Kërko

sri-lanka-attacks-1556469604403.jpg

Sri Lanka, një vit pas atentateve. Ranjith: falja vjen nga Krishti

Më 21 prill 2019, nëntë kamikaze u hodhën në erë në tri kisha të Sri Lankës, ndërsa kremtoheshin Pashkët, duke hyrë në veprim edhe në hotele të ndryshme. Së paku 270, të vdekurit. Pas një viti, duke respektuar masat e emergjencës së shkaktuar nga koronavirusi, vendi ndalet për dy minuta heshtjeje, ndjekur nga kambanat e të gjitha vendeve të kultit. Intervistë me kryeipeshkvin e Kolombos, kardinalin Albert Malcolm Ranjith.

R.SH. - Vatikan

Lutje, afërsi e solidaritet “për ata, që humbën jetën, për familjet, që i panë familjarët të vdesin, për ata, që u plagosën e vazhdojnë të vuajnë, për ata, që mbetën në shtrat, ndokush në karrige me rrota”. Ky është mendimi i kryeipeshkvit të Kolombos, kardinalit Albert Malcolm Ranjith, një vit pas atentateve tragjike të Pashkëve 2019 në Sri Lankë. Ishte 21 prill, kur së paku nëntë kamikaze të grupit islamik vendas “National Thowheed Jamath”, u hodhën në erë në tri kisha, në atë të Shna’Ndout në Kolombo, në atë të Shën Sebastianit në Negombo e në atë ungjillore të Batticaloa-s, si edhe në disa hotele e në një kopleks rezidencial. Bilanci arriti në të paktën 270 viktima e më se 500 të plagosur.

Përkujtimi i viktimave në Kolombo
Përkujtimi i viktimave në Kolombo

Përkujtimet

Këtë të martë, duke filluar nga ora 8.45, një orë para shpërthimeve, vendi do të ndalet për dy minuta heshtjeje, ndjekur nga tingëllimi i kambanave i të gjitha vendeve të kultit e nga ndezja e një llambe, ose e një qiriu për çdo shtëpi. Të gjitha ngjarjet e tjera të parashikuara me këtë rast nuk do të mbahen, për shkak të koronavirusit. Tani për tani, në Sri Lankë ka 250 raste e 7 të vdekur nga Covid-19. Gjithsesi, autoritetet njoftojnë se pandemia është nën kontroll.

Viktimat e atentateve e ato të koronavirusit

 Kremtimi, shpjegon prelati për Vatican News, është rast për të kujtuar edhe viktimat e koronavirusit e për t’iu lutur Zotit, që “t’i ndihmojë të gjithë në këtë çast të errët të historisë njerëzore”.

Lutje në kishën e Shna'Ndout në Kolombo
Lutje në kishën e Shna'Ndout në Kolombo

Duam të shprehim afërsi e solidaritet me ata, që humbën jetën, me familjet, që i panë të dashurit e tyre të vdisnin, me ata, që u plagosën e që vazhdojnë të vuajnë, me ata që kanë mbetur në shtrat, ndokush edhe në karrige me rrota. Është vërtet një çast solidariteti kombëtar.

Për shkak të emergjencës së koronavirusit, përkujtimet ndiqen përmes televizionit. Si bëhet i dukshëm bashkimi i kombit në përkujtim të viktimave?

Të gjithë kanë rënë dakord për t’i përkujtuar viktimat e këtyre atentateve. Edhe budistët: murgjërit do t’u bien kambanave të tempujve. Edhe myslimanët kanë shprehur solidaritetin e tyre. Pra, ka pjesëmarrje të madhe nga ana e gjithë popullsisë së vendit, duke dëshmuar kështu edhe unitetin mendor për çka ndodhi.

Ditën e Pashkëve, ju thatë se katolikët i kanë falur terroristët, sepse mesazhi i Krishtit është “duaje edhe armikun”. Edhe Papa, në një letër, iu lut Zotit që “zemrat e ngurtësuara nga urrejtja” të hapen për “paqen e pajtimin ndërmjet gjithë bijve të Hyjit”. Si arritën deri në falje, familjet e viktimave?

Të kujtojmë se nuk pati asnjë reagim, as menjëherë pas atentateve, në një çast kur njerëzit ishin veçanërisht të vrarë shpirtërisht e fizikisht nga kjo dhunë. Mund të reagonin e nuk e bënë këtë: nuk mbizotëruan ndjenjat, por arsyeja. Edhe tani është kështu. Kjo ndodh, për shkak të qëndrimit të krishterë, që di t’i falë edhe ata, që bëjnë keq. Për Pashkë kremtuam kryqëzimin e Jezusit, duke kujtuar se Ai vetë u lut për ata, që vepruan kundër Tij. Kjo ndjenjë e faljes vjen në zemrën e çdo njeriu, që ka vuajtur. Sigurisht, këta njerëz kanë të drejtë të paktën ta dinë kush ka qenë e pse i ka kryer ato atentate.

Selia e Shenjtë i denoncoi menjëherë atentatet e Sri Lankës, si sulme të qarta kundër të krishterëve. A kanë sjellë ndonjë rezultat, hetimet e këtyre muajve?

Hetimet ecin përpara. Janë ndjekur disa pista, që kanë zbuluar përfshirjen e njerëzve të tjerë, që qëndronin pas atentatorëve. Kohët e fundit, policia ka bërë arrestime të reja, pra, vazhdojnë hetimet mbi atentatet. Duhet ta dimë të vërtetën, duhen zbuluar ideatorët e sulmeve dhe kush i ka financuar, ndoshta, edhe nga jashtë. Kjo është e rëndësishme edhe për parandalimin e atentateve të ardhshme. Nuk e kuptojmë çfarë fituan, o çfarë “suksesi” arritën atentatorët në programin e tyre.

Edhe Sri Lanka, ashtu si e gjithë bota, po përballon emergjencën e shkaktuar nga koronavirusi. Kështu, dhimbjes e zisë, në këtë përvjetor, i shtohet edhe kërcënimi nga Covid-19…

Edhe koronavirusi është tragjedi, për shkak të vdekjes së shumë njerëzve, si në Itali, për shembull, ku kanë humbur kaq shumë jetë. Është tragjedi ndërkombëtare. Prandaj, në ditën e përkujtimit të viktimave të atentatit të një viti më parë, do të lutemi që Zoti të na ndihmojë ta kapërcejmë këtë periudhë të errët të historisë njerëzore.

20 prill 2020, 14:48