Shkolla-3.jpg

“Gofundme”: të ndihmojmë shkollën “Cor Jesu” në Shkodër. Flet motër Angjelina Gilaj

Të ndihmojmë shkollën katolike "Cor Jesu" të motrave Apostulle të Zemrës së Krishtit, që shërbejnë në një nga lagjet më të varfëra të Shkodrës. Të dëgjojmë thirrjen e drejtoreshës së shkollës 9-vjeçare, motër Angjelina Gilaj.

R.SH. - Vatikan 

 “Të dashur miq, ‘edukimi është vepër dashurie’”: kështu fillon një kërkesë e botuar në “gofundme”, faqe e njohur interneti, që shërben për të mbledhur fonde për projekte të caktuara. Kësaj radhe, projekti është një shkollë katolike në një nga lagjet më të varfëra të Shkodrës, të cilën duan ta ndihmojnë, në bashkëpunim me kryedioqezën metropolite e me bariun e saj, imzot Angelo Massafra, Klodiana Çuka, kryetare e shoqatës “Integra onlus” me bazë në Leçe të Italisë, e ndihmuar nga një skuadër bashkëpunëtorësh. Fushata e hapur në “gofundme” (linkun e së cilës e gjeni këtu: https://www.gofundme.com/f/salva-la-scuola-cor-jesu-dalla-chiusura?utm_source=whatsapp-visit&utm_medium=chat&utm_campaign=p_cp+share-sheet) ka gjetur mbështetje edhe në Australi (https://www.gofundme.com/f/vj6jy6-save-the-cor-jesu-school-from-closing?utm_source=facebook&utm_medium=social&utm_campaign=p_cf+share-flow-1&fbclid=IwAR1GGqk-9p5XbqCb-kRMhK-WNog74AsKhbDhrUNHxJdpZ3Ju9dVdT2es9Ws) me synimin ambicioz për të mbledhur një shumë prej së paku 100 mijë eurosh për të shpëtuar nga mbyllja shkollën 9-vjeçare të motrave Apostulle të Zemrës së Krishtit. E arsyet, që i nxisin organizatorët e fushatës për këtë, janë më se të qarta.

Fëmijët e shkollës "Cor Jesu"
Fëmijët e shkollës "Cor Jesu"

Shkolla, në një zonë me familje të reja, me fe të ndryshme

“Shkolla e bukur ‘Cor Jesu’ lindi në vitin 1999 – shpjegohet në faqen e ‘gofundme’. – Ndodhet në një zonë periferike të qytetit të Shkodrës, në veri të Shqipërisë, ku jetojnë në paqe e harmoni mijëra familje me fe të ndryshme. Jo të gjitha familjet e reja janë në gjendje të paguajnë këstin e shkollës, por gjithsesi, për fëmijët e tyre, parapëlqejnë ‘shkollën e murgeshave’, duke e ditur cilësinë e formimit të Institutit të Motrave Apostulle të Zemrës së Krishtit, të cilat hapin krahët për të gjithë fëmijët që duan të studiojnë, duke u siguruar një nivel të lartë arsimimi”.

Kryeipeshkvi, imzot Angelo Massafra, me fëmijët e shkollës "Cor Jesu"
Kryeipeshkvi, imzot Angelo Massafra, me fëmijët e shkollës "Cor Jesu"

Shumë vite me bilanc negativ

         “Pas shumë vitesh me bilanc negativ, shkolla ka rrezik të mbyllet, duke lënë në shtëpi 231 fëmijë. Një realitet i tillë – vijon më tej mesazhi – jashtëzakonisht i dobishëm, cilësor dhe i rëndësishëm për qytetin e Shkodrës, nuk mund të mbyllet! Fondet, që do të mblidhen, shërbejnë për të paguar personelin docent e shkollor, shpenzimet e administrimit të shkollës dhe materialin mësimor për nxënësit. Mbledhja e fondeve nevojitet për të filluar vitin e ri shkollor, në shtator 2020. Të gjithë donatorëve do t’u dërgohen falënderime të personalizuara e ata do të njoftohen mbi mbarëvajtjen e vitit shkollor e mbi rezultatet e arritura nga nxënësit, përmes një newsletter periodike”.

         Ne u lidhëm telefonikisht me drejtoreshën e shkollës “Cor Jesu”, motër Angjelina Gilajn. Duke i kujtuar kujt dëshiron të kontribuojë në shpëtimin e shkollës, se dhuarata e tij/saj përmes internetit mund të jetë edhe kostoja e diçkaje krejt të vogël, si ajo e një kafeje, po transmetojmë thirrjen e motër Angjelinës për donatorët e për të gjithë njerëzit vullnetmirë.

Dëgjo motër Angjelina Gilajn...

Përshëndetje!

Jam motër Angjelina Gilaj, drejtoreshë e shkollës “Cor Jesu”.

Kjo shkollë është hapur në vitin 1999 dhe ndodhet në periferi të qytetit të Shkodrës, në lagjen “ Mark Lula”. Falë mbështetjes së Institutit  “Apostullet e Zemrës së Shenjtë të Jezusit” dhe disa bamirësve, kjo shkollë ka funksionuar jashtëzakonisht mirë nga ana edukative dhe mësimore, pra, thënë me fjalë të tjera, ia vlen shumë që të vazhdojë përpara. Nxënësit që frekuentojnë shkollën tonë vijnë nga kjo lagje si dhe nga fshatrat përreth: Bardhaj, Stajkë, Juban, Vau i Dejës etj. Gjendja ekonomike e këtyre familjeve është mjaft e vështirë për arsye të papunsisë. Si pasojë, kontributi i familjeve për shkollën mbulon vetëm një të tretën e shpenzimeve që nevojiten per pagesa të personelit, stafit, materialeve didaktike mësimore, etj.. Kohët e fundit, Instituti ynë e ka të pamundur të mbulojë gjithë këtë shpenzim, pra 2/3 e tij. Për këtë arsye, nëse nuk mbështetemi tek njerëzit vullnetmirë dhe me ideale të mëdha për dijen e kulturën, do të detyrohemi ta mbyllim këtë shkollë herët a vonë. Kjo do të ishte një keqardhje e papërshkrueshme për mua si drejtoreshë e kësaj shkolle, për bashkësinë tonë, prindërit, nxënësit dhe krejt stafin pedagogjik që ka punuar me përkushtim të madh gjatë këtyre 21 viteve.

05 maj 2020, 14:22