Kërko

Katedralja Nene Tereza Vau Dejes dioqeza Sapes.JPG

Videomesazh i imzot Simon Kullit për kremtimet e Treditëshit të Pashkëve

Ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli u drejtohet të gjithë familjeve të dioqezës, fëmijëve, të rinjve, të sëmurëve dhe të gjithë besimtarëve, me një videomesazh udhëzues, përmes të cilit informon si të jetohet Treditëshi i Pashkëve.

R.SH. - Vatikan

Edhe në Shqipëri besimtarët katolikë janë ftuar nga ipeshkvijtë e meshtarët t’i ndjekin kremtimet e Javës së Madhe të Pashkëve nga shtëpia. Veçanërisht, ipeshkvi i dioqezës së Sapës, imzot Simon Kulli, ka përgatitur një videomesazh për këtë, në mënyrë që t’i njoftojë të gjithë si mund të ndjekin kremtimet e Treditëshit të Pashkëve, i cili fillon nesër. Të dëgjojmë informacionin e përgatitur nga bashkëpunëtorja jonë, Violeta Marashi…

Të dëgjojmë informacionin e përgatitur nga bashkëpunëtorja jonë, Violeta Marashi…

Tashmë jemi në prag të Treditëshit të shenjtë, këtij Treditëshi mjaft domethënës për atë që i ndodh Jezusit, shpëtimtarit të botës. Në këto ditë që janë zemra e Vitit Liturgjik, kisha na fton në lutje e përshpirtëri për kalvarin e mundimeve, dënimit, kryqëzimit dhe vdekjes së tij. Për herë të parë pas 30 viteve të lirisë fetare për ne shqiptarët, këto tri ditë do t’i lusim në një mënyrë tjetër, pa praninë fizike në kishë, ashtu si mbarë bota për shkak të sëmundjes botërore Covid 19.

Nisur nga kjo, ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli iu është drejtuar të gjithë familjeve të dioqezës, fëmijëve,  të rinjve, të sëmurëve dhe të gjithë besimtarëve  me një videomesazh udhëzues, përmes të cilit informon se si t’i jetojmë në kushtet familjare këto ditë të bukura e të shenjta. Në pamundësi për të shkuar në kishë, ipeshkvi fton të gjithë që të lutemi edhe pse në distancë, me gjeste të thjeshta të jemi një kishë e vogël, një komunitet, një bashkësi familjare. Jezusi dëshiron që shtëpia jonë të jetë edhe shtëpia e tij, ku Ai nderohet, falenderohet e bekohet.  E kështu edhe ne t'ia hapim Zotit zemrën, ta drejtojmë vështrimin tonë kah Ai, e le të lejojmë të na dhurohet e të marrim nga ai forcën e bekimin për të ecur përpara me shpresën se më mirë do të bëhet.

08 prill 2020, 18:08