Jezusi, pas Ringjalljes, i vizitoi dishepujt e tij, mbledhur në Çenakull, duke e lejuar Tomën, që nuk beson, t’ia prekë plagët Jezusi, pas Ringjalljes, i vizitoi dishepujt e tij, mbledhur në Çenakull, duke e lejuar Tomën, që nuk beson, t’ia prekë plagët  

Shenjtorët e Javës

Ungjilli i Dielёs sё Dytё tё Pashkёve sipas Shën Gjonit na rrёfen për Krishtin e ngjallur, që iu duk nxënësve të mbyllur në Çenakull “të parën ditë pas së shtunës” si edhe, në të njëjtin vend, tetë ditë më pas, duke dashur t’u tregojë që në fillim ritmin javor të Kishës në kremtimin e misterit të Pashkëve çdo të diele, ditë që me të drejtë quhet edhe ‘Dita e Zotit’.

R.SH. - Vatikan

E diel 19 prill, Kisha katolike kremton të Dielën 2-të të Pashkëve. E po sot më 19 prill, kalendari kishtar përkujton edhe Shën Leonin IX, papë.

Ungjilli i Dielёs sё Dytё tё Pashkёve sipas Shën Gjonit na rrёfen për Krishtin e ngjallur, që iu duk nxënësve të mbyllur në Çenakull “të parën ditë pas së shtunës” si edhe, në të njëjtin vend, tetë ditë më pas, duke dashur t’u tregojë që në fillim ritmin javor të Kishës në kremtimin e misterit të Pashkëve çdo të diele, ditë që me të drejtë quhet edhe ‘Dita e Zotit’. Po sot më 19 prill, përkujtohet edhe përvjetori i zgjedhjes së Shenjtërisë së Tij, Papës së nderit, Benediktit XVI në fronin e Shën Pjetrit.

Të hënën 20 prill, kalendari kishtar përkujton Shën Aniçetin, papë e Shën Anjezen nga Montepulçiano, virgjër dominikane. Liturgjia e ditës  na kujtojnë se Jezusi përkujdeset, me një mrekulli, t’i japë të hajë turmës që e ndiqte. Por ai ka ardhur për një jetë shumë më të lartë e i bën të gjithë ta kuptojnë këtë, duke u larguar nga skena e mrekullisë.

Të martën më 21 prill, kalendari përkujton Shën Anselmin, kryeipeshkëv i Kënterbërit e doktor i Kishës e Shën Apollonin, filozof e martir romak. Liturgjia e ditës së tyre na nxit të meditojmë se largimi i Jezusit në vende të vetmuara nuk do të thotë se ai i braktis nxënësit e vet. Vetëm kur Krishti është në barkë bashkë me ta, frika zhduket e barka i afrohet bregut aq të dëshiruar.

Të mërkurën më 22 prill, kalendari përkujton Shën Sotirin papë, Shën Kajon papë, shën Agapiton, papë e Shën Leonidën. Liturgjia e ditës na kujton dhurata e fesë në Krishtin, na sjell fryt dhuratën e Shpirtit Shenjt që na bënë të njohim Atin Qiellor, i cili na bënë dëshmitarë të tij e na bindë të kthehemi në udhën e jetës.

Të enjten më 23 prill, kalendari përkujton Shën Gjergjin martir; Shën Adalbertin, ipeshkëv të Pragës e martir dhe Shën Marinë Gabriela Sagedus, virgjër çistecense. Liturgjia e ditës na kujton se turma e kërkon Jezusin, kryesisht sepse shpreson të hajë e të ngihet mrekullisht. Në sa Jezusi duhet kërkuar sepse Zoti na e dërgoi si shujtë shpirtërore për jetën e pasosur. 

Të premten më 24 prill, kalendari përkujton Shën Fedelin e Sigmaringen, meshtar kapuçin e martir dhe Shën Marinë Heselblad, themeluese e murgeshave brigjidine. Liturgjia e ditës na nxit të meditojmë se për të mos pasur më uri as etje, duhet besuar në Jezu Krishtin, që është buka e jetës. Buka që u jep Moisiu hebrenjve, ndonëse zbret nga qielli, mbetet bukë që ushqen jetën tokësore e jo jetën hyjnore, jetën e amshuar. 

Të shtunën më 25 prill, kalendari përkujton Shën Markun ungjilltar. Ky shenjtë ungjilltar me jetën dhe me veprën e tij na nxit t’ia kumtojmë vëllezërve lajmin e madh të shëlbimit, të ecim në gjurmët e apostujve, për të përhapur në të katër anët e botës Ungjillin, forcë që e shndërron gjithësinë e që provon praninë e Zotit ndërmjet njerëzve.

Të dielën e ardhshme më 26 prill, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 3-të të Pashkëve e po më 26 prill, do të kremtohet festa e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore qiellore e shqiptarëve.

Festa i bashkon shpirtërisht gjithë shqiptarët rreth figurës së Zojës në shenjtëroren kombëtare rrëzë Kështjellës Rozafa, rrënimi dhe rindërtimi i së cilës do të mbetet në shekuj si simbol i ikjes e i rikthimit të përsëritur të Nënës së Zotit në trojet e në zemrat e shqiptarëve. Figurja e mrekullueshme e Zojës së Këshillit të Mirë, origjinali i së cilës ndodhet në Gjenacan afër Romës, pasqyron gjithë historinë e katolicizmit në Shqipëri.

19 prill 2020, 10:45