Kërko

Vatican News
Charles de Foucauld - Charles de Foucauld -  

Papa: miratohet mrekullia, i lumi Charles de Foucauld do të jetë shenjt

Do të shpallet shenjt Charles de Foucauld, me emrin rregulltar “vëlla Karli i Krishtit”; Kishës i shtohen edhe disa të Lum të rinj.

R. SH. - Vatikan

Do të shpallet shenjt, i Lumi Charles de Foucauld (Strasburg, 15 shtator 1858 - Tamanrasset, 1 dhjetor 1916), rregulltar francez, bir i një familjeje fisnike, një nga pionierët e dialogut me kulturat dhe fetë e tjera, zbulues i shkretëtirës së Saharës e studiues i gjuhës dhe i kulturës së Turaegëve.

Duke pritur dje në audiencë kardinalin Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, Papa Françesku autorizoi  Kongregatën të shpallë dekretin lidhur me mrekullinë, kryer me ndërmjetësimin e  të lumit  Charles de Foucauld, akti i fundit i nevojshëm për të shpallur shenjtërinë. De Foucauld u lumnua më 13 nëntor 2005, nga Papa Benedikti XVI.

Gjithnjë për njohjen e mrekullive, do të shpallen shenjtorë edhe i Lumi  francez Cesare de Bus (1544-1607), themelues i Kongregatës së Etërve të Doktrinës së Krishterë (Doktrinarët), lindur më 3 shkurt 1544 në Cavaillon, Francë e vdekur në Avignone, Francë më 15 prill 1607 si dhe italiania e lume, Maria Domenica Mantovani (1862-1934). Në dokument njihet edhe mrekullia, që do ta lartojë në nderimet e altarit, Shërbëtorin e nderuar të Zotit, amerikanin Michele McGivney (1852-1890), themelues i Urdhërit të Kalorësve të Kolombos, si dhe mrekullia e kryer me ndërmjetësimin e Shërbëtores së nderuar të Zotit, francezes Paolina Maria Jaricot (1799-1862), themeluese e Veprave të “Këshillit të Propaganda Fides” dhe të “Rruzares së gjallë”.

Përveç këtyre, Dekretet e shpallura nga Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve do t’i hapin udhën e lumnimit edhe  Shërbëtorëve martirë të Zotit, Simeone Cardon me 5 Shokë, rregulltarë të Kongregatës Cistercense di Casamari, vrarë në Casamari, nga urrejtja për Fenë, ndërmjet  13 e 16 majit 1799 - si dhe martirit, shërbëtor i Zotit, Cosma Spessotto, italian (1923-1980), meshtar i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, vrarë në San Juan Nonualco (El Salvador).

Së fundi Dekretet njohin virtytet heroike të ipeshkvit francez, Shërbëtorit të Zotit Melchiorre Maria de Marion Brésillac, ish Vikar Apostolik i Coimbaore e Themelues i Shoqërisë së Misioneve Afrikane (1813, Castelnaudary, Francë - 1859, Freetown, Sierra Leone).

 

27 maj 2020, 13:33