Domenica delle Palme - Gesù entra a Gerusalemme Domenica delle Palme - Gesù entra a Gerusalemme 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së Lartit ‘A’

Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na propozon dy ngjarje ngushtë të lidhura: hyrjen e Jezusit në Jerusalem dhe mundimet e Tij. Pra kemi dy pjesë: ritin e bekimit të degëve të ullinjve apo të degëve të pemëve të lulëzuara, para Meshës, dhe pjesën e dytë,Meshën, gjatë së cilës tregohet historia e mundimeve të Jezus Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të ndalemi tek Liturgjia e Fjalës së Zotit të Dielës së Larit apo të Dielës së Luleve, me të cilën Kisha e fillon Javën e madhe dhe të Shenjtë të Pashkëve.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së Lartit ‘A’

Pra me liturgjinë e kësaj së diele, e cila përkujton hyrjen solemne të Birit të Zotit, Jezu Krishtit në Jerusalem dhe historikun e mundimeve të Tija, Kisha, dëgjues të nderuar, na thërret të hyjmë në Javën e madhe të shenjtë të Pashkëve, dmth. në kremtimin e mistereve themelore të fesë së krishterë: të mundimeve, vdekjes mbi kryq dhe ngjalljes së Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të njerëzimit.

Kështu,pra, Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na propozon dy ngjarje ngushtë të lidhura: hyrjen e Jezusit në Jerusalem dhe mundimet e Tij. Pra kemi dy pjesë: para Meshës ritin e bekimit të degëve të ullinjve apo të degëve të pemëve të lulëzuara, e pjesën e dytë Meshën, gjatë së cilës tregohet historia e mundimeve të Jezu Krishtit.

Të ndjekësh Jezu Krishtit domethënë të jesh më Të në momente të lavdishme e në momente me vuajtje. Drama e Mundimeve na sjell të shohim Birin e Zotit për ne të përvujtëruar, të përbuzur, të shpotitur, të varur mbi një kryq ku vdes për ne. Jezusi Zot besnik ndaj planit e vullnetit të Atit e besnik ndaj dashurisë për njerëzimin mbarë. Jezusi Zot që ka marrë mbi vete braktisjen ekstreme në duar të Atit për të liruar njeriun nga mëkati e për t’ia kthyer edhe një herë gëzimin e bashkimit me Zotin.

Duhet të kujtojmë se të krishterë nuk kremtojmë apo bëjnë ritet fetare, por marrin pjesë në vuajtjen e Zotit Jezu Krishtit në jetën tokësore.Pra, të Dielën e Larit, Kisha përkujton dhe kremton hyrjen triumfuese të Krishtit, në qytetin e shenjtë të Jerusalemit ku kryhet misioni i tij tokësor. Duke përshkuar rrugët e Jerusalemit Jezusi është shpallur si biri i Davidit, i Bekuari në emër të Zotit. Turma pret Mesinë për rilindjen e një fuqie ekskluzivisht tokësore. Turma që tashmë është kaq e gatshme për të shpallur Mesinë, nesër do t’i kërkojë me zë të lartë Pilatit kryqëzimin e tij.

Jezusi, hyn në Jerusalem kaluar mbi një gomar, e jo me një kortezh mbretëror e me karroca të pasura e të fuqishme. Dy lavdi përballen me njëra tjetrën: ajo njerëzore e ajo e Hyjit. Jezusi do të lëvdohet nëpërmjet dhurimit total të vetvetes mbi kryq, i cili do të shfaqë fuqinë e dashurisë së Tij.

Me të Dielën e Larit fillojnë ditët në të cilat mundimet e Krishtit arrijnë kulmin. Ditët e fundit të jetës së Shpëtimtarit vënë në dukje dashurinë e pakufishme të Tij për ne. Në mundimet e Tij, Biri i Hyjit njeh pafundësinë e poshtërimit më të thellë: i arrestuar, i gjykuar dhe i dënuar me vdekje, i detyruar të çojë kryqin deri në Kalvar, dhe pastaj vdes në kryq për ne. Por fitorja është tashmë shumë afër: do të ringjallet të tretën ditë! Jezusi vetë kishte thënë: Askush nuk ka një dashuri më të madhe se kjo: të japë jetën për miqtë e vet. Neve Jezusi nuk na kërkon asgjë tjetër vetëm të mbajmë kryqin tonë bashkë me të. A jemi të gatshëm ta ndjekim në udhën e kryqit? Ta shpallim atëherë me gëzim Jezusin, si Mbreti i vërtetë i paqes dhe i mëshirës.  

Përkujtimi i hyrjes së Jezu Krishtit në Jerusalem 

Ungjilli (Mt 21, 1-11)
Ashtu si turma e hebrenjve, edhe ne bekojmë Krishtin Zot që na prezantohet si Bari udhëheqës i popullit të tij. Ai është mbreti i ëmbël dhe i butë që do të shërbejë dhe jo të shërbehet nga populli i vet.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Kur iu afruan Jerusalemit e mbërritën në Betfage, në malin e Ullinjve, atëherë Jezusi dërgoi dy nxënës e u tha: “Shkoni në fshat që është kundruall! Aty menjëherë do të gjeni një gomare të lidhur e me të një gaç. Zgjidhni e m’i sillni! Nëse ndokush ju thotë gjë, thoni: ‘Po i duhen zotërisë’, dhe menjëherë do t’i lëshojë.” Ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e profetit që thotë: “Thoni qytetit Sion: Ja, Mbreti yt po vjen te ti i butë, kalor mbi gomare e mbi gaç, zog të gomares”. Nxënësit shkuan e bënë siç u urdhëroi Jezusi, sollën gomarin e kërriçin. Mbi ta vunë petkat e veta, e Jezusi hypi mbi to. Moria e popullit shtroi petkat e veta gjatë rrugës e tjerët thenin degë lisash dhe i qitnin rrugës, e populli, që shkonte para e pas tij, brohoriste: “Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në Emër të Zotit! Hosana në qiejt më të lartat!” Kur Jezusi hyri në Jerusalem, mbarë qyteti u çua në këmbë dhe pyeste: “Kush është?” E turma i përgjigjej: “Ky është Profeti, Jezusi prej Nazaretit të Galilesë!” Fjala e Zotit!

MESHA

Leximi i parë (Is 50, 4-7)
Profeti Isaia shumë vjet më parë prezanton shërbëtorin e Zotit që pranon persekutime për dashurinë e popullit të vet. Ai mëson nga Hyji si të reagojë duke përdorur forcën e jo dhunës, ai i beson mbrojtjen e tij vetë Hyjit. Kështu i ndodhi Jezusit gjatë mundimeve të tij: pranoi poshtërimet për të çliruar zemrën e njeriut nga errësirat e urrejtjes.

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin. Çdo mëngjes veshin ma zgjon që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi. Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrahin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si shkëmbi pse e di se s’do të mbetem i turpëruar. Fjala e Zotit!

Psalmi 22 (21)

Ref: O Zot, o Zot, përse hoqe dorë prej meje.
____________________________________________

Gjithkush më shikon, më përqesh,
shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:
“Shpresoi në Zotin: le ta lirojë,
le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!”

_____________________________
Më rrethuan qen me shumicë,
turmë keqbërësish më rrethuan gjithkah.
M’i shporuan duart e këmbët
mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi,
________________________________

Petkat e mia ndër vete i ndajnë
e mbi petkun tim qesin short.
Por ti, o Zot, mos rri larg meje,
fuqia ime shpejto të më ndihmosh!
_____________
E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd,
do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:
“Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë,
mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!
Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë.
_________________

Leximi i dytë (Fil 2, 6-11)
Shën Pali tregon se Jezusi ka pranuar plotësisht vdekjen në kryq. Ai u bë njeri me anë të mishërimit dhe u bë shërbëtor i njerëzve me anë të mundimeve. Jezusi, duke pranuar lirisht dhe për dashuri planin e Atit gjatë mundimeve, ka arritur fitoren e amshuar të ringjalljes.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Krishtin Jezus i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekjen në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi dhe i dha emrin që është mbi çdo emër që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë dhe çdo gjuhë të dëshmojë: ‘Jezu Krishti është Zot!’ Në nder të Hyjit Atë. Fjala e Zotit!

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi dhe i dha emrin që është mbi çdo emër.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli (Mt 26, 14 – 27, 66)
Ungjilltari Mateu përshkruan dy aspekte të mundimeve të Jezusit: mundimet janë zbulimi i dashurisë së Hyjit për njeriun dhe së dyti paraqesin ndarjen përfundimtare mes botës së judenjve dhe të krishterëve të cilët duhet të bëjnë një zgjedhje, duhet të vendosin për Krishtin. Mateu do t’i bindë të krishterët e lindur nga judaizmi që plani i Hyjit mbi njeriun realizohet nëpërmjet shërbëtorit të vuajtur të kryqit. Dhe gjithashtu Mateu sheh në kryq fundin e erës së vjetër dhe fillimin e besëlidhjes së re.

MUNDIMI I ZOTIT TONË JEZU KRISHT SIPAS MATEUT
Lexuesi: Në atë kohë, njëri prej të Dymbëdhjetëve - ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë dhe u tha:
Juda: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?”
Lexuesi: Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta. Që atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar. Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën:
Nxënësit: “Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?”
Lexuesi: Ai u tha:
Jezusi: “Shkoni në qytet te filani dhe thoni: Mësuesi thotë: koha ime është afër! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.”
Lexuesi: Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe përgatitën darkën e Pashkëve. Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. Ndërsa po hanin, ai u tha:
Jezusi: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!”
Lexuesi: Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit:
Nxënësit: “A mos jam unë, Zotëri?”
Lexuesi: Ai iu përgjigj:
Jezusi: “Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë - ai do të më tradhtojë. Po, Biri i njeriut patjetër po shkon sikur se është në Shkrimin e shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të qëas të mos kishte lindur aspak!”
Lexuesi: Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij:
Juda: “A mos jam unë, Mësues?”
Jezusi: “E the vetë!” –
Lexuesi: i përgjigji Jezusi. Ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, i dha lavdi Hyjit, e theu, ua dha nxënësve të vet e tha:
Jezusi: “Merrni, hani: ky është korpi im!” 3
Lexuesi: Pastaj mori kelkun, u falënderua, ua dha e tha:
Jezusi: “Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im - gjaku i Besëlidhjes - që do të derdhet për të gjithë në shpërblim të mëkateve. Unë po ju them: që tani nuk do të pi më kësi fryti hardhie deri atë ditë, kur, bashkë me ju, do të pi - një verë të re - në Mbretërinë e Atit tim.”
Lexuesi: Dhe, pasi kënduan himnin, dolën për të shkuar në Malin e Ullinjve. Atëherë Jezusi u tha:
Jezusi: “Të gjithë ju sonte do ta humbni besimin në mua. Sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Do t’i bie bariut e delet e tufës do të shpërndahen!’ Porse, kur të ngjallem, do të shkoj para jush në Galile.”
Lexuesi: Atëherë Pjetri iu përgjigj:
Pjetri: “Po qe se edhe të gjithë do ta bjerrin besimin në ty, unë assesi nuk do ta bjerr besimin në ty!”
Lexuesi: Jezusi i tha:
Jezusi: “Për të vërtetë po të them: pikërisht sonte, para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh!”
Lexuesi: Pjetri i tha:
Pjetri: “Po edhe në qoftë se duhet të vdes bashkë me ty, nuk do të mohoj!”
Lexuesi: Kështu thanë edhe të gjithë nxënësit e tjerë. Atëherë Jezusi mbërriti me nxënës në një kopsht, që quhej Gjetseman dhe u tha:
Jezusi: “Rrini këtu, derisa unë të shkoj atje e të lutem.”
Lexuesi: Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut. Atëherë filloi të trishtohej e të ngushtohej. E u tha:
Jezusi: “Shpirtin ma kaploi një trishtim që çon në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua!”
Lexuesi: Pastaj u largua pakëz, ra me fytyrë për dhé e lutej:
Jezusi: “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti.”
Lexuesi: Dhe u kthye te nxënësit, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit:
Jezusi: “Si kështu, s’mundët të rrini zgjuar me mua as për një orë të vetme? Rrini zgjuar e lutuni të mos bini në tundim! Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.” 4
Lexuesi: Prapë shkoi të dytën herë e u lut:
Jezusi: “Ati im! Nëse s’mund të kalojë ky kelk mundimesh pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!”
Lexuesi: U kthye përsëri dhe i gjeti fjetur, sepse gjumi ua kishte rënduar sytë. I la, prapë u largua dhe u lut edhe të tretën herë duke
përsëritur të njëjtat fjalë. Atëherë u kthye te nxënësit e u tha: Jezusi: “Flini tashmë e pushoni! Ja, arriti ora, kur Biri i njeriut po u bie në dorë mëkatarëve. Ngrihuni të shkojmë! Ja, po afrohet tradhtari im!”
Lexuesi: Ndërsa ai ende po fliste, ja, erdhi Juda - njëri prej të Dymbëdhjetëve, e me të një turmë e madhe e armatosur me shpata e me shkopinj. E kishin dërguar kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. Tashti tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: u kishte thënë.
Juda: “Ai kë unë të puth - ai është! Atë kapeni!”
Lexuesi: Menjëherë iu afrua Jezusit e i tha:
Juda: “Të falem, Mësues!”
Lexuesi: dhe e puthi. Jezui i tha:
Jezusi: “Mik, kryej punën tënde!”
Lexuesi: Atëherë u afrua turma. Çuan dorë në Jezusin dhe e kapën. Dhe ja, njëri prej atyre që ishin me Jezusin, çoi dorën, nxori shpatën e vet, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin. Atëherë Jezusi i tha: Jezusi: “Ktheje shpatën tënde në vend të vet! Sepse të gjithë ata që kapen për shpate, prej shpatës edhe do të vdesin. A ndoshta ti kujton se unë nuk mund t’i lutem Atit tim dhe se Ai nuk kishte për të m’i dërguar menjëherë dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Mirëpo, si atëherë do të plotësoheshin fjalët e Shkrimit të shenjtë, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?”
Lexuesi: Atëherë Jezusi iu drejtua turmës:
Jezusi: “Dolët me shpata e me shkopinj të më zini si të isha unë cub. E pra, ditë për ditë rrija me ju duke mësuar në Tempull, e nuk më kapët. Por, të gjitha këto ndodhën për të shkuar në vend Shkrimet e profetëve.” 5
Lexuesi: Atëherë të gjithë nxënësit e lanë e ikën. Tashti, ata që e kapën Jezusin, e çuan te kryeprifti Kajfë, ku ishin tubuar skribët e pleqtë. Pjetri e ndoqi prej së largu deri në oborr të kryepriftit. Hyri brenda dhe po rrinte me shërbëtorët për të parë si do të merrte fund puna. Krerët e priftërinjve e tërë Këshilli i lartë kërkonin dëshmi të rrëjshme kundër Jezusit për ta vrarë. Por nuk gjetën, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rrejshëm. Në fund u paraqitën dy e thanë
Dëshmitarë të rrejshëm: “Ky njeri ka thënë: ‘Unë mund ta rrënoj Tempullin e Hyjit e mund ta ndërtoj rishtas për tri ditë.’”
Lexuesi: Atëherë u çua kryeprifti e i tha:
Kryeprifti: “Ti s’po përgjigjesh fare për atë çka këta po dëshmojnë kundër teje?”
Lexuesi: Por Jezusi heshtonte. E kryeprifti i tha: Kryeprifti: “Po të përbej me Hyjin e gjallë, na thuaj, a je ti Mesia, Biri i Hyjit?”
Lexuesi: Jezusi i përgjigji:
Jezusi: “Ti the! E unë po ju them: Pas kësaj do ta shihni: Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e të Gjithëpushtetshmit dhe duke ardhur
mbi retë e qiellit.’”
Lexuesi: Atëherë kryeprifti i shqeu petkat e veta e tha:
Kryeprifti: “Shau Hyjin! Ç’na duhen më dëshmitarët? Ja, pra, vetë e dëgjuat blasfeminë. Ç’ju thotë mendja?”
Populli: “Meriton të vdesë!”
Lexuesi: - përgjigjën ata. Atëherë filluan ta pështyjnë në fytyrë, t’i bien grushta e disa të tjerë shuplaka dhe i thoshin:
Populli: “Na trego, o Krisht, kush të ra?”
Lexuesi: Ndërkaq Pjetri rrinte përjashta, në oborr. Dhe ja, iu afrua një shërbëtore e i tha: Shërbëtorja I. “Edhe ti ishe me Jezu Galileasin.”
Lexuesi: Por ai, para të gjithëve, i ra mohit me këto fjalë:
Pjetri: “Nuk di ç’po thua!” 6
Lexuesi: Dhe, ndërsa po i afrohej derës për të dalë jashtë, e vuri re një shërbëtore tjetër e u tha të pranishmëve: Shërbëtorja II. “Ky ishte me Jezu Nazarenin.”
Lexuesi: E ai prapë e mohoi me be:
Pjetri: “As që e njoh atë njeri!”
Lexuesi: Pakëz më vonë, u afruan ata që ishin aty e i thanë Pjetrit:
Grupi: “Vërtet, edhe ti qenke një prej tyre! Ja, edhe mënyra e të folurit tënd të zbulon!”
Lexuesi: Atëherë Pjetri ia nisi të lëshojë be e rrufe se nuk e njihte atë njeri. S’vonoi, këndoi gjeli! Atëherë Pjetrit i ra në mend fjala që ia pati thënë Jezusi: “Para se të këndojë gjeli, tri herë do të më biesh mohit". Doli përjashta dhe qau me lot për faqe. Kur zbardhi drita, të gjithë kryepriftërinjtë e Pleqësia e popullit u mblodhën në kuvend kundër Jezusit për ta dënuar me vdekje. E, pasi e lidhën, e çuan dhe ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit të vendit. Atëherë Juda - ai që e tradhtoi, kur pa se e dënuan Jezusin, i brejtur nga ndërgjegjja, ua ktheu kryepriftërinjve e pleqve të popullit tridhjetë siklat e argjendta e tha:
Juda: “Mëkatova që dorëzova gjakun e pafaj!”
Grupi: “Ç’na lypet neve! Punë për ty!”
Lexuesi: i përgjigjën ata. Juda i hodhi siklat e argjendta në Tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar. Kryepriftërinjtë i mblodhën siklat e argjendta e thanë:
Grupi: “S’është e lejueshme të shtihen në arkë të Tempullit, sepse janë çmim gjaku.”
Lexuesi: Dhe, pasi u këshilluan, blenë me to arën e një vorbëtari për varreza të shtegtarëve. Prandaj ajo arë quhet deri më sot: ‘Ara e Gjakut’. Kështu shkoi në vend fjala e Jeremisë profet: ‘Morën tridhjetë sikla argjendi, çmimin e të Çmuarit, që e çmuan bijtë e Izraelit dhe e shpenzuan për arën e vorbëtarit, sikurse më urdhëroi vetë Zoti.’ E qitën, pra, Jezusin para qeveritarit. Qeveritari e pyeti:
Ponc Pilati: “A je ti mbreti i judenjve?”
Lexuesi: Jezusi iu përgjigj:
Jezusi: “Vetë po thua!”7
Lexuesi: E ndërsa kryepriftërinjtë e pleqtë e paditnin, - s’u përgjigj asnjë fjalë. Atëherë e pyeti Pilati:
Ponc Pilati: “A nuk po dëgjon sa rëndë po dëshmojnë kundër teje?”
Lexuesi: Jezusi nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që qeveritari u habit për së tepërmi. Për të kremten e Pashkëve qeveritari e kishte zakon t’ia falë popullit atë të burgosur, që populli kërkonte. Tashti, asohere, ishte i burgosur një njeri i përmendur për të keq, që quhej Baraba. Atëherë Pilati u tha atyre që ishin mbledhur aty:
Ponc Pilati: “Cilin dëshironi ta liroj: Barabën, apo Jezusin që quhet Krisht?”
Lexuesi: Sepse e dinte fare mirë se Jezu Krishtin e kishin dorëzuar prej smire. Ndërsa qeveritari po rrinte në gjykatore, gruaja e tij e porositi:
Gruaja e Pilatit: “Mos u përziej assesi në çështje të atij të drejti, sepse sonte pësova shumë në ëndërr për shkak të tij.”
Lexuesi: Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen popullit të kërkonte çlirimin e Barabës e Jezusin ta vriste. Atëherë qeveritari i pyeti:
Ponc Pilati: “Cilin ndër këta të dy doni t’jua liroj?”
Populli: “Barabën”
Lexuesi: – i përgjigjën ata. E Pilati i pyeti:
Ponc Pilati: “Ç’të bëj, pra, me Jezusin që quhet Krisht?”
Lexuesi: Të gjithë u përgjigjën:
Populli: “Të kryqëzohet!”
Lexuesi: Por ai u tha: Ponc Pilati: “Ç’të keqe bëri?”
Lexuesi: Por ata bërtitnin edhe më fort:
Populli: “Të kryqëzohet!”
Lexuesi: Kur Pilati pa se s’po arrinte asgjë e se pështjellimi shkonte duke u shtuar, mori ujë dhe, në sy të popullit, i lau duart duke thënë:
Ponc Pilati: “Unë jam i pafajshëm për këtë gjak! E heqshi ju!”
Lexuesi: Mbarë populli tha:8
Populli: “Gjaku i tij rëftë mbi ne e mbi fëmijët tanë!”
Lexuesi: Atëherë ua liroi Barabën, kurse Jezusin, pasi e frushkulloi, ua dorëzoi të kryqëzohet. Atëherë ushtarët e qeveritarit e shtinë Jezusin në pallatin e qeveritarit dhe mblodhën rreth tij tërë kohortën. E zhveshën dhe i hodhën krahëve një mantel të kuq. Pastaj gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në kokë, ndërsa në dorën e djathtë i dhanë një kallam. Pastaj binin në gjunj para tij për ta vënë në lojë dhe i thoshin:
Grupi: “Të falemi, mbreti i judenjve!”
Lexuesi: E pështynin, ia morën kallamin e me të i binin kokës. Pasi e vunë në lojë, ia hoqën mantelin e kuq, e veshën me petkat e tija dhe e çuan për ta kryqëzuar. E ndërsa po dilnin në rrugë, takuan një njeri nga Cirena që quhej Simon dhe e detyruan ta mbarte kryqin e tij. Kur arritën në vendin e quajtur Golgotë - d.m.th. Vendi i Kafkës - i dhanë të pijë verë të përzier me tëmth e, pasi e kërkoi, s’deshi ta pijë. Atëherë e gozhduan në kryq dhe me short i ndanë mes tyre petkat e tij. Pastaj ndenjën dhe e ruanin. Mbi kokë ia vunë shkresën e arsyes së dënimit: “Ky është Jezusi, mbreti i judenjve.” Bashkë me të kryqëzuan dy cuba, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë. Kalimtarët, pastaj, e shanin duke luajtur me kokë në shpoti dhe thoshin:
Populli: “Ti që e rrënon Tempullin e për tri ditë e rindërton, shpëto vetveten! Nëse je Biri i Hyjit, zbrit nga kryqi!”
Lexuesi: Po ashtu edhe kryepriftërinjtë me skribë e me pleq, duke e përqeshur, i thoshin:
Grupi: “Të tjerët i shpëtoi, vetveten s’po mundet ta shpëtojë! Është mbreti i Izraelit! Le të zbresë tani prej kryqit e do t’i besojmë! Ka shpresuar në Hyjin, le ta lirojë tani, nëse e do përnjëmend!’ Sepse vetë tha: ‘Jam Biri i Hyjit!’“
Lexuesi: Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin të kryqëzuar me të. Që prej orës gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi mbarë tokën. Rreth orës nëntë, Jezusi klithi me zë të madh:
Jezusi: “Eli, Eli! Lema sabakthani?
Lexuesi: - që d.m.th:
Jezusi: Hyji im, Hyji im! Përse hoqe dorë prej meje!”
Lexuesi: Disa prej të pranishmëve, kur dëgjuan, thanë:
Grupi: “Ky po thërret Elinë!”9
Lexuesi: Aty për aty u turr njëri prej tyre, mori një shpuzë, e zhyti në uthull, e vari në kallam e ia shtriu ta pinte. Të tjerët i thoshin:
Populli: “Lëre të shohim pale a po vjen Elia për ta shpëtuar!”
Lexuesi: E Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të madh e - dha shpirt. Në këtë moment meshtari së bashku me mbarë popullin binen në gjunj dhe qëndrojnë disa minuta në qetësi. Pastaj të gjithë ngriten në këmbë dhe vazhdon leximi:
Lexuesi: Dhe, ja, veli i Tempullit u shqye në dy pjesë, prej majës e deri në fund; toka u lëkund e shkëmbinjtë plasën, varret u hapën e u ngjallën shumë trupa të drejtësh që kishin vdekur. Pas ngjalljes së Jezusit dolën prej varreve, erdhën në Qytetin e shenjtë dhe iu dëftuan shumëkujt. Një frikë e madhe e kapi centurionin dhe ata që bashkë me të po e ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, thanë:
Grupi: “Me të vërtetë ky paska qenë Biri i Hyjit!”
Lexuesi: Aty ndodheshin e vërenin prej së largu shumë gra, të cilat Jezusin e kishin përcjellë që prej Galilesë dhe i kishin shërbyer. Ndër to ishte Maria Magdalenë, Maria nëna e Jakobit dhe e Jozefit edhe nëna e bijve të Zebedeut. Kur u bë natë, erdhi një pasanik nga Arimateja, që quhej Jozef. Ishte edhe ky nxënës i Jezusit. Jozefi shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit. Pilati urdhëroi t’i jepej trupi. Jozefi mori trupin, e mbështolli në pëlhurë të pastër dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që e kishte çelur në shkëmb. Pastaj rrokullisi në derë një gur të madh dhe shkoi. Aty ishin Maria Magdalenë edhe Maria tjetër; rrinin kundruall varrit. Të nesërmen, që ishte dita pas Përgatitjes - u bashkuan kryepriftërinjtë e farisenjtë te Pilati dhe i thanë:
Grupi: “Zotëri, na ra në mend se ai gënjeshtar, deri sa ishte ende gjallë, tha: ‘Pas tri ditësh do të ngjallem.’ Prandaj urdhëro të ruhet varri deri të tretën ditë, që të mos vijnë nxënësit e tij, ta vjedhin e t’i thonë popullit: ‘U ngjall së vdekuri.’ E gënjeshtra e fundit do të jetë më e zezë se e para.”
Ponc Pilati: “Rojën e keni! Shkoni e merrni masat e sigurimit si jua merr mendja.”
Lexuesi: - u përgjigji Pilati. Ata shkuan dhe e siguruan varrin: e vulosën gurin dhe vunë rojën. 10 Fjala e Zotit!

Po kujtojmë edhe personazhet e leximit të mundimit të Krishtit:
Lexuesi;
Jezusi;
Pjetri;
Juda;
Grupi;
Gruaja e Pilatit;
Kryeprifti;
Shërbëtorja I.;
Shërbëtorja II.;
Ponc Pilati;
Dëshmitarë të rrejshëm;
Populli;
Nxënësit

03 prill 2020, 18:35