pentecoste-2.jpg

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës së Rrëshajëve

Është Solemniteti i Rrëshajëve, dita kur zë fill bashkësia e krishterë, pas zbritjes së Shpirtit Shenjt mbi Zojën e apostujt. Krishti u jep dishepujve mandatin për të falur mëkatet e i dërgon nëpër botë, siç tregohet në pjesën ungjillore të sotme, marrë nga kreu i 20-të i shën Gjonit...

R.SH. - Vatikan

19 Në mbrëmje po të asaj dite - të parën ditë të javës - ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 20 Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. 21 Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”. 22 Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! 23 Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen”.

Të lutemi së bashku:

Eja, o Shpirt i Shenjtë,

të na sjellësh Ujin e jetës,

Jezu Krishtin, e vdekur e të ringjallur,

të na i shndërrosh shkretëtirat e tokës

në kopshte drejtësie dhe paqeje.

Atëherë, çdo etje do të shuhet

e gratë e burrat, shkëputur nga vdekja,

do të thurin lavde plot gëzim.

 

Eja, o Shpirt i Shenjtë,

të na sjellësh Dritën e botës,

Jezu Krishtin, e vdekur e të ringjallur,

të na i davaritësh retë e errta

ku jemi zhytur,

të na i shqyrtosh thellë zemrat

për të na zbuluar misterin e Dashurisë,

që përtërin e ringjall

që larton e jep forcë.

Atëherë, nata do të zhduket

e gratë e burrat, të lëbyrur nga shkëlqimi yt,

do të lëshojnë britma lumturie.

 

Eja, o Shpirt i Shenjtë,

të na sjellësh Zjarrin e amshuar,

Jezu Krishtin, të vdekur e të ringjallur,

të na ndezësh llambat

që të shndritet shpresa,

të ndezësh edhe shpirtrat

më të ftohtë e më egoistë

e t’i bësh të përflaken nga bamirësia.

Atëherë, çdo keqdashje,

çdo dhunë e çdo hakmarrje

do të shpërbëhet

e gratë e burrat, kthyer në motra e vëllezër,

do të bëjnë të shpërthejë

fryti i hirit, marrë prej Teje.

30 maj 2020, 08:27