Bazilika e Varrit të Krishtit në Jeruzalem Bazilika e Varrit të Krishtit në Jeruzalem 

Jeruzalem: rihapet për besimtarët Bazilika e Varrit të Krishtit

Tejet prekëse, të rikthehesh, të marrësh Eukaristinë e të mblidhesh së bashku, për të dëgjuar Fjalën e Zotit: besimtarët e Tokës Shenjte i kapërcyen përsëri portat e Varrit Shenjt e të kishave të tjera. Rojtari i Tokës Shenjte pohon: përpiqemi të rikthehemi me ngadalë e me shumë kujdes në normalitet, pa u mbyllur në vetvete, nga frika, që paralizon.

R. SH. - Vatikan

Nuk ka shtegtarë, sepse pandemia i bllokoi nisjet nga vendet më bujare, si SHBA-të, Spanja, Italia e Polonia, por besimtarët vendas mundën, këtë të diel, në Solemnitetin e të Ngjiturit të Krishtit në qiell, ta kapërcenin  pragun e Bazilikës së Varrit të Shenjtë, në Jeruzalem, mbyllur prej dy muajsh, gjë që nuk ka ndodhur asnjë herë, që nga shekulli XIV.

Jeruzalem: rihapet për besimtarët Bazilika e Varrit të Krishtit

Vendvarrsoja e Jezusit pas zbritjes nga Kryqi u hap, pra, ndonëse me numër të kufizuar besimtarësh e me përdorimin e detyruar të maskave e kontrollet e vazhdueshme të distancave të sigurisë. Por këto masa nuk e frenuan aspak emocionin e besimtarëve, të prekur deri në lot që, duke u rrjedhur nga sytë, lagnin maskat, si të donin të tregonin se nuk ka sëmundje as maskë, që e ndan besimtarin nga Zoti i vet. Këtë tregon, para mikrofonit tonë atë Francesco Patton, rojtar i Tokës Shenjte. Liturgjitë brenda Bazilikës, ndonëse me porta të mbyllura, vijuan rregullisht edhe gjatë masave të ndalimit, falë murgjërve dhe fretërve, që banojnë në kompleksin e brendshëm, madje duhet theksuar se vijuan me një devocion gjithnjë në rritje. Deri te hapja - kujton Atë Paton, në intervistën dhënë Radio Vatikanit:

“Është hapje për një numër ende të kufizuar, deri në 50 vetë  e duhet të jetë edhe nën kontroll të vazhdueshëm, me drejtuesit e bashkësive të ndryshme,  që i kontrollojnë besimtarët e tyre. Pra mund ta quajmë “hapje në progres”. Por gjithsesi, është hap shumë i rëndësishëm. Tani edhe Varri Shenjt, pas një heshtjeje tepër të gjatë, hyri në fazën “e konvaleshencës”, domethënë drejt shërimit të plotë”.

E dimë se shtegtarët nuk duken akoma në Viset e Shenjta…

“Duhet të presim  deri në fund të verës, për t’i parë rishtas shtegtarët nga disa vende e, fillimin e vitit të ardhshëm, nga vendet më të rëndësishme për numër shtegtarësh, sepse janë vendet më të prekura nga sëmundja: në radhë të parë, SHBA-të, më pas Italia, Spanja e Polonia. Sa për vendasit, shenjtëroret mbetën të hapura edhe gjatë kësaj periudhe të vështirë! Nazareti nuk u mbyll asnjë herë, natyrisht me të gjitha përkujdesjet, por deshëm të japim një mesazh, që të tregonte se ‘Kisha nuk i mbyll kurrë portat, se vijon të jetë vend lutjeje!’”.

25 maj 2020, 13:53