Krishti u ngjall Krishti u ngjall 

Mesazh i përbashkët i Kishave të krishtera të Evropës për Pashkë: kremtojmë fitoren e jetës

Kryetarët e Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE) dhe të Konferencës së Kishave Evropiane (CEC) u drejtojnë sot të krishterëve një mesazh ekumenik për Pashkë, kremtuar në gjendjen e veçantë të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

R.SH. - Vatikan

“Këtë vit, e kremtojmë fitoren e Krishtit mbi vdekjen, në një kohë kur njerëzimi po lufton me pandeminë e Covid-19, e cila po e shkatërron botën, duke shkaktuar vdekje dhe vuajtje ndërmjet gjithë njerëzve”.

Kremtojmë në një mënyrë të re

         Kështu shkruhet në një mesazh të përbashkët ekumenik, nënshkruar nga Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE) dhe nga Konferenca e Kishave Evropiane (CEC). “Të krishterët po përgatiten të përkujtojnë mundimet dhe vdekjen e Krishtit, të kremtojnë ringjalljen e Tij në lavdi, në një mënyrë plotësisht të re”. Pikërisht në këto rrethana, kur shumë njerëz janë detyruar të mbyllen në shtëpi, ose ndodhen në izolim vullnetar, për shkak të pandemisë së koronavirusit, “besimtarët do ta kremtojnë fitoren e jetës, duke shpresuar që edhe ata ta mundin vdekjen”.

         Mesazhi, i nënshkruar nga kryetari i COMECE-s, kardinali Zhan-Claude Hollerich, jezuit, dhe nga rev. Christian Kreiger, kryetar i CEC-ut, thekson se tani, “më shumë se kurrë, ngjarjet aktuale na kujtojnë se shpresa është përmasë e fesë”.

Bartës të shpresës

Dy liderët e krishterë urojnë që Ungjilli i Pashkëve të ngjallë “këtë frymë shprese në zemrat e ne mendjet e të krishterëve”, në mënyrë që ata të bëhen “bartës të shpresës dhe të dritës në botën e rrëgjuar nga sa e sa vuajtje”.

Ata e përfundojnë mesazhin me lutjen, “Zoti, tri herë shenjt, Ai, që është dhe që do të vijë, e bekoftë grigjën e Tij dhe e ruajttë atë”. Në mbyllje, përshëndetja tradicionale e Pashkëve: “Krishti u ngjall, me të vërtetë u ngjall!”

COMECE dhe CEC

Kujtojmë se COMECE, Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian, është i përbërë nga Episkopatet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Misioni i tij është mbikëqyrja e procesit politik të Bashkimit Evropian në të gjitha fushat me interes për Kishën Katolike.

Konferenca e Kishave Evropiane, CEC (KEK), është bashkim i 114 Kishave ortodokse, protestante dhe anglikane, nga e gjithë Evropa, e punon për nxitjen e dialogut e të veprimit të përbashkët të të krishterëve në shoqëri.

08 prill 2020, 14:35