Krishti i ngjallur Krishti i ngjallur 

Ringjallja nuk është përrallë

Shkrimtari i madh anglez Gilbert K. Chesterton, në vitin 1934 ngriti zërin kundër atyre, që e quanin mit - zemrën e krishterimit, ringjalljen “Ndërsa për Krishtin dhe ngjalljen e Tij ka dëshmitarë historikë të pakundërshtueshëm, nga apostujt, tek martirët shqiptarë

R. SH. - Vatikan

Po rikujtojmë, së pari, disa fragmente nga vepra e Gilbert Keith Chesterton, botuar në numrin e prillit të së përmuajshmes “Luoghi dell’Infinito” (Vendet e Pafundësisë), revistë e “Avvenires”, kushtuar shtegtimeve, artit e kulturës. Teksti, botuar për herë të parë në “The Illustrated London News”, më 29 shtator 1934, i kushtohet temës më të rëndësishme për njeriun: asaj të ringjalljes.

Jo shumë kohë më parë, kur u ndez polemika për librin tejet të këndshëm të Frank Morison, libër i verdhë “hyjnor”, a thriller teologjik, titulluar “Chi ha rimosso la pietra?” (Kush e flaku gurin) një gazetë luftarake londineze foli në një mënyrë, që më preku thellë në shpirt, pohon Gilbert Keith Chesterton. Gazetari shkruante se kush beson në ringjalljen, mund t’i besojë edhe llambës së Aladinit. Dukej qartë se nuk e kishte as idenë e asaj që donte të thoshte. Ky përfundim, në të cilin kishte arritur gazetari, më kujtoi  kohët e fundit shkrimtarin Christopher Dawson, e atë, që mund ta quajmë historia e shkencës. Problemi, që ngrinte gazeta luftarake, më duket se nuk kishte qëllim tjetër, përveçse të ndizte polemikën. Nuk ka kurrfarë lidhjeje logjike ndërmjet besimit në një ngjarje të mrekullueshme e mendimit se një tregim fantastik mund të jetë i bazuar mbi një ngjarje të ndodhur me të vërtetë. Krahasimi ndërmjet mrekullisë ungjillore e përrallave të Njëmijë e një netëve është nga më qesharakët, që është shkruar ndonjëherë. Në rastin e parë ka shumë arsye që të shtyjnë të besosh se ngjarja ka ndodhur me të vërtetë, ose mendohet se duhet të ketë ndodhur. Në rastin e dytë  është krejt e qartë se përrallat jo vetëm që bazohen mbi fakte të shpikura, por nuk kanë asnjë pretendim që të duken si të vërteta. Përsa i përket ringjalljes, të gjithë, përveç apostujve, mund të pyesin ku  përfundoi trupi i Krishtit? Ç’u bë me të? Mund të mendohet se ndjekësit e Krishtit e kishin fshehur, për të krijuar idenë e mrekullisë. Por është tejet e vështirë të përfytyrosh njerëz të gatshëm të torturohen e të vdesin për hir të një mrekullie  të rreme. Prej këndej, dëshmia e apostujve duket e besueshme. Përkundrazi, në rastin e përrallës arabe, gjithçka të shtyn të besosh se kemi të bëjmë me një tregim fantastik letrar, pa asnjë bazë vërtetësie.

Në “Njëmijë e një netët”, vetë autori na kujton se këto përralla u treguan nga një grua, që kishte një qëllim të vetëm: ta  habiste mbretin, për të shpëtuar nga rreziku i përfundimit me kokë të prerë. Ndërsa në Ungjijtë kemi dëshmitarë, të cilët pohojnë se ky fakt jo vetëm ka ndodhur, por edhe se ka njerëz, që janë gati të japin jetën për të dëshmuar se ishte plotësisht i vërtetë. Njerëz që më parë vdesin, se e mohojnë ngjalljen e Krishtit. Ndërsa përrallat janë rrëfim i një gruaje, që bëhet për të shpëtuar nga dënimi, e që prandaj, i lejohet të trillojë ngjarje të pangjara. Nëse Gjon Pagëzuesi, për të shpëtuar nga prerja e kokës e për të tërhequr vëmendjen do të kishte shpikur një sërë legjendash mesianike ose parakristiane, nuk do ta kisha besuar aspak si të vërtetë “mitin e mundshëm të ringjalljes”, të trilluar prej tij. Por duke parë se apostujt u mbytën sepse shpallnin ringjalljen, mendoj se dëshmia e tyre as që mund të krahasohet me atë të tregimtares së Një mijë e një netëve. Askush, pa qenë i prishur mendsh, nuk do të kërkonte fakte historike ose vërtetimin e fesë së vet në përralla. E aq më pak, duke hyrë në të fshehtat e lidhjes së magjisë me shkencën, tipike për mendësinë e botës lindore!

Ringjallja është aspekt që nuk ka të bëjë aq me shkencën, sesa me fenë: magjia e lashtë dhe shkenca moderne ngjasin shumë, mbasi të dyja janë  tepër larg  nga ideja  abstrakte edhe e pastër e shkencës, që kishin grekët e lashtë. Shkenca, për njerëzit e lashtë, ishte sinonim i dijes.

Ringjallja dhe Martirët shqiptarë të kohëve tona

Po a është e vërtetë se Krishti u ngjall e se nga ngjallja e Tij gurron edhe ringjallja jonë? Apo edhe kjo është përrallë? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, pas Apostujve, mjafton të kujtojmë martirët e 21 shekujve të krishterimit. Deri në ditët tona! Deri tek martirët shqiptarë, të cilët u torturuan në mënyrën më çnjerëzore, por nuk pranuan ta mohonin Jezusin e gjallë që, pasi u kish falur jetën mbi tokë, po u përgatiste një vend në qiell, për ku ishin nisë, në gjurmët e Kryqit të Tij. Me besimin e patundur në ringjalljen e tyre, në Krishtin! Ashtu si i përgatiti të shkonin duke u lutur e duke kënduar Psalme drejt vendit ku i priste plumbi i atyre, që besonin se ringjallja është përrallë.  E, kur platoni u rreshtua  para tyre, e kishin edhe një çast, që mjaftonte për të mohuar e për të vijuar jetën mbi tokë! Po ata brohoritën me sa zë kishin “Rroftë Krishti Mbret!”. Thua kjo i ngjet ndonjërës nga njëmijë e një përrallat? E i ngjet përrallave edhe  lartimi i tyre në altar, pasi u rrokullisen në gropa të panjohura?

E dimë se ka akoma njerëz që, si ai gazetari anglez, duan të na e mbushin mendjen se ringjallja u ngjet shumë sajimeve të Shehrazades. Ndoshta nga që harrojnë se të krishterët nuk besojnë vetëm me mend, po me mend  e me zemër se Krishti u ngjall në të tretën ditë, u ngjit në qiell  e andej do të vijë t’i gjykojë të gjallët e të vdekurit. Ata që gjykuan - e që do të gjykohen!

12 prill 2020, 13:50