Zoja e Këshillit të Mirë Zoja e Këshillit të Mirë 

Kisha bosh - Kisha plot!

I jashtëzakonshëm, kremtimi i Festës të Pajtores së Shqiptarëve, Zojës së Këshillit të Mirë, sivjet... në shenjtëroren e Marisë, rrëzë Rozafës u kremtua sot Mesha solemne e kryesuar nga Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Charles John Brown, me pjesëmarrjen e gjithë ipeshkvijve të vendit. I pranishëm edhe kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj! Nga altari i Shenjtërores kombëtare të Zojës, lartohet drejt qiellit lutja për shpëtimin nga pandemia e coronavirusit…

R. SH. - Vatikan

“Shumë të dashur vëllezër e motra, mbledhur këtu, nën strehën e Pajtores sonë, Zojës së Këshillit të Mirë…” - pak a shumë me këto fjalë mirëseardhjeje, fillojnë kremtimet e përvitshme të njërës nga festat më të mëdha të Kishës Katolike në Shqipëri: Festës së Pajtores, Nënës së Këshillit të Mirë.  

Për vit kështu, e edhe sivjet. Ndonëse sivjet Kisha e vogël-Kështjellë e fesë pranë Kështjellës së Kombit, Rozafatit, në dukje ishte bosh. Në  altar,   vetëm kremtuesit e Meshës së Festës. Por, paradoks i paharrueshëm, pikërisht këtë vit Meshën e ndoqi turma më e madhe e besimtarëve, që ishte parë ndonjë herë në këtë vend. Turmë e pafundme, e padukshme! Me një përkushtim, që e njohin mirë shkambijtë e kodrës, veshur me blerimin e harlisur të prillit. Para ekraneve! Përkushtim i njerëzve, që kërkojnë shpëtim, të rrethuar gjithnjë nga e keqja, që e sulmoi paprerë këtë vend, herë me fytyrën e pushtuesit, herë të vëllavrasësit e tani, me fytyrën e pandemisë. Mijëra njerëz të padukshëm, ishin përsëri aty shpirtërisht, në Kishë e rreth saj, mbi shkrepat e kodrës e, me  lutjet  tradicionale, të dala nga zemra, shikonin Pajtoren, Zojen e Bekuar, Gruan e veshur me diell, sepse jeton në dritën e Hyjit, me hënën nën këmbë, sepse e ka lënë pas vetes vdekjen. Që u thoshte “Guxim! Në fund fiton dashuria! Guxoni të jetoni, pa u frikësuar nga kërcënimet e pandemisë”.

Gruaja që mban në krahë Shëlbuesin, është simbol i Kishës shtegtare në të gjitha kohërat: në të gjitha breznitë e lind përsëri Krishtin, e sjell në botë Krishtin me dhimbje të madhe, në gjirin e njerëzimit, që vuan. Që   përndiqet nga kuçedra në të gjitha kohërat, por në të gjitha kohërat jeton në dritën e Hyjit. E kështu në të gjitha mundimet, Kisha, duke vuajtur, fiton e është garanci e pranisë së dashurisë së Hyjit kundër të gjitha ideologjive të urrejtjes e të egoizmit, kundër të gjitha pandemive, kundër të gjitha kuçedrave që edhe sot dëshirojë ta përpijnë Hyjin, Hyjin e ligësht, që vijon të jetë i fortë, forca e vërtetë. E Zoja e Këshillit të Mirë na fton të kemi besim e shpresë. Ajo, që me ndërmjetësinë e Saj pranë të Birit, mundi pushtuesin e vëllavrasësin, do ta mundë edhe pandeminë! Këtë ua kujtoi në Festën e sivjetme Maria bijve të saj shqiptarë, në Kishën  më bosh - e më plot se kurrë, në prillin e vitit 2020, që do të mbahet mend nga breznia në brezni!

“Shumë të dashur vëllezër e motra, mbledhur këtu, nën strehën e Pajtores sonë, Zojës së Këshillit të Mirë…..” Do ta dëgjojmë përsëri këtë përshëndetje në Kishën plot, e në kodrën plot me besimtarë, vitin e ardhshëm, kur do të gjunjëzohemi për ta falënderuar Pajtoren tonë, që nuk na braktis kurrë!  

Na ndihmo, o Zojë!

Na ndihmo, o Zojë, të kemi besim në Hyjin, në këto çaste të vështira; na mëso të ecim në gjurmët e Tua e, ashtu si Ti, të themi: “Jemi shërbëtorët e TënZot, jemi në dorë të Zotit”. Në shëndet e në sëmundje! Na mëso të ecim në rrugën Tënde. Të japim jetë, e jo të marrim jetë. Sepse pikërisht kështu jemi në rrugën e dashurisë, që do të thotë ta humbasësh vetveten e që, megjithatë, është e vetmja rrugë në të cilën duhet të ecim, për ta gjetur vërtetë vetveten, për të gjetur jetën e amshuar.

27 prill 2020, 13:01