20200509_DpC_KK_Centro-Aletti_Santa-Severa_2017_Pantocratore-piazza-doro-Gerusalemme-celes.jpg

Çelësi i fjalëve të Kishës. Shën Pali, kolosianëve: gjithçka u krijua nëpër Krishtin

Fillojmë sot komentin e Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve. Ajo është më se e njohur në botën e krishterë, për shkak të kapitullit të saj të parë, ku apostulli ngre në himn misterin e Krishtit. Kjo Letër ka të njëjtën strukturë, fjalor dhe këndvështrim teologjik me Letrën për Efesianët, siç shpjegon meshtari italian don Federico Tartaglia, autori i librit “Është ora e leximit të Biblës”, që po ndjekim për këtë rubrikë.

R.SH. - Vatikan

Shën Pali, duke u shkruar vëllezërve të tij në qytetin Kolos, fillon duke folur për besimin e tyre në Ungjillin, që e kanë marrë përmes Epafrës, kthyer në krishterim, pikërisht nga vetë Apostulli i Popujve. Skema e tekstit është tashmë e konsoliduar e Pali vijon duke u shpjeguar kolosianëve se gjithçka kanë marrë dhuratë u ka dhënë mundësi të marrin pjesë në një mister më të madh, që kremtohet në himnin, në të cilin ky mister, misteri i Krishtit, kuptohet më mirë e më gjerë:

“Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm,

i Parëlinduri - para çdo krijese.

Sepse në Të u krijua çdo gjë

në qiell e në dhe,

çka shihet e çka nuk shihet:

qoftë Fronet, qoftë Zotërimet,

qoftë Principatat, qoftë Pushtetet

- gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të.

Ai është para çdo gjëje

dhe çdo gjë qëndron në Të.

Ai është Kryet e Trupit – Kishës;

Ai është Fillimi,

i Parëlinduri ndër të vdekurit

- që të jetë në gjithçka i Pari.

Sepse Hyjit i pëlqeu

të banojë në Të e tërë Plotësia

dhe, me anë të Tij,

- duke vendosur paqen me anë të gjakut të

kryqit [të Tij] -

të pajtojë me vete gjithçka

qoftë në tokë, qoftë në qiell” (Kol 1,15-20).

          A e kujtoni Besojmën, çastin kur gjatë meshës themi “i lindur, jo i krijuar”? Imagjinoni sikur shën Pali të kishte shkruar: “i krijuar”, në vend të “i Parëlindur” para çdo krijese. Teologjia e krishterë do të kishte qenë e ndryshme. Por, falë shën Palit, ne besojmë se Krishti nuk i përket rendit të krijesave e të krijimit.

          Pse? Sepse “gjithçka u krijua nëpër Të”! Jo më larg se pak javë më parë folëm për Letrën drejtuar Efesianëve e për motivin kryesor, që përsëritet në të: “Ta pantha en to Christo – të gjitha gjërat, në Krishtin”. Është e njëjta frazë, që shpreh të njëjtën ide e që këtu, përsëritet pesë herë, sepse shën Pali synon të pohojë se të gjitha gjërat, jo vetëm gjërat tokësore, të dukshme e fizike, por edhe ato të padukshme, në qiell, janë krijuar “nëpër Të”. E janë pikërisht këto realitete të padukshme, që e shqetësojnë zemrën e shën Palit, i cili i quan: “Fronet, Zotërimet, Principatat, Pushtetet”. Por për to, do të flasim javën e ardhshme.

07 maj 2020, 09:03