Kërko

 Shpella e Lurdës Shpella e Lurdës 

Lurdë. Kapelani: e ndjemë veten mushkëri e lutjes së botës!

Që dje Shenjtërorja mariane u hap për shtegtarët, e jo vetëm pasdite, si në ditët e para të fazës së dytë, por nga agu, në perëndim. Atë Ventriglia, udhëheqës i shtegtarëve të gjuhës italiane, shpjegon mënyrën si hyhet, e flet edhe për periudhën e mbylljes, dy muaj, të cilët rregulltarët “rojet e Shpellës”, i kaluan në lutje, për vete e për mbarë botën!

R. SH. - Vatikan

Më 30 maj, në orën 17.30, Shenjtëroret më të mëdha në të pesë kontinentet, do të lidhen në mondovizion me Shpellën e Lurdës në Vatikan, ku Papa Françesku do të thotë Rruzaren, për t’ia besuar Zotit  mbarë njerëzimin. Nismë, kjo, e Këshillit Papnor për Promovimin  e Ungjillëzimit të Ri, me temë: “Plot zell e njëzëri në lutje, së bashku me Marinë”. Ndërmjet vendeve, që do të lidhen me Vatikanin është, natyrisht, edhe Shenjtërorja e Lurdës, ku kapelanët nuk e pushuan për asnjë çast - gjatë periudhës së lockdown - lutjen para Shpellës, ku Zoja e Bekuar iu duk Bernardetës Soubirou - për t’u bërë pranë Zojës, zë i të gjithë atyre, të cilët nuk mundën të shkonin në Francë, në këtë vend, ku frymon përshpirtëria e devocioni. Kapelani i shtegtarëve të gjuhës italiane, Atë Nicola Ventriglia, përshkruan, në mikrofonet e Vatican News, atmosferën që jetohet sot në Shenjtëore:

“Atmosfera është gjithnjë e bukur, por në këto ditë, edhe më shumë. Pas mbylljes së gjatë, edhe këtu në Francë, nisëm të dalim, domethënë, t’i hapim portat. Kështu i kemi përsëri shtegtarët, që hyjnë dalëngadalë dhe e ripopullojnë Shpellën të cilën, këto dy muaj, u munduam ta ruajmë sa më mirë që mundëm”.

Mënyra e hyrjes në shenjtërore?

“Mënyra e hyrjes është në përkim me normat e vendosura nga Franca, sipas të cilave nuk mund të qarkullosh përtej 100 kilometrave nga zona ku banon, Kjo e kufizon paksa lëvizjen e shtegtarëve, por nuk e ndalon. Shtegtarët mund të vijnë. Rëndësi ka ruajtja e distancës dhe përdorimi i maskave”.

A është i kufizuar numri i shtegtarëve?

“Në fillim na u kërkua të caktojmë një numër të kufizuar. Më pas prefekti, duke kujtuar se shenjtërorja është kopsht i madh, kishë nën qiellin e  hapur, mendoi të mos e kufizonte numrin e shtegtarëve, që arrin në 350-400 në ditë. E lejohet edhe të marrësh ujë. Për këtë periudhë, në të cilën duhet pasur kujdes për dizinfektimin, ka katër-pesë rubinete, nga të cilat uji rrjedh pa ndërprerje e ku mund të pish e të mbushësh edhe shishet; në këtë mënyrë shmanget çdo prekje e rubinetit, gjë që mund të krijonte rreziqe”.

Si po përgatiteni për lidhjen, më 30 maj, me Shpellën e Lurdës në Kopshtet e Vatikanit, për ta thënë Rruzaren me Papën Françesku?

“Për ne është gëzim e inkurajiim i madh fakti që Ati i Shenjtë do ta thotë Rruzaren në Shpellën e Lurdës, në Vatikan. Do të na duket sikur është me ne, mes nesh! Do të vendosim një ekran të madh. E ne, kapelanët, do të jemi të gjithë tek Shpella, për t’u lutur njëherësh me Papën. Ky takim  bëhet si vulë, që shënon përfundimin e pushimit të gjatë të shtegtimeve, në një vend ku mbetëm vetëm, në lutje nga mëngjesi, në orën 07.00, e deri në mbrëmje, në orën 20.30. E ndjenim veten si Moisiu që, me krahët e lartuar drejt qiellit, lutej për gjithë njerëzimin”.

Çfarë mund t’u thoni njerëzve, që nuk gjejnë paqe, sepse humbën familjarët për shkak të pandemisë?

“Me që nuk mundën t’i përshëndesnin njerëzit e dashur, t’u kujtojnë për herë të fundit se i duan, dhimbja e tyre është tejet e fortë. Vështirë të ngushëllohet. Po kjo sëmundje nuk është dënim, i ardhur nga Zoti. Prandaj po kujtoj, këtu, fjalët që na tha predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Cantalamessa, në katekizmin e famshëm të së Premtes së Madhe: kjo pandemi, nëse ia vëmë mirë mendjen, na mësoi ta jetojmë jetën; e ta jetojmë si të krishterë”.

29 maj 2020, 11:28