Kërko

2020.03.15 BUON PASTORE 2020.03.15 BUON PASTORE 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të Pashkëve ‘A’

Në këtë të diele të Pashkëve, Jezu Krishti i Ngjallur na paraqitet me fytyrën e Bariut të mirë. Ky imazh shpreh dashurinë e Zotit ndaj nesh. Nëse Zoti është bariu ynë, ne jemi grigja e tij. Në librin biblik të Daljes (Dl 19,5) lexojmë: “Tani, nëse do të ma dëgjoni zëri tim e do ta ruani dhe mbani Besëlidhjen time, ndër të gjithë popujt, ju do të jeni për prona ime e veçantë”.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 4-të të Pashkëve, ciklit të parë sipas kalendarit kishtar.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të Pashkëve ‘A’

Ungjilli kësaj së diele na paraqet Jezusin si Bari i Mirë dhe si derë e vathës së deleve. Krishti, Bariu i Mirë, u bë dera e shëlbimit të njerëzimit, sepse dha jetën për shpëtimin e deleve të veta, na kujton Ungjilli.

Pse Jezusi quhet Bariu i Mirë? Kjo pyetje përsëritet çdo vit në këtë të diele tё Pashkёve, për t’u mrekulluar përsëri me këtë figurë që Jezusi Zot zgjodhi për vetveten, duke e rilexuar në dritën e mundimeve, vdekjes e ngjalljes së Tij. Vetëm kështu bëhet i qartë kuptimi i  shprehjes “Bariu i Mirë”.

Jezusi jep jetën, e ofron jetën si fli për gjithë ne: për mua, për ty, për të gjithë. E ky është bariu i mirë! Krishti është bariu i vërtetë. I vetmi bari i popullit, në kundërshtim të plotë me gjithë “barinjtë e rremë”.

Bariu i keq mendon për vetveten e i shfrytëzon delet, bariu i mirë mendon për delet e dhuron edhe vetveten për to. Ndryshe nga mercenari, Jezu Krishti bari është prijës i kujdesshëm, që e jeton jetën e grigjës, nuk kërkon interesin e vet, nuk ka tjetër dëshirë, veçse t’u prijë deleve të veta, t’i kullotë, t’i mbrojë. E gjithë kjo, me çmimin më të lartë, atë të flijimit të vetë jetës.

Jezusi, pra, është prijës, autoriteti i të cilit  shprehet përmes shërbimit, prijës që, për të komanduar, flijon jetën e vet, e nuk u kërkon të  tjerëve ta flijojnë për të. Një prijësi të tillë mund t’i besohet plotësisht. Delet e dinë mirëfilli se me Të shkohet kah kullotat barënjoma e, prej këndej, mjafton t’u bëjë një shenjë të vogël, për të vrapuar, të udhëhequra nga zëri i Atij, që e ndjejnë si prani mike, të fortë, të ëmbël, ngushëlluese e mjekuese. Kështu është Krishti për ne. Kjo ishte  përvoja e dishepujve të Emmaus, të cilëve u ndizej zemra zjarr, nësa e dëgjonin zërin e të Ngjallurit. Është përvoja e mrekullueshme, që provon njeriu, kur ndjen se Jezusi e do.

Ungjilli i kёsaj sё diele na kujton se për Jezu Krishtin – Bariun e Mirё ne nuk jemi kurrë të huaj, por miq e vëllezër, megjithatë, nuk është gjithnjë e lehtë ta dallojmë zërin e Bariut të Mirë. Duhet tё jemi tё vëmendshëm: mund të rrezikohemi e të habitemi pas zhurmës shurdhuese të një mori zërash të tjera. Sot jemi të ftuar të mos hutohemi nga dijet e rreme të kësaj bote, por ta ndjekim Jezusin, të Ngjallurin, si prijësin e vetëm të sigurt, që i jep kuptim jetës sonë.

Prej këndej, ftesa e Fjalës sё Zotit e kësaj sё diele tё Pashkёve për të kundruar në Jezusin, “bariun e mirë”, Provaninë e Hyjit, kujdesin e Tij atëror për secilin prej nesh. Përballë kësaj dashurie të Hyjit, ne shpresojmë një gëzim të pakufi e ndjejmë mirënjohje të thellë për gjithçka morëm krejtёsisht falas.

Por nuk mjafton të kundrosh e të falënderosh, sepse Bariu i Mirë. duhet ndjekur pas,  posaçërisht nga ata, të cilët kanë misionin e prijësve në Kishë, meshtarët, ipeshkvijtë, papët. Të gjithë në Kishë janë të thirrur të kenë mendësinë e shërbëtorit, jo të pronarit, duke i përngjarë Jezusit, që e zhveshi vetveten  dhe na shpëtoi, me mëshirën e Tij. Prej këndej,  Ditën Botërore të lutjes për thirrjet meshtarake, që kremtohet në këtë të diel, Kisha na fton të gjithëve të lutemi që Zoti të dërgojë barinj të mirë. Shembulli i Martirëve tё Kishës ndër shqiptarë, ngjalltë tek të gjithë ne dëshirën për ta dëshmuar me qëndresë Ungjillin e dashurisë.

                                                              Liturgjia e Fjalës 

Leximi i parë (Vap 2, 14.36-41)
Pjetri, duke u nisur nga Shkrimet e Shenjta, që të gjithë dëgjuesit i njihnin, shpjegon se si këto fjalë biblike janë realizuar në jetën, vdekjen dhe ngjalljen e Jezusit, i cili është Mesia i vërtetë i shumëpritur prej shekujsh. Në fund ai fton të pranishmit që të marrin një vendim të ri për jetën e tyre, duke pranuar pagëzimin në emër të Jezusit.

Lexim prej Veprave të Apostujve
Ditën e Rrëshajëve Pjetri bashkë me të njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha: “Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, mirë ta dini këtë gjë e me kujdes dëgjoni fjalët e mia! 
Le ta dijë, pra, pa farë dyshimi mbarë populli i Izraelit se mu këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyji e bëri Zotëri e Mesi.” 
Kur i dëgjuan këto fjalë, u tronditën në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve tjerë: “Çka duhet të bëjmë ne, o vëllezër?” 
Pjetri u dha përgjegj: “Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet e atëherë do ta merrni dhuratë – Shpirtin Shenjt. Sepse ky Premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata prej së largu, të gjithë ata që Zotëria, Hyji ynë, do t’i thërrasë.” 
Por edhe me shumë fjalë të tjera prore i përbente dhe i nxiste duke thënë: “Shpëtohuni nga kjo brezni e mbrapshtë!” Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan e kështu, atë ditë u kthyen rreth tri mijë vetë. Fjala e Zotit! 

 

Psalmi 23 (22)

Ref: Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon.
______________
Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta, 
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
______________

Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, 
s’trembem nga e keqja 
sepse ti je me mua: 
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
______________
Ti ma shtron tryezën përpara
Ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
______________
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
______________

Leximi i dytë (1 Pjt 2, 20-25)
Kush lufton me të vërtetë për drejtësinë dhe për të vërtetën nuk duhet të presë komplimente. Mëkati i botës është pikërisht ky: të refuzojë atë që bën të mirën. Nëse dikush zbulon një të keqe që mbahet e fshehtë, në mënyrë të paevitueshme e keqja, e goditur që në rrënjë, hakmerret dhe vret. Ky qe fati i Krishtit i parathënë nga profeti Isaia

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, çfarë lumturie veç se të ndëshkuar pse mëkatuat, jeni të durueshëm? Porse, është krejtësisht ndryshe, nëse, duke bërë mirë pësoni dhe me duresë i mbarni të vështirat: kjo është hir para Hyjit. Përnjëmend për këtë edhe qetë thirrur; sepse edhe Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tija: Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tija nuk u gjet gënjim, Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyerje dhe, i salvuar, nuk kërcënohej, por ia lëshonte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi. 
Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona, që, të vdekur për mëkate, të jetojmë për drejtësi: me vërragët e të cilit jeni shëruar. Ishit po, si delet e tretura, por tani u kthyet te Bariu e Rojësi i shpirtrave tuaj. Fjala e Zotit!

ALELUJA, Aleluja.
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: 
i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
Aleluja.

 

Ungjilli (Gjn 10, 1-10)
Populli i Izraelit priste një Mesi Bari, i cili do të kishte kuruar delen e plagosur. Jezusi është bariu i vërtetë, që hyn nga dera dhe delet e njohin. Jezusi është dera: për të gjetur shpëtim është e nevojshme të kalohet nëpërmjet tij, të dëgjohet, të besohet në fjalën e tij, të ndiqet.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi tha: “Për të vërtetë, për të vërtetë, po ju them: ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, por tjetërkah kërcen brenda, ai është vjedhës dhe cub. Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve. 
Atij derëtari i çel derën e delet e dëgjojnë zërin e tij. Ai i thërret delet e veta me emër dhe u prin përjashta. E kur i qet përjashta të gjitha delet e veta, u prin dhe delet i shkojnë mbas, sepse e njohin zërin e tij. Pas të huajit nuk do të shkojnë me siguri, por do të ikin, sepse nuk e njohin zërin e të huajit.” 
Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e morën vesh ç’deshi t’u thotë me të. 
Prandaj Jezusi u tha përsëri: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: unë jam dera e dhenve. Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës dhe cuba; porse delet nuk i dëgjuan. Unë jam dera: kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet: do të hyjë e do të dalë dhe do të gjejë kullosë. Vjedhësi s’vjen për tjetër, por për të vjedhur, për të prerë e për të bërë dëm. Unë erdha që delet ta kenë jetën e ta kenë me plotësi”. Fjala e Zotit!

01 maj 2020, 12:02