Spirito Santo Spirito Santo 

Shenjtorët e javës 31 maj - 7 qershor

Më 31 maj Kisha kremton solemnitetin e Rrëshajëve, 50 ditë pas Pashkëve. E kujtojmë se festa e Rrëshajëve shënon ditëlindjen e Kishës së Krishtit Zot e Shëlbues.Gjithnjë më 31 maj kalendari kujton Pasinë e së Lumes Mari Virgjër te Shën Elizabeta, nga e cila lind ‘ Madhërimi’ ( ‘Magnificat’), kënga e cila madhëron Hyjin e Gjithëpushtetshëm për punët e mëdha që kryen në jetën e bijve të vet, që jemi ne njerëzit.

R.SH. - Vatikan

E diel më 31 maj, Kisha katolike kremton solemnitetin e Rrëshajëve, që bie 50 ditë pas festës së Pashkëve. E kujtojmë se Festa e Rrëshajëve shënon ditëlindjen e Kishës së Krishtit Zot e Shëlbues. Solemniteti Rrëshajëve shënon Zbritjen e Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull së bashku me Marinë, shënon pikërisht plotësimin e premtimeve të Jezu Krishtit: dërgimin e Shpirtit Shenjt për t’i ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. Ai u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Me ndihmën e Shpirtit Shenjt ecim plot shpresë në kërkim të së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin.

Gjithnjë më 31 maj, kalendari Kishtar kujton Pasinë e së Lumes Mari Virgjër te Shën Elizabeta, nga e cila lind ‘Madhërimi’ ( ‘Magnificat’), kënga e cila madhëron Hyjin e Gjithëpushtetshëm për punët e mëdha që kryen në jetën e bijve të vet, që jemi ne njerëzit.

Të hënën më 1 qershor, kalendari kishtar përkujton  shën Justinin, filozof e martir. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti e do popullin e vet, se i prin drejt së vërtetës, drejt takimit me Hyjin Atë. Zoti zgjedh në histori figura të veçanta për t’i dhënë mesazhe të fuqishme popullit të vet. 

Të martën më 2 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Marçelinin meshtar, shën Pjetrin ekzorcist e martir dhe shën Eugjenin, papë. Liturgjia e ditës na kujton se edhe sot, si në kohët e largëta, ftohemi të hapim mendjen e zemrën, për t’i bërë vend Fjalës Hyjnore që shëlbon. 

Të mërkurën më 3 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Karl Lvanga-n me shokë, martirë të Ugandës e shën Klotildën, mbretëreshë të frakëve. Liturgjia e ditës na kujtojnë se njeriu i drejtë i jep lumni Hyjit me bindjen se feja nuk është prona jonë. Na u dorëzua që të kujdesemi për të, ashtu si vreshti vreshtarëve. Kemi përgjegjësi për lulëzimin e vreshtit, por nuk jemi i zoti.

Të enjten më 4 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Françesk Karaçiolo, meshtar, themelues i Klerikëve të Vegjël Rregulltarë dhe e Shën Kuirini, martir. Liturgjia e ditës na kujtojnë se njeriu i drejtë i jep lumni Hyjit me bindjen se feja nuk është prona jonë. Na u dorëzua që të kujdesemi për të, ashtu si vreshti vreshtarëve. Kemi përgjegjësi për lulëzimin e vreshtit, por nuk jemi i zoti.

Të premten më 5 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Bonifacin, ipeshkëv e martir, apostull i Gjermanisë. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne është i thirrur të japë kontributin e tij për ndërtimin e një realiteti më të mirë, duke i ndihmuar për këtë edhe autoritetet civile.

Të shtunën më 6 qershor, kalendari përkujton Shën Norbertin, ipeshkëv i Magdenburgut, themelues i Kanonikëve Rregulltarë Premostratens; Shenjtorët Artemi e Paolina, martirë e Shën Klaudio-n, abat e ipeshkëv. Liturgjia e ditës na kujton se në bisedën që bëjnë saducejtë e farisenjtë me Jezusin, gjejmë gjithnjë të vërteta të mëdha e sot, të vërtetën se Zoti është përherë i pranishëm në jetën tonë jo si gjykatës, as si padron, por si Atë që kujdeset gjithnjë për të bijtë

Të dielën e ardhshme më 7 qershor, Kisha katolike do të kremtojë  festën e Trinisë Shenjte. Duke iu referuar festës së Trinisë Shenjte, mos të harrojmë se tërë jeta tokësore e Jezu Krishtit ka qenë shfaqje e misterit më të bukur. më të thellë , më të pashqyrtueshëm të Hyjit: e ky mister është Ati, Biri e Shpirti Shenjtë = Një natyrë e vetme Hyjnore në Tri vehtje ( në tre persona). iturgjia e Fjalës Hyjnore e këtij solemniteti pohon se Zoti është Trini Dashurie për t’u besuar, për t’u dëgjuar e për t’u pranuar në jetë.

Gjithnjë më 7 qershor, kalendari përkujton Shën Antonin Maria Gjanelli, ipeshkëv e themelues i Bijave të Marisë.

 

31 maj 2020, 13:14