Kërko

Dom Gjovalin Simoni Dom Gjovalin Simoni 

Dom Gjovalin Simoni: marrëdhënia e bashkёpunimi me Bariun e mirë, Jezusin

Liturgjia e kësaj të diele është e pasur e na ndihmon që të bëjmë një shqyrtim të jetës sonë, qoftë si pjesë e grigjës së Zotit, qoftë edhe si bashkëpunëtor të Bariut të mirë, pohon dom Gjovalin Simoni, nd homelinë e tij kushtuar të Dielёs së IV të Pashkëve kushtuar Jezusit Bariut të Mirë, duke u ndalur te: Bariu i mirë na e dëgjon zërin. Dëgjimi. Bariu i mirë na njeh dhe na do. Njohja si dashuri dhe Bariu i mirë na prin dhe na mbron. Premtimi e rreziku.

R.SH. - Vatikan

Dom Gjovalin Simoni, famullitar i komunitetit kishtar tё Dajç B/Bunës, kryedioqeza e Shkodёr-Pultit, na ofron njё meditim mbi liturgjinё e Fjalёs sё Zotit tё kёsaj sё diele tё 4-tё tё kohёs liturgjike tё Pashkёve, e cila quhet e Diela e Bariut tё Mirё.

Liturgjia e Fjalёs sё Zotit e nё mёnyrё tё veçantë Ungjilli nga Gjoni, na flet për figurën e Bariut të Mirë, ёshtё një pjesё Ungjilli me densitet të madh teologjik. Jezusi flet për vete si për Bariun e Mirë që u jep jetën e amshuar deleve të tij… Ai i njeh delet dhe delet e njohin atë, ashtu si edhe Ati e njeh Atë e Ai e njeh Atin Qiellor. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një njohje intelektuale, por me një marrëdhënie personale të thellë; një njohje zemrash, karakteristike e atij që do dhe duhet; e atij që është besnik dhe e di se mund t’i besojë pastaj dikujt; një njohje dashurie në sajë të së cilës Bariu (Jezusi) i fton të vetët ta ndjekin, dhe që shfaqet plotësisht në dhuratën e jetës së amshuar që u bën atyre. Pikërisht kёtё tё Diele tё IV tё Pashkёve, Kisha Katolike në mbarë botën kremton Ditën kushtuar Thirrjeve për meshtarë e rregulltarë, pёr t’i kërkuar Zotit të vreshtit, që të vazhdojë të thërrasë meshtarë të shumtë e të shenjtë, që i kushtohen krejtësisht shërbimit të popullit të krishterë.

Duke komentuar leximet biblike tё kёsaj sё diele nga Vap 13,14. 43-52/ Ps 99/ Zb 7, 9. 14-17/ Gjn 10, 27-30, dom Gjovalin Simoni nё homelinё e tij ndalet te shqyrtimi i marrëdhënies sonë me Bariun e mirë, Jezusin dhe te mënyra jonë e bashkëpunimit me Të e nёnvizon se “ gjatë  historisë së shëlbimit, iniciativa për ta shëlbuar njeriun ka qenë e Zotit. Gjithmonë Zoti e ka ba hapin e parë drejt njeriut. Kjo edhe në dashuri. Zoti na ka dashur i pari dhe nga kjo dashuri edhe ne kemi mësuar të duam. Edhe në Ungjillin e kёsaj sё diele nga Gjoni, qё flet pёr Bariun e mirë, pohon dom Gjovalini, është pikërisht Ai, Bariu i mirë që na kërkon, na do, na gjen dhe na mbart mbi supet e Tija.  

Liturgjia e dielës së IV e Kohës së Pashkëve është shumë e pasur dhe e bukur. Kjo e diele quhet ndryshe edhe e diela e “Bariut të mirë”, që i është bashkangjitur pastaj edhe e diela e Thirrjeve.

Liturgjia e kësaj të diele është shumë e pasur dhe me siguri na ndihmon që të bëjmë edhe një shqyrtim të jetës sonë, qoftë si pjesë e grigjës së Zotit, qoftë edhe si bashkëpunëtor të Bariut të mirë, pohon dom Gjovalin Simoni, po tё ndjekim homelinё e tij kushtuar tё Dielёs sё IV tё Pashkёve    kushtuar Jezusit Bariut tё Mirё, duke u ndalur  te: Bariu i mirë na e dëgjon zërin. Dëgjimi.  Bariu i mirë na njeh dhe na do. Njohja si dashuri dhe  Bariu i mirë na prin dhe na mbron. Premtimi e rreziku.                                  

Dom Gjovalin SimonE Diela e IV e Pashkëve – Bariu i Mirë

(Vap 13,14. 43-52/ Ps 99/ Zb 7, 9. 14-17/ Gjn 10, 27-30)

Kolekta: O Hyj i Gjithëpushtetshëm dhe i mëshirshëm, na prij drejt lumnisë së amshuar; në mënyrë që grigja e jote edhe pse e  vogël (e ligshtë) dhe e përvuajtje të mbërrijë e sigurt pranë Teje, ku i ka paraprirë Krishti, Bariu i vet. Ai është Zot e jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen!

Liturgjia e dielës së IV e Kohës së Pashkëve është shumë e pasur dhe e bukur. Kjo e diele quhet ndryshe edhe e diela e “Bariut të mirë”, që i është bashkangjitur pastaj edhe e diela e Thirrjeve. Është me vend të jetë edhe e diela e Thirrjeve sepse më shumë se askund na paraqitet një Bari që thërret, jo vetëm të zgjedhurit në minister, por thërret pikësëpari të gjithë njerëzit në shëlbim, në shenjtëri. Kjo është thirrja kryesore e çdo njeriu. Të jetë i shenjtë!

Liturgjia e kësaj të diele është shumë e pasur dhe me siguri na ndihmon që të bëjmë edhe një shqyrtim të jetës sonë, qoftë si pjesë e grigjës së Zotit, qoftë edhe si bashkëpunëtor të Bariut të mirë. Që në fillim duhet ta heqim iluzionin se jemi ne “Barinj”, sepse shpesh herë gjatë rrugës edhe mund të ngatërrohemi. Ne jemi vetëm bashkëpunëtorë ose siç na quan shën Pali: mbarështues.  Dëshiroj të ndalem pikësëpari në shqyrtimin e marrëdhënies sonë me Bariun e mirë, për të parë pastaj edhe mënyrën tonë të bashkëpunuarit me Të. Shpesh herë na kap rreziku i gjykimeve morale se si ne nuk jemi si Bariu i mirë, pa e ditur në fakt se ndoshta nuk e kemi medituar dhe nuk e kemi njohur kurrë frymën dhe dashurinë e Tij që ka për ne.

Le të shohim tani disa pika reflektuese që na vijnë nga pjesa e Ungjillit të Dielës që në fakt janë vetëm tre rreshta por shumë të ngjeshur.

Në atë kohë Jezusi tha: 27 “Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim; unë i njoh dhe ato vijnë pas meje. 28 Unë u jap jetën e pasosur, kurrë nuk do të sharrojnë: askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime. 29 Ati im që m’i dha, është më i madh se të gjithë dhe askush s’mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit. 30 Unë dhe Ati jemi një.”

 

1.  Bariu i mirë na e dëgjon zërin. Dëgjimi. 

Jezusi e fillon këtë fjalim duke shprehur se ne jemi të dëgjueshëm; dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim.  A e dëgjojmë me të vërtetë ne Zotin? A jemi të dëgjueshëm ndaj Tij? D.m.th: a jemi të gatshëm të bëjmë vullnetin e Zotit?

Dëgjimi është një ndër perceptimet ose shqisat kryesore që lind me njeriun; bile edhe më përpara që në kraharor. Njeriu dëgjon zhurmat e zemrës së nënës, dëgjon vajin e saj, dëgjon të qeshurat. Dëgjon zhurmat, ankthet e problemet që janë rreth e rrotull në ambientin ku ngjizet. Pastaj, njeriu formon edhe identitetin e vet, intelektin e vet dhe njohuritë e veta në bazë të dëgjimit, që pastaj bëhet mësim për të. Por njeriu nuk dëgjon vetëm me veshë, me kalimin e kohës mëson të dëgjojë edhe me zemër, fillon të dëgjojë edhe atë që nuk flitet madje; fillon të formojë një botë shpirtërore të “të ndierit”, që është shumë më e thellë se dëgjimi akustik apo thjeshtë dëgjimi i një zhurme. Ndoshta Jezusi e ka fjalën për këtë tip dëgjimit: që ne duke qenë krijesë e Tija, e dalë nga Ai, e “ndiejmë” kudo që të jemi, zërin e Zotit, sikurse fëmija e mbanë në zemër zërin melodioz të nënës së vet.

Por, kur njeriu e humb familjaritetin me Zotin, jo më kot thuhet se bëhet i padëgjueshëm; “...o sikur populli im ta dëgjonte zërin tim!.. ky mosdëgjim e ftohë njeriun e largon nga Bariu i vërtetë dhe gënjehet pas zërave të rrejshëm, d.m.th kështu humb drejtimin, shenjën dhe ky është mëkati; kur njeriu gabon shenjën, drejtimin. “Prej Bariut të mirë u ndava kot, mbasi me të mira Ai më rriti plot”- thotë kënga e vjetër e kohës së kreshmëve.

Edhe marrëdhënie ose komunikimi ynë me Zotin në lutje ndikohet nga kjo mënyrë e të dëgjuarit. Shpesh herë lutjet tona janë monolog, ose siç thotë populli; flasim me vete. Kjo jo sepse nuk është i pranishëm Zoti, por ne nuk i flasim Atij, nuk flasim me Të; por flasim me vete, i flasim vetës. Flasim ato gjëra që duam të dëgjojmë, që shpesh herë nuk janë e vërteta e thellë e jetës sonë. Rrejmë vetën duke menduar se po rrejmë Zotin. Disa të vërteta që Zoti dëshiron të na i thotë nuk na pëlqejnë dhe i seleksionojmë. Ndoshta janë edhe fjalë të forta dashurie që Zoti dëshiron të na i shpreh, por nuk jemi mësuar që të ndihemi të dashur dhe nuk duam t’i dëgjojmë as nga Zoti! A e dëgjoj të vërtetën e Zotit mbi mua? Apo dëgjoj çfarë unë dëshiroj mbi veten time dhe e citoj sikur të ishte fjalë e Zotit? Për këtë kemi nevojë për njerëz, atë shpirtëror që na rrinë pranë që na e filtrojnë këtë zë. Sepse armiku nuk bën që tjetër veçse “zhurmuesin”, ose çka është më keq, shtrembëruesin e lajmit, deformuesin; në mënyrë që lajmi të jetë “Fake News”, lajmë i rremë për ne, jo e vërteta e jetës sonë. Këtu lindin edhe thashethemet, mbi njëri-tjetrin, mbi Kishën, njollosim vetën dhe të tjerët.

Kjo është fusha argëtuese ku armiku hedh valle në mesin tonë. Ne gjendemi përballë akuzuesit që na fryn në vesh me lajme të rreme, ose që dëshiron vetëm të na akuzojë, ne dhe të tjerët. Dhe nga ana tjetër kemi edhe Avokatin (Krishtin), i cili pa prà flet mirë dhe na mbron përpara Atit. Ai flet të vërtetën mbi ne, që jemi të Tijtë dhe që i kemi kushtuar Gjakun e derdhur mbi kryq. Le ta dëgjojmë zërin e vërtetë të Bariut tonë, që për të na shpëtuar ne, dhuron veten e vet në vendin tonë, vdes në kryq në mënyrë që ne të jetojmë. Kjo është “Kerygma” e Pashkëve, Lajmi i Mirë i Ungjillit për Kishën dhe jetën e çdo njeriu që beson në Krishtin: që Zoti na do personalisht, me emër!

Edhe në marrëdhëniet tona shoqërore, nuk arrijmë ta dëgjojmë njëri tjetrin, sepse para se tjetri të flasë ne kemi krijuar idenë se çfarë do të thotë: pra lind në ne para-gjykimi= gjykojmë ose vlerësojmë para kohe; pra, pa e dëgjuar deri në fund tjetrin se çfarë dëshiron të na thotë. Kemi vështirësi në komunikimet tona sepse nuk dimë të dëgjojmë tjetrin. Nuk dëgjohet vetëm tingulli i fjalës; kjo është e çdo gjallese, por ne duhet të dëgjojmë me veshët e zemrës dhe me të vërtetën e arsyes sonë. Duhet të jemi objektiv dhe të drejtë. Fyodor Dostoevsky thoshte: “Mbi të gjitha, mos e gënje veten. Njeriu që e gënjen veten dhe i dëgjon gënjeshtrat e veta, vjen një pikë që nuk mund ta dallojë të vërtetën brenda vetes, ose përreth vetës dhe kështu e humb të gjithë respektin për veten dhe të tjerët. Duke mos pasur respekt ai pushon së dashuruari”.

Si pasojë e keqdëgjimit lindin konfliktet, paragjykimet, “luftërat e ftohta”, thashethemet, përçarjet. Nënë Tereza thoshte se nuk ka paqe, sepse kemi harruar se i përkasim njëri-tjetrit. Pra nuk e “ndiejmë” më njëri-tjetrin. Jemi të huaj për njëri-tjetrin. Edhe Shën Gjon Pali II thoshte: “duaj dhe mos pretendo; fol, por mos fyej; dëgjo, duke mos gjykuar!” Vetë zëri i Zotin në ne dhe në veshët e zemrës sonë e kthjellon dëgjimin tonë, na bën që të ndjekim zërin e së Vërtetës që na udhëheq në kullotat e amshueshme (Ps 23). Në këtë mënyrë do ta pranojmë njëri-tjetrin si pjesë e grigjës së Krishtit, i cili na do të gjithëve në mbretërinë e Atit të vet. “Prej humnerës klitha te ti, o Zot, /o Zot, dëgjoje britmën time!/Le ta dëgjojnë veshët e tu, zërin e lutjes sime.” (Ps 129)

2.   Bariu i mirë na njeh dhe na do. Njohja si dashuri.

 Fjalimi i Jezusit vazhdon duke na zhytyr në një shkallë më të thellë të marrëdhënies me Të; që është pikërisht –“njohja” si “dashuri” personale e tija, prandaj thotë: “unë i njoh”! Siç e dimë etimologjia e fjalës “njohje” në hebraisht (Yada) është e lidhur ngusht me fjalën “me dashtë”. Pra, nënkuptohet dashuria e zemrës dhe e mendjes. Në fakt, nuk mund ta duash dikë, nëse përpara nuk e ke njohur. Pra, në Bibël “njohja” e Zotit është dashuri. Zoti na do sepse na ka paramenduar, pra na ka njohur para se të lindnim. Bariu i mirë na njeh mirë jo vetëm ngjyrën e zërit tonë, timbrin por mbi të gjitha na njeh thellësitë e zemrës. Na njeh dhe i do dëshirat e mira të zemrës sonë për të. “O Zot, ti më shqyrton e më njeh, ti di kur rri e kur ngrihem, prej së largu i njeh mendimet e mia. Si në shtegtoj si në pushojë, ti më vëren, ti i di të gjitha udhët e mia”. (Ps.138)

  Gjatë  historisë së shëlbimit, ka qenë iniciativa e Zotit për ta shëlbuar njeriun. Gjithmonë Zoti e ka ba hapin e parë drejt njeriut. Kjo edhe në dashuri. Zoti na ka dashur i pari dhe nga kjo dashuri edhe ne kemi mësuar të duam. Dhe kjo dashuri e Zotit bëhet edhe caku ose modeli i dashurisë sonë. Prandaj, ne duam sepse Zoti na ka dashur i pari (krh. Rm 5,5). Edhe në pjesën e Ungjillit tonë, të Bariut të mirë; është pikërisht Ai, Bariu i mirë që na kërkon, na do, na gjen dhe na mbart mbi supet e Tija. Dashuria e pamasë e Bariut të mirë bëhet për ne shkollë dashurie. Prandaj, aftësia jonë me dashtë na vjen nga dashuria që kemi marr nga Zoti; ose e thënë ndryshe ne duam në atë masë në të cilën ndihemi të dashur nga Zoti. Atë dashuri që kam marr nga Bariu i mirë atë edhe ua tregoj të tjerëve në shërbesën time si meshtarë ose si bashkëpunëtorë i Zotit.

  Prandaj sekreti i shërbimit në dashuri dhe i dashurisë që të nxit në shërbim qëndron në lidhjen e ngushtë ndërpersonale mes nesh dhe Zotit. Ky ishte besoj edhe sekreti i dashurisë së Krishtit; madje Ai e thotë edhe haptas në këtë pjesë të ungjillit: “Unë dhe Ati jemi një”. Duke u nisur nga kjo lidhje me Krishtin, ndihmohemi edhe ne të hyjmë në marrëdhënie me Atin, ashtu siç ishte në marrëdhënie edhe Jezusi me Të. Ky ishte edhe sekreti i jetës së Krishtit i cili ka përballuar çdo situatë dhe çdo vështirësi deri në braktisjen totale në duart e Atit edhe në kryq. Lutja meshtarake e Ungjillit të Gjonit të kapitullit 17 tregon më së miri këtë lidhje të ngushtë mes tyre. E gjithë kjo na bën edhe neve të hyjmë në të njëjtën lidhje me Atin nëpërmjet Krishtit. Në të shihet qartë lidhja e ngushtë e Krishtit me Atin në fillim, gjatë e ne fund të misionit të tij. Besoj se kjo është limfa edhe për jetën tonë meshtarake e rregulltare. Njerëzit në fund të fundit na kërkojnë për këtë arsye, sepse presin nga ne diçka që bota nuk mund t’iu japë; forcën prej qiellit. E kjo marrëdhënie me Atin nëpërmjet Krishtit, Bariut të mirë gjallërohet vetëm nëpërmjet lutjes dhe shërbimit në emër të Tij. Do të arrimë ta duam grigjën që na është besuar, vetëm në masën dhe në cilësinë e të ndjerit të dashur nga Bariu i mirë; në të kundërt do të jemi fatëkeqësisht mercenar, shfrytëzues të postit, të së shenjtës dhe mbi të gjitha të “deleve” që na janë besuar.

  Edhe Shën Agostini në fjalimet e tija mbi Barinjtë i cilëson ata si: barinj që kullosin vetveten. Duke përmendur Ezekielin profet na kujton: “Ju ushqeheni me qumësht, visheni me lesh, pritni delet e majme e grigjën nuk e kullotni! Të ligshtën nuk e përtërini, të sëmurën nuk e shëroni, të thyerën nuk e lidhni, të ndarën nuk e ktheni, të treturën nuk e kërkoni, por zotëroni mbi to me dhunë! Kështu u shpërndanë delet e mia, sepse s’kishin bari. U bënë preja e të gjitha egërsirave të fushës dhe u shpërndanë”.(Ez 34, 3-5). Nga na tjetër Papa Françesku e fillon misionin e tij duke na kujtuar pikërisht afërsinë tonë me delet, deri sa të mbartin edhe erën e tyre.

Shën Karlo Borromeo e porositë klerin e tij që të mos bien në të njëjtin rrezik me këto fjalë: “A e ushtron kujdesin për shpirtra?! Por mos e lë pas dore kujdesin për vetën tënde, dhe mos iu jep të tjerëve deri në pikën që mos të mbetet asgjë ty nga vetja jote. Duhet ta kesh parasysh kujtimin e shpirtrave bariu i të cilëve je, por mos e harro vetveten. Kuptojeni, vëllezër se asgjë nuk është më e nevojshme për personat kishtarë se sa meditimi që paraprin, shoqëron dhe përcjell çdo vepër tonën. Nëse mbarështon sakramentet, o vëlla, medito për atë që bën. Nëse e kremton meshën, medito për atë që po dhuron”.  Meshtari nuk nxit vetëm të tjerët për rrëfim por rrëfehet edhe vetë. Sepse kjo është në sintonì me atë që na thoshte Papa Pali VI: “ Bota sot nuk ka nevojë për mësues por për dëshmitarë”. E do të jemi dëshmitarë vetëm kur ti besojmë asaj që u themi të tjerëve dhe t’i jetojmë ne të parët. Për ta shmangur këtë rrezik le të vetëdijesohemi për gjendjen tonë shpirtërore dhe ti kërkojmë Bariut të mirë që ta bëjë të ngjashme zemrën tonë me të Tijën. Le t’ia kërkojmë Zotit njohjen dhe kthimin e zemrës sonë me fjalët e psalmistit: “Më shqyrto, o Hyj, dhe njihe zemrën time, *më sprovo e njihi shtigjet e mia, e shiko në mos ka në mua udhë kotësie *dhe më kthe në udhën e amshueshme”(Ps. 138).

3.    Bariu i mirë na prin dhe na mbron. Premtimi e rreziku.

Përveç dëgjimit dhe njohjes nga ana e Jezusit, Ai si Bari i mirë edhe na prin, na drejton dhe na mbron. “Ai më prin shtigjeve të drejta *në saje të dashurisë së Emrit të vet”.(Ps. 23) Jezu Krishti, Bariu i mirë, i ka të gjitha cilësitë e një bariu. Ai e merr këtë shembull nga një shtresë e ulët mund të themi; nga barinjtë. Edhe pse që në fillim mund të themi sepse kjo shtresë e ulët në logjikën e Magnificat-it të Marisë bëhen njerëzit e parë që e shpallin lindjen e thjeshtë të Krishtit fëmijë. Por Jezusi jo vetëm që krahasohet me barinjtë por edhe identifikohet me to. Duket që e ka shumë përzemër dhe madje edhe ndihet dhe është thellësisht një Bari shpirtrash, që sakrifikon dhe për të gjetur delen e humbur i lë të nëntëdhjetenëntat dhe shkon pas të treturës. Pra, edhe në shëmbëlltyrat e tija tipike ku paraqet qëllimin e misionit të tij por edhe gëzimin e Atit, Jezusi merr si shembull “Bariun”.

Një ndër cilësitë e bariut është pikërisht edhe ti prijë grigjës. Ti prijë do të thotë që t’i drejtojë drejt kullosës, rrugës së drejtë, por edhe të dalë ai i pari para çdo rreziku. Ai e pohon vetë se është Rruga, Jeta e dhe e Vërteta. (Gjn 14,6). Ky pohim për ne bëhet motivues dhe sigurues, sepse na ka pri Ai i cili i pari ka vuajtur, ka vdekur dhe është ngjallur. Por gjithmonë kjo prirje/ udhëheqje e Tija mban në vetvete edhe rrezikun e mundshëm; d.m.th se vetë ai që prin i duhet të përballohet me rrezikun e deleve. Në këtë kuptim ai na prin dhe na mbron.

Duke qenë se kjo e diele i kushtohet edhe thirrjeve, jemi në sintoni të plotë me mesazhin e Papa Françeskut për ditën e 56 botërore për thirrjet, i cili mban si titull: “guximi për të rrezikuar për premtimet e Zotit”. Edhe në pjesën e ungjillit të kësaj të diele na paraqiten këto dy elemente të mesazhit: Premtimi i Zotit dhe aftësia me rreziku për këto premtime. Premtimi kur Jezusi na thotë se:  Unë u jap jetën e pasosur, kurrë nuk do të sharrojnë: askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime. Dhe rreziku për ta ndjekur sepse ne, grigja e tij jemi të ftuar të shkojmë pas Tij. Dhe e dimë mirë që rruga e cila ka ecur bariu ynë nuk është aspak e lehtë; është rruga e kryqit: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë, dhe të më ndjekë. Sepse, kush do të shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë”(Lk 9, 23-24). Prandaj edhe Papa Françesku na fton që ta shohim thirrjen e Zotit në këtë këndvështrim: “Thirrja e Zotit nuk është një shtrëngim i lirës sonë; nuk është një kafaz ose një peshë që duhet ta mbajmë. Në të kundërt, është nisma e dashurisë së Zotit, i cili na vjen në takim dhe na fton që hyjmë në një plan më të madh, të hapemi ndaj një horizonti, ndaj një deti të gjerë për një peshkim të bollekshëm”. (Mesazhi për Thirrjet, 2019). Falë premtimit të dashurisë së Zotit dhe sigurisë që na jep, Papa Françesku thekson edhe: “Dëshira e Zotit është që jeta jonë të mos jetë e burgosura e së dukshmes, të mos merret zvarrë nga zakonet e përditshme dhe mos të mbetet e pakuptimtë ndaj atyre zgjedhjeve që mund t’i japin kuptim. Zoti nuk do që ne të dorëzohemi duke e jetuar ditën pa asnjë shpresë, të zhgënjyer nga shqetësimet e brendshme. Jeta jonë nuk duhet të ngatërrohet në rrjetat e pakuptimta duke na çuar deri në mpirjen e zemrës. Thirrja është një ftesë që mos të ndalemi në breg me rrjeta në dorë, por ta ndjekim Jezusin përgjatë rrugës që ai ka menduar për ne, për lumturinë tonë dhe të atyre që janë pranë nesh”.

 Nga ana tjetër në këtë thirrje ose në ndjekjen e Jezusit duhet ti bëjmë llogaritë edhe me rrezikun, ose më mirë premtimi i dashurisë dhe i sigurisë që na ofron Zoti bëhet për ne edhe forcë, guxim për të rrezikuar për Krishtin. Kjo është e qartë edhe në leximin e dytë të kësaj të diele kur Gjoni thotë: “Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i zbardhuan në gjakun e Qengjit” (Zb.7). Aftësia me rreziku për premtimet e Zotit arrin shkallën më të lartë të martirizimit, sikurse martirët tanë shqiptar. Në të njëjtën frymë vazhdon Papa Françesku në mesazhin e tij drejtuar të rinjve: “E Pra, nuk ka gëzim më të madh se sa ta rrezikosh jetën tënde për Zotin. Në mënyrë të veçantë ju të rinj, dëshiroj t’ju them: mos të jeni të shurdhët ndaj thirrjes së Zotit! Nëse ai ju ka thirrur në këtë rrugë,mos i lëshoni rremat në barkë, por besohuni Atij. Mos t’ju ngjitet sëmundja e frikës, frikë që ju paralizon përballë lartësive që Zoti ju paraqet. Kujtoni gjithmonë se atyre që Zoti ju kërkoi të lënin rrjetat dhe ta ndiqnin, ju ka premtuar gëzimin e një jete të re, që ta mbysh zemrën dhe të jep forcë për ecjen tënde”. (Mesazhi për Thirrjet, 2019).

Dëshiroj ta mbyll duke u kthyer përsëri tek fjala e Zotit e kësaj here tek Psalmi simbolik i kësaj dite (Ps 23), i cili i mban të gjitha këto elemente që kemi lartpërmendur. Mbi të gjitha mbanë ilaçin e qetësisë, paqes dhe të besimit: “Zoti është bariu im, *asgjë nuk më mungon”. Kur kemi Zotin, kemi gjithçka. Edhe pse ndoshta duhet të kalojmë sfida jo të lehta: “Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, s’trembem nga e keqja *sepse ti je me mua”.

Maria, Nëna e Këshillit të mirë, Avokatja jonë dhe Mbrojtësja e të Krishterëve na dhashtë mahnitjet ta ndjekim Krishtin deri në fund dhe na qëndroftë pranë edhe atëherë kur neve ndonjë shpatë do të na shporojë shpirtin; që duke qëndruar të fortë në fe të mund të shohim edhe lavdinë e të Ngjallurit.

02 maj 2020, 18:02