Kërko

Vatican News

Laudato sì, 42 institucione fetare tërheqin investimet në energjinë fosile

Java kushtuar kujdesit për Gjithësinë, në 5-vjetorin e botimit të enciklikës së Papës Françesku, “Laudato sì”, filloi me deklaratën e 42 institucioneve nga fe të ndryshme, që njoftuan tërheqjen e investimeve të tyre financiare për karburantet fosile.

R.SH. - Vatikan

Impenjim konkret, veprime me ndikim të madh politik dhe ekonomik, si edhe thellim në rrënjët shpirtërore të angazhimit në mbrojtje të Gjithësisë së krijuar nga Zoti. Kështu filloi “Java e Laudato Sì”, promovuar nga Dikasteri vatikanas për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, në prag të vitit kushtuar kujdesit për Gjithësinë, në 5-vjetorin e encilikës së Papës Françesku mbi ekologjinë e gjithanshme. 42 institucione nga tradita të ndryshme fetare - katolike, metodiste, anglikane dhe budiste - në 14 vende, njoftuan me një deklaratë të përbashkët, tërheqjen e tyre nga investimet në karburantet fosile.

Debati on-line mbi “Eko-përshpirtërinë”

          Por, jo vetëm ekonomi. Në internet, Lëvizja Globale Katolike për Klimën (GCCM) organizoi një debat mbi “Eko-përshpirtërinë: të thellojmë bashkimin me Gjithësinë”, për të reflektuar mbi bazat shpirtërore të impenjimit në mbrojtje të shtëpisë sonë të përbashkët. Relatorja kryesore ishte Mary Evelyn Tucker, bashkë-themeluese dhe drejtuese e Forumit të Yale për Fenë dhe Ekologjinë. Synimi i tij është “informimi dhe frymëzimi i njerëzve për të ruajtur, mbrojtur dhe përtërirë bashkësinë tokësore”. Dhuratat e shpirtit, shpjegojnë organizatorët, “janë vërtet të domosdoshme për të kapërcyer sfidat me të cilat përballemi e feja jonë është forca e shndërrimit” të botës.

Pas pandemisë, të rifillohet me më pak karbon

          Lëvizja Globale Katolike për Klimën (GCCM) është edhe promotore e fushatës së çinvestimit në lëndët djegëse fosile, e para, në të cilën marrin pjesë një numër kaq i madh organizatash fetare, që u kërkojnë qeverive të mbarë botës “të mendojnë me afate të gjata” e, pas pandemisë së koronavirusit, të rifillohen veprimtari, të cilat shkaktojnë emetim të ulët karboni.

Videoja e fushatës për çinvestimin nga karburantet fosile

Firmat për nxjerrjen e naftës nuk respektojnë Marrëveshjen e Parisit

“Ajo e kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët - denoncon Lëvizja në një komunikatë - është temë që emergjenca shëndetësore dhe ajo ekonomike e shoqërore në horizont, ka mundësi ta lërë në plan të dytë, ndërsa vazhdon të mos respektohet Marrëveshja e Parisit”. Kjo konfirmohet nga një raport i fundit i ojq-së britanike të krishterë, Operacioni Noe, që vë gishtin sidomos mbi firmat e mëdha shumëkombëshe të nxjerrjes së naftës.

Investime në firma, që respektojnë ambientin e drejtësinë

          E bashkësitë fetare reagojnë. Vetëm muajin e kaluar, kujton Lëvizja GCCM, “21 organizata katolike, me një bilanc aktiv të përgjithshëm prej 40 miliardë dollarësh, janë zotuar të investojnë në kompani, që kanë nënshkruar “Catholic Impact Investing Pledge”, pra, janë impenjuar të respektojnë mësimet shoqërore të Kishës për mbrojtjen e ambientit dhe për drejtësinë shoqërore në planet e tyre të investimeve”.

Pas Covid-19, nevojitet një stil i ri jetese

          Nisma e re ndërfetare inkurajon qeveritë e gjithë botës të promovojnë politika, që shkojnë në këtë drejtim. Siç nënvizon Rowan Williams, ish-primat i Kishës Anglikane, “kriza e tanishme shëndetësore ka theksuar më shumë se kurrë nevojën për veprime ndërkombëtare koherente, përballë këtij kërcënimi global”. E këtu, përfshihet edhe “marrja e masave praktike dhe frytdhënëse për ta zvogëluar varësinë tonë vdekjeprurëse nga karburantet fosile”. Lëvizja për tërheqjen e investimeve nga lëndët djegëse fosile filloi në universitetet amerikane e, më pas, u bë lëvizje globale me protagonistë fetarë dhe jo-fetarë, laikë, universitete dhe fondacione. Lëvizja Globale Katolike për Klimën e ndjek këtë fushatë për bashkësinë katolike, që nga viti 2016.

20 maj 2020, 13:19