndoni këngë me mjeshtëri!

Hyji mbretëron mbi mbarë popujt,

Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.

 —————————————

Leximi dytë Ef 1,17-23 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t’ju japë syve të zemrës (tuaj) dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër,  dhe madhërinë e pamasë të fuqisë së tij kundrejt nesh që besojmë, të matur sipas veprimtarisë së pushtetit dhe forcës së Tij, të cilën e tregoi me vepër në Krishtin duke e ngjallur nga të vdekurit dhe duke e vendosur në të djathtën e vet në qiell,  mbi çdo Principatë, Pushtet,  Fuqi, Zotërim dhe mbi çdo emër që mund të përmendet jo vetëm në këtë, por edhe në botën e ardhshme. Dhe çdo gjë vuri nën këmbët e tij e Atë e vendosi mbi çdo gjë ‑ për Krye të Kishës,  e cila është Trupi i tij,  plotësimi i Atij që plotëson gjithçka në të gjithë. Fjala e Zotit

Aleluja!

Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, thotë Zoti.

Dhe, ja unë jam me ju gjithmonë – deri në të sosur të botës.

Aleluja!

+ Ungjilli Mt 28,16-20

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Mateu

Ndërkaq të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan. Jezusi u afrua e u tha: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!” Fjala e Zotit

22 maj 2020, 14:14