2019.10.21 La Madonna di Scutari, Albania  2019.10.21 La Madonna di Scutari, Albania  

At Pjetër Meshkalla S.J.: Ndër kambë tua, Zoja Mërí

Ndër kambë tua, Zoja Mërí,/Janë tue ardhë, qe, tanë bijt t’tú;/Merr dhantinë, që me dashtëní/Zêmra e jonë, o Nanë, t’kushton./...Jo, jo! Pse qiellëve të epëra /Zoti me dorë të vet/Ka shkrue: “E Zojës asht Shkodra, /e Zoja e Shkodrës së vet!”. /..Ktheu NANË! O ditë ma e bukura/Që Arbnia pret, ago! /Nanë ktheju e epnae hirin: /“N’ Fè Shenjte na vllazno!

R.SH. - Vatikan

Atë Pjetër Meshkalla S.J. : Ndër kambë tua, Zoja Mërí

Ndër kambë tua, Zoja Mërí,
Janë tue ardhë, qe, tanë bijt t’tú;
Merr dhantinë, që me dashtëní
Zêmra e jonë, o Nanë, t’kushton.

Por n’mos kjoshin zêmrat tona
Aq të bardha, porsi lili:
Ti jé Nana gjithë e jona,
Tjeter shpirti s’na kerkon.

Nanë e dashtun, Nanë e lume,
Nanë e Zotit n’ty mishnue,
Ti e din mirë se n’jetë t’shkretnueme,
Zêmra e eme, o Zojë, ankon.

Ty, o e Qiellve bukuria,
Ty, që ndrite prosi diell,
T’falet, Zojë, t’falet, Maria,
Zani i em, kah lavde t’kndon.

Sheklli e ferri, ah! sa mundohen 
Me m’vû prita, n’mëkat me m’ rrxue;
As un’ s’kam se kuj i ankohem,
Veç Ty, o Nanë, që t’mirën m’don. 

Kur kah Ti un’ sytë i priri,
Njallem n’zêmër plot uzdajë,
Zojë, prej Teje na rrjedh hiri,
Nper Ty shpirti, o Nanë shêjtnon.

Due me t’ dashtë, me t’ dashtë gjithhera,
M’u ndezë flakë n’dashtëní për Ty ;
Me t’avitë due zêmra tjera
Me t’kndue ‘ i lavd që Ty t’madhnon.

Ardhët, po, ardhët, ah! shpejt ardhët dita,
Qi i shkatërruem prej shekllit t’mjerë,
Fluturim, si gjithherë prita,
Ardhsha atje, ku Ti lumnon.

E atje n’qiellë, po para fronit
Shpirti em tue u permbysë,
Ka me u gëzue pergjithmonit:
Tjeter zemra, O Nanë s’m’ dishron. 

Si shkambi n’per rrymë të shekujve
Muret qendrojnë jetike,
Ngulun për rranzë themeleve
t’Rozafës sonë Kreshnike.

Dhe sot, qe feja nipave
Shpresat prap ua gjallnoi,
Le të shkruhet mbi ballë të mureve:
“Nanës që na vorfnoi!”

Njasajë që i ditë prej sulmeve
T’kulshedrës me shtatë krena,
Na u ba mburojë, e të nemuna
S’ duroi t’i shohë kto dhena.

Njasajë… por vaj, na fajeve
Në verbim s’u vume cak,
E Nanës iu randue zemra,
Iku, e la ket prak!

O ju, që parzme hekuri 
Luftuet për besë e fe,
Idhtë tue valvitun flamurin, 
Shenjtnue me gjak e be,

Zgjoniu nën rrasa t’heshtuna,
Çoniu me pa mjerim!
Ndihma e Arbnisë s’pamposhtun
Ç’u ba?… Si drita u shkim!

Po a kurrë thue, ma kurrë Virgjina,
- me gjamë ka e thrret Shqipnia,-
S’do të ndrisë, si ndriti moteve
Përbrî Rozafës… Maria?!

Tepër lënguem kso shtigjesh,
Si fmija mbetë pa nanë,
Per ne ma dritë nuk lëshuene
As yj, as diell, as hanë!

Po a kurrë, ma kurrë s’do të ngrohemi?!
Pa shpresë do të rrimë të presim?
Po a e heshtun gjithmonë vallja
Do të mbesë në terr kah dënesim?!

Jo, jo! Pse qiellëve të epëra 
Zoti me dorë të vet
Ka shkrue: “E Zojës asht Shkodra,
e Zoja e Shkodrës së vet!”.

Qe te ato mure të ndrituna,
- zemra m’a ndien - ’i zani
Një popull në hov të galdimeve
tue brohoritë: “O ngani!”

Ktheu NANË! O ditë ma e bukura
Që Arbnia pret, ago!
Nanë ktheju e epnae hirin:
“N’ Fè Shenjte na vllazno!

At Pjetër Meshkalla S.J.
Shkodër, 1927


26 prill 2020, 16:48