Bartholomew I, Ecumenical Patriarch of Constantinople and of the Eastern Orthodox Church, conducts the Easter ceremony behind closed doors, to contain the spread of the Coronavirus COVID-19, at the St. George Church in Istanbul, Turkey, 19 April 2020 Bartholomew I, Ecumenical Patriarch of Constantinople and of the Eastern Orthodox Church, conducts the Easter ceremony behind closed doors, to contain the spread of the Coronavirus COVID-19, at the St. George Church in Istanbul, Turkey, 19 April 2020 

Bartolomeu e Kirilli, mesazhet për Pashkët ortodokse

Patriku i Kostandinopojës dhe Patriku i Moskës i shkruajnë urimet për Solemnitetin e sotëm të Pashkëve ortodokse, në kushtet e pandemisë së Coronavirusit: “Jemi të brishtë - nënvizojnë - por i përkasim Krishtit. Prandaj asnjë kufizim nuk duhet ta cënojë unitetin tonë”.

R. SH. - Vatikan

Nuk ka mesazh liderësh, politikë a shpirtërorë, që nuk i shikon sot ngjarjet e botës me syrin e perspektivës së pandemisë. Pashkët e Kishave ortodokse, që kremtohen sot, flasin për Ringjalljen e një njerëzimi që, ndërmjet ankthit e lutjeve, kërkon horizonte më të gjera, jashtë tunelit të errët, ku gjindet prej muajsh. Nuk i shmanget kësaj detyre, Patriku Ekumenik i Kostandinopojës i cili, në mesazhin e tij, shkruan:

“Besimi në Krishtin të jep forcë, ngulm e durim për t’i pranuar vështirësitë, sepse Krishti është Ai, që e shëron çdo sëmundje e që të ringjall nga vdekja. E është Ai, që vuajti për ne! Ai, që u tregoi njerëzve se Zoti është gjithnjë në favor tonë”. Ky është edhe mesazhi i shpresës, që sivjet Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, ua drejtoi ortodoksëve të mbarë botës që sot, sipas kalendarit julian, po kremtojnë Pashkët. Festë, që bie në kulmin e epidemisë  së Coronavirusit e që edhe Kishat ortodokse vendosën ta kremtojnë me porta të mbyllura, duke respektuar masat kufizuese marrë nga qeveritë:

 “Pandemia e koronavirusit të ri tregoi sa i ligshtë është njeriu, sa shpejt pushtohet nga frika e nga dëshpërimi, sa të pafuqishme janë dijet e tij e besimi i tij në vetvete, sa i pathemel opinioni se vdekja është fundi i jetës e se ta harrosh ose ta largosh mendimin prej saj, është mënyra më e drejtë për ta përballuar. Situata e fundit dëshmon se njeriu është i paaftë ta  drejtojë jetën e vet, kur beson se vdekja është vërtet e papërballueshme e kufiri i saj, i  pakapërcyeshëm. Po sa e vështirë është të mbetesh njerëzor,  pa shpresën e amshimit! Kjo shpresë jeton në zemrën e mjekëve, infermierëve, vullnetarëve, donatorëve dhe të gjithë atyre, të cilët po u japin bujarisht ndihmë vëllezërve, që vuajnë, me frymën e flijimit, të vetmohimit e të dashurisë. Në mes të gjithë kësaj krize të papërshkrueshme, ata e mbushin botën me parfumin e ringjalljes e të shpresës. Janë “samaritanët e mirë”, ata të cilët derdhin, duke rrezikuar jetën e tyre, vaj e verë mbi plagët, që i hapen çdo ditë njerëzimit; janë “cirenei në Golgotën e atyre, që dergjen në shtratin e sëmundjes”.

Patriku Kirill: Feja na jep forcë të jetojmë me ndihmën e Zotit

Nga Moska, Patriku Kirill shpreh ndjenjat e besimtarëve, të mbetur pa jetë kishtare. “Feja - siguron - të jep forcë të jetosh e, me ndihmën e Zotit, t’i durosh të këqijat e vuajtjet e ndryshme, posaçërisht ato, që po e godasin sot me përhapjen e virusit të rrezikshëm Covid-19, i cili po e vë mbarë njerëzimin në provë të jashtëzakonshme”. Por - shton Patriku rus - jemi të thirrur ta ruajmë paqen shpirtërore, duke kujtuar fjalët e Krishtit, shqiptuar natën e Mundimeve të Tij shëlbuese: “Do të keni trazira në botë, por mos e humbisni guximin: unë e munda botën!”.

18 prill 2020, 12:02