Kërko

Shtëpia Shenjte e Loretos Shtëpia Shenjte e Loretos 

Që sot, Rruzarja dhe Engjëlli i Tënzot nga Loreto, në orën 12

Kryeipeshkvi i Shenjtërores së Loretos, Fabio Dal Cin, do të kryesojë në mesditë, lutjen mariane, gjatë Javës së Madhe të Pashkëve. Kremtimi mund të ndiqet në transmetim të drejtpërdrejtë në faqen e internetit të Vatican News.

R.SH. - Vatikan

Muret e Shtëpisë Shenjte në Loreto, pjesë e shtëpisë ku jetoi shën Maria Virgjër e një nga tempujt e mrekullueshëm marianë të botës, do të jenë protagoniste të Javës së Madhe të Pashkëve. Lajmi jepet nga Shenjtërorja e Loretos: duke filluar që sot, 6 prill, çdo ditë, imzot Fabio Dal Cin, kryeipeshkvi legat papnor, do të udhëheqë Rruzaren Shenjte për gjithë besimtarët. “Shtëpia Shenjte e Loretos - deklaroi prelati – na fton t’i lutemi shën Marisë për të mos e humbur shpresën tek Zoti i jetës. Do ta bëjmë këtë çdo ditë, në orën 12, me lutjen e Engjëllit të Tënzot dhe të Rruzares, transmetuar nga Vatican News, si edhe në mbrëmje, në orën 21, me Rruzaren dhe me lutjen drejtuar Zojës së Loretos për lirimin nga e keqja dhe nga pandemia”.

Përveç Vatican News, pamjet e lutjeve nga Shtëpia e Loretos, do të transmetohen drejtpërdrejt edhe nga televizionet katolike italiane Telepace, Padre Pio TV dhe nga rrjeti Corallo (që përfshin disa televizione katolike italiane). Përveç kësaj, të Mërkurën e Madhe, në orën 21, imzot Dal Cin do të kryesojë Rruzaren nga Shtëpia Shenjte, e cila do të transmetohet në televizionin katolik italian TV2000, në radion katolike italiane InBluradio dhe në faqen zyrtare Facebook të Konferencës Ipeshkvnore të Italisë (CEI). “Ky është vendi ku Maria i tha ‘po’ Zotit - pohoi imzot Dal Cin – e atë ‘po’ e themi edhe ne me zë të lartë, në këtë çast të vështirë dhe shqetësues”.

06 prill 2020, 10:14