Kërko

Vatican News
 Zoja e Këshillit të Mirë Zoja e Këshillit të Mirë 

Maji i Zojës: Titulli “Zoja e Këshillit të Mirë”

Sot, dy fjalë për titullin “Zoja e Këshillit të Mirë”.

R. SH. - Vatikan

Nën titullin “e Këshillit të Mirë” nderohet Zoja, që ndodhet në Gjenacan, afër Romës, e paraqitur në një figure që, sipas gojëdhënës, u shkep nga muri i Kishës bri Kështjellës Rozafa, kur Shkodra ra në dorë të turkut, në vitin 1479. Përshpirtëria e krishterë duhet të ketë qenë me të vërtetë e frymëzuar, kur e thirri së pari me këtë titull,  i cili shpreh kujdesin e urtë që ka  kjo Nënë qiellore për bijtë e bijat e saj. Shpesh, e sot më shumë se kurrë, mjetet njerëzore nuk mjaftojnë për t’i parashikuar ngjarjet e ndryshme të jetës, që njeriu të mund t’u dalë para e të mos mbetet i shtypur nën barrën e tyre të rëndë. Zoja e Këshillit të Mirë është edhe Pajtore e mbarë Shqipërisë, e posaçërisht, e Qytetit të Shkodrës. Prej këndej, populli e thërret edhe Zoja e Shkodrës.

Kujtuam, në emisionet e kaluara, se ndërmjet titujve të shumtë me të cilët nderohet Zoja në të katër anët e botës, nga Evropa, në Amerikë, Afrikë, Azi e deri në polet e ngrira, është edhe titulli, që shqiptarët e kanë më për zemër: “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Sa herë kremtohet në Kishën e Saj rrëzë Kështjellës Rozafa Mesha e posaçme në nder të Saj, nis me një britmë gëzimi. Është gëzim i Kishës e i besimtarëve që, të prirë dhe të mbrojtur nga Nëna  e Këshillave të urta, mund t’i shikojnë pa iu trembur syri  ngjarjet në vijimin e shtegtimit mbi tokë. Edhe nëse na rrënojnë njëherë, me ndërmjetësimin e Marisë së Këshillit të Mirë, e dimë se do të ngrihemi përsëri në këmbë, ashtu si u ngrit Shenjtëroja e Saj, tri herë e bërë rrafsh me tokë, e tri herë e lartuar përsëri, për të na siguruar se është aty, pranë nesh, në të mira e në të vështira!

O Zot, që na dhurove si Nënë, vetë Nënën e Birit tënd të dashur e deshte që fytyra e saj e hijshme të shkëlqente përmes një dukjeje të mrekullueshme, po të lutemi që, duke ndjekur gjithnjë këshillat e saja të mira, të jetojmë ashtu si dëshiron zemra e Saj, të dimë ta mbrojmë atdheun tokësor e të meritojmë një ditë, atmen qiellore!

23 maj 2020, 09:01