Kërko

Vatican News
2019.05.20 cenacolo, ultima cena 2019.05.20 cenacolo, ultima cena 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të të Pashkëve ‘A’

Ungjillit i kёsaj sё diele nga Gjoni na kujton se dashuria është urdhërimi kryesor i Jezusit dhe na mёson, si krishterët, ta duan njëri-tjetrin, sipas shembullit të Jezu Krishtit Zot.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku liturgjinë e Fjalës Hyjnore të Dielës së 6-të të Pashkëve, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të të Pashkëve ‘A’

Jemi duke ju afruar festës së Rrëshajëve, festës së Shpirtit Shenjt, dhe liturgjia e Fjalës Hyjnore e dielës së 6-të e kohës së Pashkëve na fton të reflektojmë mbi dhuratën e Shpirtit Shenjt Zot. Ai është “Shpirti i së vërtetës” (Gjn 14,17). Ai që, duke mbet me ne dhe në ne për gjithmonë, do të na mundësojë të zbatojmë e të mishërojmë në jetën e përditshme thirrjen e Pjetrit: “adhurojeni Zotin, Krishtin, në zemra tuaja, përherë të gatshëm ti përgjigjeni kujtdo që të ju pyes mbi arsyen e shpresës që është në ju” (1Pt 3,15). Sot më shumë se kurrë, në një kulturë të relativizmit në çdo fushë, si teorike e po kështu edhe praktike, jemi të ftuar ta dëshmojmë të Vërtetën e të rrëfejmë arsyen e fesë sonë të krishterë.

Në Leximin e Parë nga Veprat e Apostujve (Vp 8,5-8.14-17) Pjetri e Gjoni bëjnë një vizitë në Samari e ky udhëtim i tyre konfigurohet si një etapë e udhës drejt bashkimit dhe ekumenizmit. Vënia e duarve të apostujve mbi samaritanas tregon një mënyrë për të konfirmuar e vërtetuar punën e bërë nga themeluesi i kësaj bashkësie të krishterësh që është Filipi.

Në Leximin e Dytë nga Letra e Parë e shën Pjetrit (1Pt 3,15-18) arma e të krishterit para padrejtësive, mashtrimeve, përndjekjeve, nuk është asgjë tjetër përveç se butësia, respekti i pakushtëzuar për të tjerët, dëshmia e dashurisë dhe faljes së Zotit. Vetëm duke pranuar vdekjen, Kisha mund ti sjell dritën botës, sepse nuk është institucioni ai që duhet të triumfoi, por feja.

 Ungjilli nga Gjoni (Gjn 14,15-21) na kujton se dashuria është urdhërimi kryesor i Jezusit dhe na mёson, si krishterët, ta duan njëri-tjetrin, sipas shembullit të Jezu Krishtit Zot. Ungjilli i Dielës sё VI të Pashkëve na kujton Darkën e Mbrame të Jezusit me dishepujt e Tij. E në çastin më dramatik të kësaj Darke, Jezusi u premtoi atyre se pas Tij nuk do të mbeteshin jetimë, sepse do të merrnin një “Ngushёllues, njё Mbrojtёs tjetër”, “Shpirtin e së Vërtetës”.

Fjalë, këto, që përçojnë gëzimin e ardhjes së re të Jezu Krishtit, përmes Shpirtit Shenjt Zot. Duke medituar këto fjalë të Jezusit, përceptojmë sot, me ndjesinë e fesë, se jemi popull i Zotit, në bashkim me Atin e me Krishtin, përmes Shpirtit Shenjt. Në këtë mister bashkimi, Kisha gjen burimin e pashterrshëm të misionit të saj, që realizohet përmes dashurisë.

Dashuria na bën ta njohim Jezusin, e dashuria për Zotin e të afërmin, është urdhërimi më i madh i Ungjillit. Fjala e Zoti na thërret të përkojmë bujarisht me thirrjen ungjillore të dashurisë, duke e vënë Atë në qendër të jetës sonë e duke iu kushtuar shërbimit të vëllezërve, posaçërisht atyre, që kanë më shumë nevojë për ndihmë e ngushëllim.

Nuk është kurrë as gjë e lehtë, as e sigurt, edhe në bashkësinë e krishterë, të duash sipas shembullit të Zotit e me hirin e Tij. Nganjëherë grindjet, krenitë, zilitë, smira, përçarjet e vrugojnë edhe fytyrën e bukur të Kishës. Bashkësia e krishterë do të duhej të jetonte në dashurinë e Krishtit, por ndodh që pikërisht djalli zgjat kthetrën e ne shpesh e lëmë të na gënjejë.

 Sa e sa njerëz janë larguar, për shembull, nga ndonjë famulli kishtare apo bashkësi e krishterё për shkak të mjedisit gjuhëgjatë, tё tasheshemeve, të zilisë, të smirës që gjetën në atë mjedis.

As për të krishterin nuk mund të thuhet me siguri se di të dojë gjithmonë. Andaj, çdo ditë duhet ta mësojmë artin e të dashurit, çdo ditë duhet ta ndjekim me durim shkollën e Krishtit, çdo ditë duhet të falim e ta shikojmë Jezusin, e duhet ta bëjmë me ndihmën e këtij avokati, të këtij ngushëlluesi, të dërguar nga Jezusi, që është Shpirti Shenjt.

Mos ta harrojmё një frazë të Ungjillit të kёsaj sё diele nga Gjoni (14, 15-21),  fjalët e Jezusit drejtuar dishepujve: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit e Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë”. Frazë e cila na kujton sidomos se dashuria për njeriun, e edhe për vetë Zotin, nuk dëshmohet me fjalë, por me fakte.

“T’i mbash urdhërimet” do të thotë t’i  zbatosh në kuptimin ekzistencial, në mënyrë që të të pushtojnë gjithë jetën. Të jesh i krishterë nuk do të thotë, në radhë të parë, t’i përkasësh një farë kulture, ose të pranosh një farë doktrine, por ta lidhësh jetën tënde, në të gjitha aspektet, me Vetjen e Jezusit e, përmes Tij, me Atin. Shpirti Shenjt na mëson gjithçka, ose më mirë të themi, gjënë më të domosdoshme: të duam, ashtu si do Zoti.

                                                        Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Vap 8, 5-8.14-17

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, Filipi zbriti në një qytet të Samarisë dhe filloi të predikojë Mesinë. Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte. E njëmend, prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të madh, shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë. Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.  Kur apostujt dëgjuan në Jerusalem se Samaria e kishte pranuar Fjalën e Hyjit i dërguan atje Pjetrin e Gjonin. Këta zbritën atje, u lutën për ta që ta merrnin Shpirtin Shenjt, sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjërin ndër ta; ata vetëm ishin pagëzuar në Emër të Jezusit Zot. Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin Shenjt. Fjala e Zotit.

Pslami 66

Ref: Veprat e Zotit janë të mëdha

——————————————–

Mbarë toka le t’i brohoritë Hyjit,
këndoni lavdisë së Emrit të tij,
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuani Hyjit: “Sa të mrekullueshme
janë veprat e tua!”

——————————————–

Le të të adhurojë mbarë toka e le të këndojë, 
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!
Ejani e shikoni veprat e Hyjit:
bëri mrekulli shtanguese
mes bijve të njerëzve!

——————————————–

Ai e shndërroi detin në terik,
këmbë e kaluan lumin:
për këtë galdojnë me gëzim.
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet.

——————————————–

Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin,
do t’ju tregoj çka i bëri shpirtit tim. 
Qoftë bekuar Hyji që s’ma hodhi poshtë lutjen time,
e nuk ma mohoi mëshirën e vet.

Leximi i dytë    1 Pjt 3, 15-18

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, adhuroni me shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin Zot! Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjigje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi dhe nderim të duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, shi në atë pikë, në të cilën juve ju shpifin, të mbesin të turpëruar. Përnjëmend është më mirë të hiqni keq – nëse është vullnesa e Hyjit – duke bërë mirë se duke bërë keq. E njëmend edhe Krishti një herë vdiq për mëkatet tona, i Drejti për të padrejtët, që t’ju shpiente te Hyji – njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit. Fjala e Zotit.

Aleluja: Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti. Ati im do ta duajë e tek ai do të banojmë. Aleluja

Ungjilli  Gjn 14, 15-21

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë: Shpirtin e së Vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh as nuk e njeh. Ju e njihni sepse Ai banon me ju e është në ju. Nuk do t’ju lë bonjakë; do të vij tek ju.  Edhe pak kohë e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni, sepse unë jetoj. Edhe ju do të jetoni. Atë ditë do ta kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju. Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do; dhe atë që më do mua, do ta duajë edhe Ati im, edhe unë do ta dua dhe do t’i dëftohem.”  Fjala e Zotit.

 

 

15 maj 2020, 14:28