Zoja Madhe ne Letnicë të Kosovës Zoja Madhe ne Letnicë të Kosovës 

Maji i Zojës: “Titujt e Marisë”

Maji vijon, e me të, nderimi i posaçëm ndaj Zojës së Bekuar, që po e kujtojmë çdo ditë. Sot po ndalemi tek titujt, me të cilët i drejtohen Marisë Kisha dhe populli i Zotit.

R. SH. - Vatikan

Katolikët i drejtohen Zojës me një mori titujsh, në të gjitha gjuhët e botës, në të gjitha vendet, duke nisur nga majat e maleve, tek viset e humbura,  ku Ajo u duk shpesh. Në latinisht Nëna e Jezusit u quajt “Madonna”, do të thotë “Zoja ime”. Ky titull, që i dhanë  të krishterët e parë, do të pasohej nga një sërë titujsh të tjerë. Nëna e Krishtit do të  quhej “Virgjëra Mari”, “Zoja e Papërlyer”, “Zoja e Ngjitur në Qiell”, tituj, që lidhen ngushtë me përkufizimet dogmatike të Kishës katolike.

Ndërsa titujt e tjerë lidhen me viset dhe ngjarjet e veçanta të devocionit popullor.

Maria quhet “Zoja Ndihmëtare”, “Zoja e Dhimbshme”, “Zoja Ngushëlluese”, “Zoja e lotëve”, “Zoja Lurdë”, “Zoja e Guadalupes”, “Zoja e Fatimës”, “Zoja e Dëborës”, “Zoja e Pulave”, “Zoja e Hireve”, “Zoja e Karmelit, - apo Karmë - siç quhet ndër shqiptarë”, “Zoja e Shkodrës”, “Zoja e Këshillit të Mirë”, “Zoja e Letnicës”…. Do të mund të shkruanim një libër të gjatë prekës, me historinë e çasteve kur u thirr për herë të parë me këto tituj.

Por, natyrisht, titulli më i lartë i Virgjërës Mari, me të cilin i drejtohen besimtarët e mbarë botës, është “Nëna e Zotit”, titull, që lidhet edhe me një nga dogmat kryesore të Kishës. E duhet kujtuar edhe se me kremtimin e “Solemnitetit të Marisë, Nënë e Zotit” e nisim ditën e parë të çdo viti të ri!

Maji vijon, e me të, edhe kujtimi i Zojës së Bekuar, që besimtarët e thërresin me gjithë emrat, që sapo i kujtuam duke i drejtuar, në gjunjë para figureve të saj, uratën: “Shenjtja Mri, Nëna e Tënzot, lutu për ne!”.

15 maj 2020, 12:52