Kërko

 Kardinali Bassetti Kardinali Bassetti 

Në Kishat e Italisë, nga 18 maji do të nisin kremtimet me popull

Marrëveshja e Kishës italiane me qeverinë synon të garantojë sigurinë e çdo besimtari dhe pjesëmarrjen e çdo bashkësie kishtare në kremtime. Një hap, që u bë i mundur nga bashkëpunimi i pandërprerë ndërmjet Kishës e qeverisë.

R. SH. - Vatikan

“Secili e luajti rolin e vet me përgjegjësi”. Kështu e komentoi kryetari i Konferencës ipeshkvnore italiane, kardinali Gualtiero Bassetti nënshkrimin e protokollit, sot paradite, në Pallatin Chigi, që i hap rrugën rifillimit të kremtimeve me praninë e popullit të Zotit, duke nisur nga 18 maji, duke ripohuar edhe angazhimin e Kishës për të dhënë ndihmesën e saj në kapërcimin e krizës, në vijim. Teksti - njofton Konferenca ipeshkvnore italiane - u arrit në përfundim të një udhe, gjatë së cilës bashkëpunuan ipeshkvijtë, kryeministri, ministri i jashtëm e edhe autoritete të tjera shtetërore.

Disa nga masat, që duhen respektuar

Në Protokoll shënohen edhe masat, që duhen respektuar me kujdes  lidhur me hyrjen në vendet e kultit, me rastin e kremtimeve liturgjike: higjienizimi i vendeve dhe i sendeve; kujdesi për besimtarët si dhe disa sugjerime të përgjithshme.

Për hyrjen në vendet e kultit do të aktivizohen edhe vullnetarët, ndërsa besimtarët do të pranohen vetëm me maska e duke respektuar distancat e sigurisë prej një metre ballore e anësore. Për ata, që kanë simptoma gripale në frymëmarrje dhe ethe mbi 37,5 gradë, ose që kanë pasur kontakte me njerëz të sëmurë nga koronavirusi, hyrja në vendet e kultit është e ndaluar. Për ritin e Kungimit kërkohet nga kremtuesi higjienizimi i duarve, përdorimi i maskës dhe i dorezave. Ndalohet kontakti me duart e besimtarëve. Këto, e rregulla të tjera, do të jenë në qendër të vëmendjes për këtë rifillim aq të dëshiruar.

 

07 maj 2020, 14:36