Kërko

 Maria, Nëna e Zotit Maria, Nëna e Zotit 

Maji i Zojës: “Kush është Maria për të krishterët e myslimanët”

Maria, për gjithë të krishterët është Nëna e Krishtit Zot!

R. SH. - Vatikan

E nderuar si “Nëna e Shenjtë e Zotit” nga katolikët dhe ortodoksët (të cilët i luten me titullin “Theotókos”) Shenjtëria e Marisë njihet edhe nga Bashkësia anglikane si dhe nga të gjitha konfesionet tjera protestante. Kështu Maria, për gjithë të krishterët, është Nëna e Krishtit, protagoniste e një ngjarjeje të pashoqe e të papërsërishtshme, si mishërimi i Zotit!

Jezus, që në hebraishten e lashtë do të thotë “Shëlbues” a “Shpëtimtar”, është emër njeriu. Zoja e quajti kështu të Birin, sipas vullnetit të Zotit, që iu kumtua nga Kryengjëlli Gabriel.

E Krisht, në greqishten e lashtë, do të thotë “i vajuari i Zotit”.

Maria, Nëna e Krishtit Zot, Birit të saj të vetëm, në një mori fragmentesh biblike  thirret thjesht Virgjëra. Ndërsa në hebraisht, Miriam.

Asaj i kushtohet edhe një syre e Kuranit, sepse edhe për Islamin është Nëna e Virgjër e Jezusit e pasardhëse e Davidit Mbret e profet.

Për Islamin, Allahu është një i vetëm (nuk është, pra, Trini: At e Bir e Shpirt i Shenjtë), transhendent apo i mbinatyrshëm e nuk mund të mishërohet në asnjë qenie njerëzore. Prej këndej, për islamin, Jezusi  është profet. Më i rëndësishmi i “zbulesës”, por pas Muhametit. E ‘Mejremja’ Nëna e Tij e Virgjër!

15 maj 2020, 10:56