Mesha e Papës në Shën Martë Mesha e Papës në Shën Martë 

Kungimi shpirtëror

Artikulli i dytë i “Ditarit të krizës”, nga Federico Lombardi. Emergjenca, që po kalojmë në përpjekjen e mundimshme për të jetuar pa Eukaristinë, na çoi në zbulimin e kungimit shpirtëror.

R. SH. - Vatikan

Federico Lombardi

Kur ne, që sot jemi pleq, ishim fëmijë, në katekizëm na flisnin shpesh për “kungimin shpirtëror”. Na thoshin se mund të bashkoheshim shpirtërisht me Jezusin, që flijohej në altar, edhe nëse nuk e bënim kungimin sakramentor, duke e marrë fizikisht hosten e shuguruar. “Kungimi shpirtëror” ishte praktikë fetare, që synonte të na bënte të ndjeheshim të bashkuar në mënyrë më të vazhdueshme me Jezusin, e jo vetëm kur e merrnim  kungimin gjatë Meshës, por edhe në vende e çaste të tjera. Nuk ishte alternativë e kungimit sakramentor por, në një farë mënyre, e vijonte dhe e përgatiste, në vizitat tek i Shenjtnueshmi Sakrament ose në kohë të tjera lutjeje. Pastaj nuk dëgjuam të flitej më për të gjatë disa dekadave.  Theksimi i pjesëmarrjes në Meshë, edhe duke u kunguar, gjë sigurisht e mirë, ndikoi për t’i lënë në hije përmasat e tjera tradicionale të devocionit të krishterë.

Nisa të mendoj ngulmueshëm për “kungimin shpirtëror”, në një rast të jashtëzakonshëm. Gjatë Ditës Botërore të Rinisë në Madrid, në vitin 2011, një stuhi e papritur i shkatërroi gjatë natës shumicën e çadrave, ku qenë përgatitur hostet, që do të shguroheshin për kungimin e pothuajse një milion të rinjve, të pranishëm në Meshën përfundimtare të ditës së nesërme. Kështu, në Meshën e madhe, kryesuar nga Papa, vetëm një pjesë e vogël të rinjsh mundi ta marrë kungimin sakramentor, sepse mungonin hostet. Shumë mbetën keq - të paktën në çastin e parë - e u duk  sikur kjo ditë Botërore po dështonte, sepse i mungonte diçka themelore, në çastin kulmor të ngjarjes. U desh shumë impenjim, e edhe shumë kohë, për t’i ndihmuar të rinjtë që ta kuptonin se akti fizik i marrjes së hostes shenjte është tepër i rëndësishëm, por nuk është mënyra e vetme dhe e domosdoshme për t’u bashkuar me Jezusin e me korpin e Tij, që është Kisha.

Tani Papa Françesku gjatë Meshës së mëngjesit në Shën Martë, i nxit besimtarët të luten me të, pa qenë fizikisht të pranishëm, e të marrin  “kungimin shpirtëror”. E bën këtë, duke u propozuar një nga formulat tradicionale, të mësuara gjatë së kaluarës nga mjeshtrat e mirë shpirtërorë të popullit të krishterë; formula, që ishin familjare për shumë nga nënat tona, gjyshet tona, atyre, që shkonin çdo ditë në Meshën e mëngjesit heret, por që dinin të ishin në bashkim me Zotin, në mënyrën e tyre, edhe gjatë strapacëve të ditës.

Ndërmjet kujtimeve të kohës së katekizmit, më vjen në mend edhe një  figure, në qendër të së cilës ishte një meshtar, që lartonte hosten e shuguruar e, rreth tij, si në fushën e një sahati, tregoheshin orët e mëngjesit të vendeve e kontinenteve të ndryshme, ku meshtarët kremtonin meshën (e cila asokohe kremtohej vetëm në mëngjes). Ishte mënyrë për të kujtuar se në mbarë botën përsëritej pambarimisht flijimi i Krishtit, që vdes për ne, e se të gjithë mund të bashkoheshim shpirtërisht me Të e me flijimin e Tij.

“Kungimi shpirtëror”, kur nuk mund të merret ai sakramentor, quhet me të drejtë edhe “kungim i dëshirës”. Do të thotë, të dëshirosh  që jeta jote të bashkohet me Jezusin, posaçërisht me flijimin për ne mbi Kryq. Në këtë kohë të zgjatur të agjërimit eukaristik të detyruar, shumë njerëz, të cilët qenë mësuar të bënin kungimin e vazhdueshëm sakramentor, e ndjenë tepër mungesën e “bukës së përditshme” eukaristike. Në mënyrë vërtet të jashtëzakonshme, ishte Kisha vetë ajo që pranoi t’ua impononte besimtarëve këtë agjërim, si shenjë solidariteti e pjesëmarrjeje në jetën e popujve të tërë, të detyruar nga pandemia t’i nënshtroheshin kufizimeve, mungesave e vuajtjeve. Ashtu si dashuria e bashkëshortëve, që detyrohen të rrinë larg për arsye të rëndësishme, mund ta thellojë pjekurinë, besnikërinë e pastërtinë, kështu edhe agjërimi eukaristik mund të bëhet kohë e rritjes në fe, e dëshirës për dhuratën e kungimit sakramentor, e solidaritetit me ata që, për arsye të ndryshme, nuk mund ta shijojnë,  e çlirimit nga spontaneiteti i zakonit… Të kuptosh përsëri se Eukaristia është dhuratë mahnitëse e Zotit Jezus, jo e natyrshme,  as e zakonshme  …. Por për t’u dëshiruar me gjithë zemër… vazhdimisht…Thua mund të jetë edhe kjo pasojë e kësaj kohe tronditëse?

19 prill 2020, 13:31