Kryeministri italian Conte Kryeministri italian Conte 

Meshët akoma pa popull: ipeshkvijtë italianë, kundër vendimit të qeverisë

Kryeministri Conte shpjegon dekretin mbi rihapjet: rregullat për të gjitha veprimtaritë, ndërmjet të cilave, meshët, që do të vijojnë të kremtohen pa besimtarë. Notë proteste nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane: nuk mund ta pranojmë ta shikojmë të rrezikuar ushtrimin e lirisë së kultit. Pallati Chigi njihet me komunikatën e KII dhe do të studiojë së shpejti një protokoll për pjesëmarrjen e besimtarëve ndër kremtime.

R. SH. - Vatikan

“Ipeshkvijtë italianë nuk mund ta pranojnë që të vihet në rrezik ushtrimi i lirisë së kultit. Të gjithë duhet ta kenë të qartë se impenjimi i shërbimit në ndihmë të të varfërve, tejet domethënës në këtë emergjencë, lind nga një fe, që duhet të ushqehet në burimet e saja, posaçërisht në jetën sakramentore”. Kështu pohohet në një notë të Konferencës ipeshkvnore italiane, pas konferencës së shtypit të kryeministrit Giuseppe Conte, i cili paraqiti dje Dekretin e ri mbi fazën e dytë të emergjencës.

Pas “javëve të bisedimeve” - vijon nota – kur KII paraqiti Orientimet dhe Protokollet, përmes të cilave do të përballohej faza kalimtare, në respekt të plotë me të gjitha normat shëndetësore, Dekreti i Kryesisë së Këshillit të Ministrave, i shpallur mbrëmë, e përjashton plotësisht mundësinë për t’i kremtuar përsëri meshët me popull. “Kryesisë së Këshillit të Ministrave dhe Komitetit tekniko-shkencor u kujtohet detyra që të bëjnë dallime ndërmjet përgjegjësive të tyre për të dhënë udhëzime të sakta me karakter shëndetësor - e atyre të Kishës, që është e thirrur të organizojë jetën e bashkësisë së krishterë, duke respektuar masat e marra, por edhe duke e ruajtur plotësisht autonominë e saj”.

Nota kujton se ministrja e brendshme, Luciana Lamorgese pati pohuar, në gazetën “Avvenire” se “Qeveria po i studionte masat e nevojshme për krijimin e një hapësire më të gjerë lidhur me lirinë e kultit”: fjalë që u thanë më 23 prillin e kaluar, “pas  bisedave të vazhdueshme e plot gatishmëri ndërmjet Sekretarisë së përgjithshme të KII, Ministrisë së Brendshme dhe vetë Kryesisë së Këshillit të Ministrave. Bisedime, “gjatë të cilave Kisha i pranoi, jo pa dhimbje e ndjenjë përgjegjësie, kufizimet qeveritare për t’i bërë ballë emergjencës shëndetësore”. Në këtë dialog – saktëson nota - KII pati nënvizuar më se një herë “në mënyrë të qartë se - në çastin kur do të reduktoheshin kufizimet për t’i bërë ballë pandemisë - Kisha do të kërkonte ta rifillonte menjëherë veprimtarinë saj baritore”

Notë e Kryesisë së Këshillit të Ministrave

“Kryesia e Këshillit të Ministrave - pohohet në një notë të Pallatit Chigi –  u njoftua për kërkesat e KII dhe konfirmon çka njoftoi Kryetari Conte në konferencën e shtypit. Ditët e ardhshme do të studiohet një protokoll, që do të krijojë, sa më shpejt, mundësinë për pjesëmarrjen e besimtarëve  në kremtimet liturgjike, në kushtet e sigurisë së plotë”.

27 prill 2020, 11:07