Mjeshtri i Madh i Urdhërit të Maltës, Fra Dalla Torre Mjeshtri i Madh i Urdhërit të Maltës, Fra Dalla Torre 

Ndërroi jetë Mjeshtri i Madh i Urdhërit Sovran të Maltës

Sonte ndërroi jetë, në Romë, Fra’Giacomo Dalla Torre del Tempio di Sanguinetto, 75 vjeç. Si hyri në Urdhër, më 1985, kreu një sërë detyrash, deri në rolin e drejtuesit, duke u dalluar për vëmendjen e veçantë ndaj shtresave më të ligshta të shoqërisë. Komendatori i Madh, Fra’ Ruy Gonçalo do Valle Peixoto de Villas Boas, mori mbi vete detyrën e Mëkëmbësit.

R. SH. - Vatikan

 “Njeri me humanizëm të spikatur dhe përkushtim të thellë ndaj jetës bamirëse”. Kështu kujtohet në faqen e internetit të Urdhërit Sovran të Maltës, Fra’ Giacomio Dalla Torre del Tempio di Sanguinetto, i cili  qe zgjedhur Mjeshtër i Madh më 2 maj të vitit 2018. Mjeshtri i Madh Dalla Torre del Tempio, që ishte i sëmurë prej disa muajsh, lindi më 9 dhjetor 1944, në Romë, ku edhe u shkollua, për t’ju kushtuar angazhimeve akademike, pasi kishte kryer studimet për letërsi e filozofi në Universitetin La Sapienza, duke u specializuar në Arkeologjinë e krishterë dhe në Historinë e Artit, për të studiuar, më pas, edhe greqishten e lashtë, pranë Universitetit Papnor Urbanian. U shqua gjithnjë për kujdesin ndaj të varfërve e të pastrehëve, të cilëve u shërbeu personalisht në zonat e varfra të Romës. Mori pjesë në një mori shtegtimesh në Loreto e në Asizi. I kushtoi vëmendje të posaçme edhe kampeve verore ndërkombëtare të Urdhërit për të rinjtë. Ishte i 80-ti Mjeshtër i Madh i Urdhërit të Maltës.

29 prill 2020, 13:17