Kërko

Vatican News
 Kardinali Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut Kardinali Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut 

Hollerich: të luftojmë virusin e Covid, të nacionalizmit e të egoizmit

Me rastin e 70-vjetorit të Deklaratës së Schuman, në Ditën e Evropës, Jean-Claude Hollerich, kryetar i COMECE ripohon nevojën për krijimin e një rrjeti të madh solidariteti, për ta mundur pandeminë, për të siguruar paqen e për të mos i tradhtuar vlerat, që themeluan Kontinentin e Vjetër.

R. SH. - Vatikan

Shtatëdhjetë vjet pasi ministri i jashtëm francez Robert Schuman i dha shtytjen e parë ndërtimit të një projekti evropian, kryeipeshkvi i Luksemburgut dhe kryetar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE), kardinali Jean-Claude Hollerich, do të jetë në Schengen, qytet ku, më 1985, u nënshkrua marrëveshja që rregullonte hapjen e kufijve ndërmjet vendeve nënshkruese. Shenjë e rëndësishme për të pohuar nevojën e solidaritetit, të unitetit, të paqes, në këtë kohë, kur pandemia e Covid-19 po e fshikullon botën. “Kemi nevojë për një virus tjetër, virusin e solidaritetit e të bamirësisë - pohon Hirësia e Tij në mediat e Vatikanit - për të kuptuar se njeriu nuk jeton i vetëm e se ne mund të jemi njerëzorë 'vetëm së bashku me të tjerët'”.

Festa e Evropës kremtohet në paqe e unitet. Të shumta, thirrjet dhe urimet, që ky Kontinent të rikthehet tek shpirti i Etërve themelues, të dijë të rizbulojë rrënjët e veta të krishtera. Duke kujtuar fjalët e Papës:  si përditësohet  ideja e Evropës?

“Mendoj se është një çast mirënjohjeje, sepse falë Bashkimit Evropian  patëm paqen. Dje u kujtua 75-vjetori i fundit të regjimit nazist: e mund të themi se kemi përparuar shumë. Por duhet mbajtur kjo frymë, e prandaj edhe duhet të rikthehemi tek frymëzimi i Etërve themelues. Mendoj për Schuman, për Adenauerin, De Gasperin, burra të gatshëm për pajtim, njerëz, që nuk e shikonin botën bardh-e-zi, por me të gjitha sfumaturat e së bardhës e të së zezës. Ishin burra shteti të angazhuar për Paqen dhe unitetin, bazuar mbi fenë e tyre të krishterë. E Papa është pakëz ndërgjegjja e Evropës: mendoj se është kënaqësi e madhe për të gjithë evropianët të shikojnë sesi Papa i ardhur nga larg - siç shprehet ai vetë - e kupton Evropën, e kupton thellësisht idealin evropian, solidaritetin. E solidariteti nuk ndalohet në kufijtë e Evropës. Kemi probleme me kufijtë:  kufijtë në Evropë e kufijtë e Bashkimit Evropian me vendet e tjera. Ka njerëz, që vdesin në kufijtë e Bashkimit Evropian e ne nuk mund ta lejojmë këtë”.

Në këtë periudhë dramatike për shkak të Covid-19, ju i keni bërë disa herë thirrje Evropës që të jetë plotësisht solidare me vendet e prekura nga pandemia. Është mirëpritur thirrja juaj? Ç’gjë duhet vënë së pari në jetë?

“Besoj se është mirëpritur. E jo sepse e bëra unë, por sepse njerëzit janë të bindur për idealet e Bashkimit Evropian. Por duhet thënë se një plagë mbetet: diskutimet e mëdha, para se të arrihet kompromisi, në një farë mënyre janë normale në politikë; por në çastet kur pjesa më e madhe e Evropës vuan - të mendojmë vetëm për njerëzit e vdekur në Itali, Spanjë Francë….ishte një masakër e vërtetë! - atëherë duhen dhënë sinjale të forta, me empati. E jo vetëm rrugëzgjidhje teorike: ndihmat duhet të arrijnë shpejt e shpejt, përndryshe njerëzit e humbasin besimin në Evropën”.

Papa fton për guxim e kërkon “përfytyrim të ri”, për zhvillimin e “antikorpeve të solidaritetit, të afta për krijimin e situatave afatgjata, jo të përkohshme. A ka mundësi reale për këtë, në një kohë kaq të vështirë?

“Po, dhe e mendoj me të vërtetë, sepse ne u bëmë përsëri të vetëdijshëm  për brishtësinë e njeriut, brishtësinë e shoqërive tona. E nga brishtësia mund të priten dy reagime: të mbyllesh në vetvete, të kesh frikë, e t’i mbyllësh edhe shoqëritë tona, vendet tona. Një reagim tjetër - e këtu kemi nevojë për një virus tjetër, virusin e solidaritetit e të bamirësisë - për ta kuptuar se njeriu nuk jeton i vetëm, se ka nevojë për një rrjet të madh solidariteti, sepse ne mund të jemi njerëz vetëm së bashku me të tjerët. Kemi nevojë për të tjerët, që të mund të realizojmë  humanizmin tonë  e të vëmë në jetë thirrjen, që na bën Zoti!”.

Cili është mesazhi, sfida e Kishës në Evropë?

“Duhet pasur më shumë solidaritet e më shumë empati; duhet të jemi nga ana e të varfërve; duhet të kemi një realizëm të bazuar mbi idenë e Evropës, e kjo ide nuk mund të mendohet pa solidaritet, pa paqe. Të gjitha vizionet e tjera të Evropës, do t’i kundërviheshin idesë së Etërve themelues. E është tejet e rëndësishme t’i tregosh botës se shoqëria njerëzore mund të jetë solidare, se kjo krizë globale, kjo pandemi mund të luftohet vetëm në nivel botëror e se Bashkimi Evropian është mjet për paqen në botë. Prandaj, ta luftojmë virusin e Covid, e ta luftojmë edhe virusin e nacionalizmit e atë të egoizmit!”.

09 maj 2020, 12:44