Kërko

Takim i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë me kryeministrin, për rihapjen e vendeve të kultit

Po mendohet një protokoll për rihapjen e vendeve të kultit në Shqipëri, pas takimit të djeshëm virtual të Këshillit Ndërfetar me kryeministrin Edi Rama, në fazën e dytë të emergjencës së koronavirusit.

R.SH. - Vatikan

Faza e dytë e përballimit të pandemisë së koronavirusit në Shqipëri ka shtruar çështjen e frekuentimit të vendeve të kultit, të cilat, deri tani, kanë qenë të mbyllura për besimtarët. Kremtimet janë transmetuar nëpërmjet internetit e rrjeteve shoqërore, siç ka ndodhur në të gjitha vendet e botës e siç vijon të bëjë edhe Papa Françesku në Vatikan.

          Dje, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është takuar virtualisht për këtë problem me kryeministrin Edi Rama, të cilit i ka kërkuar hartimin e një protokolli për të filluar kremtimet fetare, në praninë e besimtarëve, natyrisht, duke respektuar masat e sigurisë, në mënyrë që të mos rritet numri i të sëmurëve me koronavirus. Kryeministri Rama, duke i falenderuar krerët fetarë për bashkëpunimin e tyre të lavdërueshëm gjatë emergjencës shëndetësore, u kërkoi të bashkëpunojnë me ekspertët për të përvijuar mënyrën e datën e hapjes së vendeve të kultit. “Kjo kërkon një bashkëbisedim me ju, se praktikat janë të ndryshme nga komuniteti në komunitet – u tha Rama përfaqësuesve të bashkësive fetare. - Ndryshe nga aktivitetet e tjera të biznesit, në rastin e komuniteteve fetare duhet bërë bashkërisht”.

Në takimin e djeshëm morën pjesë krerët e pesë bashkësive fetare: kryetari i Këshillit Ndërfetar, Imzot George Frendo (njëkohësisht, kreu i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë); kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu; kryepeshkopi i Kishës Ortodokse, Fortlumturia e Tij Anastas; kreu i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj; kreu i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Ylli Doci; si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar, Dr. Genti Kruja.

Ja, deklarata për shtyp:

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë takim me Kryeministrin lidhur me rihapjen e objekteve të kultit

Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë me kërkesën e tij ka zhvilluar sot një mbledhje online me Kryeministrin e Shqipërisë z. Rama, ku është folur për rihapjen e objekteve të kultit, pas mbylljes së tyre për shkak të pandemisë së Covid 19.

Gjatë këtij takimi fillimisht Kryeministri Rama ka falënderuar komunitetet fetare dhe të gjithë drejtuesit e tyre për bashkëpunimin lidhur me këtë situatë të vështirë, si dhe për sakrificat e ndërmarra në ditë festash të rëndësishme fetare për secilin komunitet, lidhur me pezullimin e përkohshëm të ritualeve në objektet e kultit.

Liderët e pesë komuniteteve fetare kanë shprehur opinionet e tyre, duke vënë theksin në rëndësinë, që i jep feja shëndetit dhe jetës së njeriut, lidhur me masat e marra që në fillim nga ana e tyre. Ndërsa tani, ku për shkak të qëndrueshmërisë dhe uljes së përhapjes së virusit në vendin tonë, si dhe zbutjes së masave nga qeveria shqiptare për rihapjen e aktiviteteve të ndryshme të jetës së përditshme, komunitetet fetare kanë marrë masat për një rihapje graduale të objekteve të kultit, kishave, xhamive dhe teqeve në bashkëpunim me organet kompetente dhe ekspertët e fushës.

Menjëherë pas mbledhjes, grupi i punës nga qeveria ka kontaktuar me KNFSH për të përcaktuar dhe diskutuar rreth kalendarit dhe propozimeve të komuniteteve fetare për rihapjen e objekteve të kultit, gjë e cila do të finalizohet në kohën më të afërt në përputhje dhe me rregullat dhe masat që do ndërmerren në bashkëpunim institucional.

07 maj 2020, 12:58