Kërko

Shën Toma prek plagët e Krishtit Shën Toma prek plagët e Krishtit 

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës II të Pashkëve 'A'

Është mosbesimi i shën Tomës, që karakterizon të dielën e dytë të Pashkëve, apo siç quhet ndryshe “E Diela e Mëshirës Hyjnore”. Pikërisht për shën Tomën apostull, Krishti Ngjallur Zot pati mëshirë e ia tregoi varrët e veta të kryqëzimit, në mënyrë që ai të besonte, por edhe paralajmëroi atë e të gjithë se besimtarët e vërtetë nuk kanë nevojë të shohin.

R.SH. - Vatikan

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës II të Pashkëve 'A'

Nga Ungjilli sipas shën Gjonit (20,19-31):

24 Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve - ai që quhet Binjak - nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. 25 I thanë, pra, nxënësit tjerë: ‘E pamë Zotërinë!’ Toma u përgjigj: ‘Pa e parë në duar të tija vrajën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj’. 26 Mbas tetë ditësh… megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: ‘Paqja me ju!’ 27 Mandej i tha Tomës: ‘Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!’ 28 Toma iu përgjigj: ‘Zotëria im dhe Hyji im!’ 29 Jezusi i tha: ‘Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!’”

Të lutemi së bashku:

 

“Paqja me ju!”. Kështu, o Zot i Ngjallur,

Ti përshëndet dishepujt e tu.

Kështu na drejtohesh edhe ne

vetëm tetë ditë pas festës së Pashkëve.

 

Po, o Zot, na jep paqen Tënde,

kemi nevojë për të.

Jo për një paqe, që lind

nga marrëveshjet e pushtetarëve,

të cilët bashkohen veç për të mbrojtur

interesat e veta.

 

Jo për një paqe, që parashikon

hakmarrje e dënime,

gjykime të pamëshirshme e ndëshkime,

poshtërime e shpagime.

 

Jo, o Zot i Ngjallur,

kemi nevojë për paqen Tënde,

atë paqe, që është dhuratë e Shpirtit Shenjt,

marrë për hir, jo për merita.

Atë paqe, që lind

nga mëshira e falja

nga bujaria e butësia,

nga solidariteti e vëllazërimi.

 

Duam atë paqe, e cila është

për të gjithë ata, që të kërkojnë,

për shtegtarët, që vihen rishtas për udhë,

për ata, që e lëshojnë veten në dorën Tënde

si të varfërit, që s’kanë mbështetje tjetër,

për ata, që kanë pësuar persekutime,

për shkak të dashurisë për Emrin tënd e për të braktisurit.

18 prill 2020, 10:23