Rruzarja e Zojës Rruzarja e Zojës 

Maji i Zojës: ç’vlerë ka sot Rruzarja?

Kujtojmë se muaji i Zojës në këtë maj të trishtë, po kremtohet në mënyrë të jashtzakonshme në kishat e kapelat kushtuar Nënës së Krishtit në të katër anët e botës. Pa besimtarë. Pa tufat ngjyra-ngjyra të luleve të majit në altaret e Saj. Pa këngë. Pa harenë e zakonshme, që të ngjall maji i Marisë. Me lot në sy e frikë për nesërmen në zemër. Duket si koha e Mundimeve e Javës së Madhe. Por jemi ende në Kohën e Pashkëve e në prag të Rrëshajëve, kur mbi Kishën e mbi njerëzimin rrezatojnë misteret e lumturisë së Krishtit të ngjallur!

R. SH. - Vatikan

Rruzarja duhet konsideruar si mënyrë për të vënë në jetë atë që kremtojmë në liturgji e që e shpallim në Shkrimin Shenjt.

Është e qartë se Rruzarja nuk është sakrament, e as kremtim liturgjik i mbarë Kishës. Megjithatë lidhet ngushtë me liturgjinë: ashtu ai ajo, ushqehet nga Shkrimi Shenjt e  zhvillohet rreth misterit të Krishtit.

Madje cikli i mistereve të Rruzares mund të krahasohet me zhvillimin e vitit liturgjik.

Me kohën liturgjike të Ardhjes e të Krishlindjes përkojnë misteret e gazmendit, të përqendruara tek Mishërimi.

Me kohën e Mundimeve e të Javës së Madhe, përkojnë misteret e mundimeve të Shëlbuesit në Kryq.

Koha e Pashkëve dhe e Rrëshajëve pasqyrojnë misteret e lumturisë së Krishtit të ngjallur, që rrezatojnë mbi Kishën.

Festat e të Ngjiturit të Zojës në qiell dhe e Marisë Mbretëreshë e qiellit dhe e tokës, përkojnë me dy misteret e fundit.

Ndonëse në plane të ndryshme, kremtimi liturgjik e kundrimi përmes Rruzares, na çojnë tek të njëjtat ngjarje të shëlbimit, kryer nga Krishti. Ashtu si liturgjia, Rruzarja ka në qendër misterin e Krishtit Shëlbues. Me qartësinë e tri serive të mistereve, Rruzarja nënvizon aspekte themelore, ashtu si në skemën e predikimit të Apostujve: Biri i Hyjit u bë njeri, u kryqëzua për mëkatet tona, u ngjall për lumturinë tonë.

Kujtojmë se muaji i Zojës në këtë maj të jashtëzakonshëm, po kremtohet në mënyrë të jashtzakonshme në kishat e kapelat kushtuar Nënës së Krishtit në të katër anët e botës. Pa besimtarë. Pa tufat ngjyra-ngjyra të luleve të majit në altaret e Saj. Pa këngë. Pa harenë e zakonshme, që të ngjall maji i Zojës. Po kremtohet me lot në sy e frikë për nesërmen në zemër. Të duket si koha e Mundimeve e  Javës së Madhe, koha e mundimeve të Shëlbuesit në Kryq. Por jemi ende në Kohën e Pashkëve e në pragRrëshajëve, kur mbi Kishën  rrezatojnë misteret e lumturisë së Krishtit të ngjallur!

 Kishat ishin krejt bosh – e krejt plot. Miliona besimtarë i ndoqën kremtimet, me lot në sy, lutje në buzë, me shpresë në zemër e fe të gjallë në shpirt. E Zoja nga qielli dëgjoi sivjet lutjet më të zjarrta, lutje për jetën e mbarë njerëzimit të kapërthyer nga frika, që kërkon shpëtim!

07 maj 2020, 07:19