Good Friday religious procession Via Crucis, Good Friday religious procession Via Crucis, 

Udhë Kryqi e jashtëzakoshme: dëshmitare e besës së lidhur mes vdekjes e jetës së amshuar

Që prej dymijë vjetësh njerëzimi ecën pas Krishtit, në rrugët e botës, i ngarkuar me kryq. Me kryqin e luftërave, të urisë, të kolerës, të përmbytjeve, të egoizmit, të urrejtjes së njeriut për njeriun! E tani, edhe të pandemisë, një sëmundjeje të padëgjuar, vdekjeprurëse…

R. SH. - Vatikan

Që prej dymijë vjetësh, mbas Krishtit. Një herë në Golgotë. Më pas, secili në vendin e vet, në famullinë e vet, që këto ditë filloi të shndërrohej simbolikisht në Mal të Kalvarit, falë Shën Leonardit da Porto Maurizio, frat i vogël françeskan,  i cili e nisi i pari këtë praktikë devocionale, si dhe të Papës Benedikti XIV që, më 1741, e miratoi kremtimin në të gjitha famullitë e botës katolike. Vetëm një herë në vit.  E  qysh prej këtij miratimi, çdo Kishë u pajis me të katërmbëdhjetë stacionet tradicionale të Udhës së Kryqit, ndërmjet të cilave, disa kryevepra në pikturë e skulpturë, realizuar kryesisht në reliev të ultë e mesatar.  Më pas, nisi kremtimi edhe në Koloseum.

Që prej dymijë vjetësh, mbas Krishtit. Udha e parë e Kryqit, pas asaj të Golgotës, u përshkua në mjediset e amfiteatrit të famshëm romak. Aty vijoi gjatë kryqëzimi, jo simbolik, por mbi kryqe në ngjasim me atë, që u ngul mbi Kalvar! E kështu, edhe në kohët e vështira, kur Roma u shkel nga hordhi të ndryshme barbarësh. Po Koloseum, ndonëse i dëmtuar rëndë, mbeti në këmbë. I martirizuar, edhe ai. E dëshmitar i martirizimit!

Rifillim i një historie, që vijon…

E pikërisht aty rifilloi “Udha e parë simbolike e Kryqit”,  e propozuar në Librin e shtegtarit me rastin e Vitit Shenjt 1975.  Ishte Gjon Pali II, ndërmjet papëve të parë, që e ringjalli këtë kremtim. E, pas tij, edhe Benedikti XVI e Papa Françesku!

Që prej dymijë vjetësh, njerëzimi përshkon, pas Krishtit, udhën e mundimeve! Në të Premten e Tij të Madhe, Krishti vijon të mundohet! Gozhdohet, sa herë njerëzimi kacafytet në luftë, sa herë përgjysmohet nga epidemitë, sa herë vëllai ngre armën kundër vëllait. Për të rinisur, më pas, udhën e re të Kryqit - atë të zhdukjes së gërmadhave e të vizitave në varreza. Ku betohet me lot në sy, se nuk do ta përsërisë kurrë më britmën: “Kryqëzoje!” As nuk do ta shprangojë kurrë më Barabën, në vend të Zotit!

Gërmadhat e Koloseumit e kanë parë me qindra herë Krishtin duke u kryqëzuar në bijtë e tij.  Mbi kryqin e të Kryqëzuarit.

Sivjet për herë të parë, Udha e Kryqit do të kremtohet në Vatikan

Po sivjet, për të parën herë në histori, Udha e Mundimeve nuk do të përshkohet nën dritën e qirinjve e jehonën e lutjeve, që zakonisht jemi mësuar t’i dëgjojmë në Koloseum. As nuk do të shoqërohet nga radha e gjatë e njerëzve, në ecje pas Krishtit ngarkuar me kryq. Sivjet njerëzit luftojnë me vdekjen në dhomat e trishta të spitaleve, a janë  mbyllur në shtëpitë e tyre, të mbledhur plot shpresë rreth mjeteve të ndryshme të komunikimit, domethënë, rreth Papës.

Në tremen e Bazilikës së Vatikanit

Që prej dymijë vjetësh njerëzimi, këtë natë të së Premtes së Madhe, ecën mbas Krishtit. Por sivjet Krishtin do ta ndjekim pas në një vend tjetër, të pazakontë: në hapësirën e ngushtë të tremes së Bazilikës së Vatikanit.  Pikërisht mbi ato rrasa që, vetëm pak ditë më parë, u rrënqethen nën hapin e lodhur të Papës Françesku, që ecte i vetëm, i rrahur nga shiun, që binte me rrëshekë! Për t’i kujtuar njerëzimit se jemi të gjithë në një barkë e se mund të na shpëtojë vetëm dora e një Zoti, që ka forcë t’ua thyejë hovin edhe stuhive më të tmerrshme. Aty do të drejtohen sonte sytë e mbarë botës e njerëzimi i sëmurë do të jetojë ca çaste të paharrueshme, duke ndjekur pas, për herë të parë, fatet e të burgosurve, njerëz, që janë thika e theroria; plumbi e plaga, të vrarë e edhe vrasës, kryqëzues e të kryqëzuar, të ngujuar pas hekurave të një burgu të sigurisë së lartë. Të pranishëm - të papranishëm në këtë Udhë Kryqi, e cila do të mbetet në historinë e njerëzimit me emrin rrënqethës “Udha e pandemisë së koronavirusit”, që çuditërisht nis me  gërmën “k” – si kryqi!

Në ndjekje të 14 stacioneve simbolike

Do të ndjekim 14 stacionet e udhës së mundimeve të të kryqëzuarve të kohëve të reja, të mbërthyer mbi hekurat e qelive. Udhën e kryqit të një të burgosuri, të fajisur për tregtinë e drogës, që tërhoqi pas vetes në qeli të gjithë familjen e që vetëm tani arrin ta kuptojë krimin e ndëshkimin. Atë të vajzës së një të dënuari me burgim të përjetshëm; të një të burgosuri, që u rrëzua shumë më shpesh se Krishti me kryq mbi shpinë gjatë jetës së tij,  duke u bërë copë-copë. E megjithatë, nuk e humbi besimin se ato copa mund të ngjiten përsëri. E, pas tij, një meshtar i burgosur e më pas i liruar si i pafajshëm, pas dhjetë vjet Udhe Kryqi, jo në qelë, po në qeli…. E kështu me radhë, deri tek Stacioni XIV, kur Krishti  i ulur nga kryqi, mbyllet në varr.

Një duel i pafundmë ndërmjet jetës e vdekjes, me pendimin për fajin e bindjen se morti nuk e ka fjalën e fundit. Sepse në errësirën e burgut, ashtu si në atë të varrit – vijon të jehojë kumti i ngarkuar me shpresë: Krishti u ngjall! Për Zotin  nuk ka asgjë të pamundur !

Ngadhënjimi i jetës!

Vërtet pandemia hap mijëra varre të reja. Po mermeri i bardhë-borë gëzohet përsëri me blerimin e kësaj pranvere, që i hedh shtat përsipër. Rremat e kërthnestë të  selvive përkdhelen ëmbël e lehtë, si dorë, që përshkon jetën e përtej varrit. Atje ku nuk ka më ndarje as lot. Bredh era nëpër qiell, duke luajtur me retë e bardha, si vela varke. E njeriu, gjithnjë ndërmjet vdekjes e jetës, vështron qiellin lart e mermerin  e bardhë poshtë, me bar e lule rreth e rrotull. Mahnitet e nuk mund të ndahet prej kaq bukurie, prej aromash kaq të ëmbla, cicërimash kaq të këndshme, tingujsh kaq melodiozë.

Harron pandeminë e nis e mendon për majin, që s’ka të sosur, mes lulesh, që s’shkunden gonxhesh, ku dhé e qiell shkrihen në një e shpirtrat fluturojnë me krahë kerubinësh e gëzimi s’ka të sosur për jetë të jetës. Shkon përkrah Krishtit të Ngjallur, atje ku nuk depërton asnjë sy i gjallë e s’shkel asnjë këmbë e gjallë njerëzore. Duke mbetur ashtu, kokëpërpjetë, ndërmjet dy jetësh. Nën selvitë, dëshmitare të besës së lidhur mes vdekjes e jetës së amshuar. Lot gjithmonë të blertë...

10 prill 2020, 14:01