Kërko

Papa Papa 

Papa kremton ditën e emrit: për shumë vjet Shën Gjergjin!

Në përkujtimin liturgjik të Shën Gjergjit, Papa kremton ditën emrit, që i vunë prindërit në Pagëzim: Gjergj. Emrin e Shën Gjergjit, sinonim me ardhjen e pranverës, që në viset tona kremtohet me gema të lulëzuar, varur mbi dyert e shtëpive. Gjergjit martir, që mbyti kuçedrën e u martirizua për Krishtin

R.SH. - Vatikan

Sot, 23 prill, Kisha kremton festën liturgjike të shën Gjergjit, që është edhe dita e emrit të Papës Françesku. Vërtet, ai quhet Jorge (Gjergj në shqip) Mario Bergoglio. E natyrisht sot Papa mori shumë mesazhe urimi për ditën e emrit. Ndërmjet tyre, kujtojmë mesazhin e Sekretarit të Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, Gjergj Meta, i cili i bën urimet më të përzemërta.

E me rastin e ditës së emrit të Papës Jorge, që kremtohet sot, në festën e Shën Gjergjit, kujtojmë se në përfundim të çdo takimi, publik apo privat, edhe në periudhën e koronavirusit, në përfundim të çdo kremtimi, Papa Françesku kërkon të lutemi për të. E këtë e bëjnë shumë njerëz, e sigurisht jo vetëm katolikë, në mbarë botën. Prandaj, për festën e shën Gjergjit, ditën e emrit të tij, kujtimi në uratën ‘pro pontificie nostro’ bëhet më i përzemërt, me fjalët e lashta që po përsërisim edhe në emër të gjithë dëgjuesve e lexuesve të Radio Vatikanit – Vatican News: ‘dominus conservet eum et vivificet eum”.  

Urime, Atë i Shenjtë. Ju falënderojmë për  fjalët tuaja, që na marrin për dore për të na çuar në zemrën e Ungjillit.  Ju falënderojmë që jeni, kështu si jeni! Me ju, Zoti na bëri një dhuratë të madhe. Me jetën tuaj, me mënyrën si e shpjegoni Ungjillin, na nxisni ta ndjejmë Jezusin si pjesë të pandarë të jetës sonë të përditshme, plot mëshirë e dhembshuri. Ju, o Atë i dashur i Shenjtë Jorge, tashmë bëni pjesë në jetën e secilit nga ne, me shembullin tuaj, me punën e palodhur, me ngulmin tuaj për ta dashur Zotin, për t’ia hapur zemrën, edhe kur është thellësisht e plagosur, për t’ia përhapur fjalën në skajet më të largëta të tokës. E kur nuk mund të shkojmë aq larg, për ta bërë të pranishëm pranë, atje ku jetojmë dhe punojmë. Zoti ju ndihmoftë e ju ndriçoftë!

Falënderojmë Shpirtin Shenjt Zot, që i dhuroi Kishës, Popullit të Zotit dhe mbarë njerëzimit një Gjergj si Ju: bari e mësues, që di t’i vlerësojë shenjat e kohëve! Nisëm t’ju duam që në çastin kur na kërkuat të luteshim për Ju, nga lozha e bazilikës së Shën Pjetrit, ku ju pamë për herë të parë si Papë. Një Papë i panjohur, i ardhur nga fundi i botës, që u bë menjëherë i afërt, i njohur e i dashur, jo më me emrin Gjergj, marrë në Pagëzimin e parë, por me emrin simbolik Françesk, marrë në pagëzimin e madh të papnisë.

Ju falënderojmë që pranuat ta ngjitni çdo ditë Kalvarin, duke mbartur mbi supe kryqin e mundimeve të botës, kryqin e secilit nga ne dhe heroizmin e së njëjtës luftë, që pati bërë Shën Gjergji, martir, Shenjti, emrin e të cilit e morët në pagëzim, me armikun më të madh të njerëzimit, me të keqin, për ta lulëzuar vreshtin e Zotit, duke e pastruar nga të gjithë gjarpërinjtë, që e rrethojnë.

Sot e bashkojmë zërin tonë me urimet, që i kanë ardhur e vijojnë t’i vijnë Papës Jorge Françesku nga mbarë bota, duke i drejtuar edhe lutjen Zotit për Papën tonë, që ta mbushë me gjallëri e forcë për impenjimet e ardhshme të fesë e në shërbim të njerëzimit mbarë.

E me gjithë zemër një zëri i urojmë Papës Jorge këtë ditë emri: E gëzofsh emrin. Urime, Atë i Shenjtë Jorge. Ju falënderojmë për  fjalët tuaja, që na marrin për dore për të na çuar në zemrën e Ungjillit.

Gëzuar ditën e emrit! Urime! Për shumë mot! Gëzuar!

23 prill 2020, 10:04