Kërko

 Organo e Bazilikës së Shën Pjetrit Organo e Bazilikës së Shën Pjetrit 

Maji i Zojës: Ave Maria në muzikë

Besimtari katolik e thotë çdo ag e çdo muzg të paktën një falemimri. E shqiptari edhe e këndon Rruzaren, me një melodi popullore. Po popujt tjerë të krishterë? A i këndojnë Nënës së Krishtit?

R. SH. - Vatikan

Besimtari katolik e thotë çdo ditë të paktën një falemimri, e shpesh edhe Rruzaren, që shoqëron agimet e muzgjet e jetës sonë. E shqiptari edhe e këndon Rruzaren, me një melodi popullore. Po popujt tjerë të krishterë? A i këndojnë Nënës së Krishtit?

Duhet kujtuar se muzika botërore tingujt më të bukur i ruajti për Marinë, që është “melodi e gjallë”. Sot do të kujtojmë pikërisht “Ave Maritë” - “Falemimritë”, më të famshme në historinë e muzikës botërore.

A e dini sa variante muzikore ka lutja? Pasi është kënduar me melodi nga më të ndryshmet sipas traditës së popujve të krishterë, që në lashtësi,  Falemimrija është muzikuar si motet polifonik (kompozim muzikor me natyrë kishtare, që kombinon dy a më shumë zëra), si në periudhën rinashimentale, ashtu edhe në atë romantike. E vijon të kompozohet edhe sot!

Shubert, Gounod, Verdi e shumë të tjerë

Një nga variantet më të famshne të Ave Marisë, është ai i kompozuar nga Schubert, kënduar në gjuhën latine:

Ave Maria

Ave, Maria, grátia plena,

Dóminus tecum.

Benedícta tu in muliéribus,

et benedíctus fructus ventris tui, Iesus.

Sancta María, Mater Dei,

ora pro nobis peccatóribus,

nunc et in hora mortis nostrae.

Amen

 

 

Të Falemi Mari

Të falemi Mari, hirplote,

Zoti me ty!

E bekuar je mbi të gjitha gratë

bekuar fryti i barkut tënd, Jezus.

Shenjtja Mari, Nëna e Hyjit,

lutu për ne mëkatarët,

tash e në fillë t’mortjes sonë

    Amen

 

Teksti i këngës u përkthye në shqip edhe lirisht. E kështu u këndua shumë herë nga solistët e koreve të kishave shqiptare para diktaturës, e në shtëpitë e krishtera, para e pas saj:

“Të falem Maria

Të falem o Nanë:

Prej kësaj shkretie të mjerueme

Deh! M’len, o Zojë, deh më len me të thanë:

Se në ty jam pështetë, o Nanë e lume:

përanë rreziqet mue më kërcënohen,

anmiku synin idhtas më lëshon.

Po zemra s’ka, Nanë kujt t’i ankohet,

veç ty që shpirtin aq  ma don!”.

Të falem Maria!”.

Jo më pak e famshme, edhe Ave Maria e Charles Gounod, shkruar duke u bazuar mbi preludin e Bach.

Ndër kompozitorë të tjerë të famshëm, që e kompozuan këtë lutje të pavdekshme, janë edhe Liszt, Verdi, Rossini, Puccini, Bruckner e Mercadante.

Nga nëntëqinda në ditë tona

Nga nëntëqinda deri më sot shumë autorë të tjerë e vunë në muzikë, duke krijuar një mori variantesh, në gjuhë të ndryshme. Kujtojmë krijimet bashkëkohore të Javier Busto, Urmas Sisak, Arvo Part, Mylene Farmer, Bruno Pasut, Merola, Italo Salizzato, për të arritur deri tek varianti për balet  i Gigi D’Agostino-s.

11 maj 2020, 09:46