Kërko

 Zoja Ndihmëtare Zoja Ndihmëtare 

Maji i Zojës: lutje drejtuar Zojës Ndihmëtare

Sot kremtohet Zoja, që njihet me titullin “Auxilium Christianorum”- “Ndihma e të Krishterëve”, që e shpëtoi krishterimin nga pushtimi turk e që nisi të përkujtohet që në kohën e Papës së madh marian e dominikan, shën Piut V (1566-1572).

R. SH. - Vatikan

Sot kremtohet Zoja Ndihmëtare, që nis të përkujtohet që në kohën e Papës së madh marian e dominikan, shën Piut V (1566-1572). Në ato kohë kur viheshin në lojë fatet e Evropës, kërcënuar prej shekujsh nga turqit, që tashmë kishin arritur në portat e Vjenës, Papa i kërkoi Zojës së Bekuar ndihmë për ushtritë dhe fatet e Perëndimit e të Krishterimit. Ishte tetori i vitit 1571. E që asokohet, Zoja, që e shpëtoi krishterimin, njihet me titullin “Auxilium Christianorum”; “Ndihma e të Krishterëve”. T’ia drejtojmë lutjen tonë sot, kur bota mbarë ka nevojë pikërisht për ndihmë, përballë një armiku të ri, të padukshëm:

“O Virgjër e Shenjtnueshme, Nënë e Fjalës së Mishëruar e Nëna jonë,

e nderuar me titullin “Ndihma e të krishterëve”:

Vijmë sot para teje për të kërkuar mbrojtjen tënde,

të tmerruar nga një armik i ri, që na kërcënon

nga sëmundja, që vijon të ligështojë forcat e durimin tonë!

Silli sytë nga populli i Hyjit e priji me dashuri amtare

në rrugët e durimit e të shërimit të plotë.

Me atë ‘po’ plot bindje që shqiptove në Nazaret, ti i lejove

Birit të amshuar të Hyjit të mishërohej në kraharorin tënd virgjëror

e të hynte kështu në historinë e Shëlbimit,

në të cilën bashkëpunove me përkushtim durimtar,

duke pranuar që shpata e dhimbjes ta shporonte shpirtin,

deri në orën e fundme të kryqit, kur ndenje mbi Kalvar

drejt në këmbë, pranë Birit tënd, i cili vdiste, që njeriu të jetonte.

Që atëherë ti u bëre, në një mënyrë krejt të re, Nënë

e të gjithë atyre, që e mirëpresin në fe Birin tënd, Jezusin,

që pranojnë ta ndjekin pas, duke marrë kryqin e tij mbi shpinë.

edhe kryqin e sëmundjes!

O Nënë e shpresës, që në errësirën e së Shtunës së Madhe u nise

me besim të patundur drejt agimit të Pashkëve,

jepu bijve të tu aftësinë për t’i bërë ballë çdo situate,

sado e errët që të jetë!

O Zoja jonë Ndihmëtare, ndihmoi të gjithë ata që,

edhe kur i kërcënon vdekja

vijojnë të besojnë, të shpresojnë e të duan,

e të mos të kenë frikë t’i flasin botës për Jezusin e Jezusit për botën.

Deri në fund të fundit!

Ndihmoi katolikët të jenë gjithnjë dëshmitarë të besueshëm të kësaj dashurie,

duke i mbajtur të bashkuar me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha.

Amen!

24 maj 2020, 11:17