Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës së Rrëshajëve
R.SH. - Vatikan
19 Në mbrëmje po të asaj dite - të parën ditë të javës - ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 20 Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. 21 Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”. 22 Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! 23 Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen”.
Të lutemi së bashku:
Eja, o Shpirt i Shenjtë,
të na sjellësh Ujin e jetës,
Jezu Krishtin, e vdekur e të ringjallur,
të na i shndërrosh shkretëtirat e tokës
në kopshte drejtësie dhe paqeje.
Atëherë, çdo etje do të shuhet
e gratë e burrat, shkëputur nga vdekja,
do të thurin lavde plot gëzim.
Eja, o Shpirt i Shenjtë,
të na sjellësh Dritën e botës,
Jezu Krishtin, e vdekur e të ringjallur,
të na i davaritësh retë e errta
ku jemi zhytur,
të na i shqyrtosh thellë zemrat
për të na zbuluar misterin e Dashurisë,
që përtërin e ringjall
që larton e jep forcë.
Atëherë, nata do të zhduket
e gratë e burrat, të lëbyrur nga shkëlqimi yt,
do të lëshojnë britma lumturie.
Eja, o Shpirt i Shenjtë,
të na sjellësh Zjarrin e amshuar,
Jezu Krishtin, të vdekur e të ringjallur,
të na ndezësh llambat
që të shndritet shpresa,
të ndezësh edhe shpirtrat
më të ftohtë e më egoistë
e t’i bësh të përflaken nga bamirësia.
Atëherë, çdo keqdashje,
çdo dhunë e çdo hakmarrje
do të shpërbëhet
e gratë e burrat, kthyer në motra e vëllezër,
do të bëjnë të shpërthejë
fryti i hirit, marrë prej Teje.