1586696282059.jpg

Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme mbështet thirrjen e OKB-së që krerët fetarë të bashkojnë forcat kundër Covid-19

Këshilli i Kishave të Lindjes së Mesme (Mecc) mbështet thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, drejtuar gjithë krerëve të fesë dhe autoriteteve botërore, që të bashkojnë forcat kundër emergjencës Covid-19, sidomos gjatë periudhës së Pashkëve e asaj të Ramazanit, që po afrohet.

R.SH. - Vatikan

Ftesa përmbahet në një mesazh, që mban datën 11 prill, pragu i Pashkëve katolike dhe, ndjek atë për armëpushimin global, në të cilën OKB-ja kërkonte t’u jepet mundësia gjithë popullsive të zonave në konflikt të përballojnë pandeminë e koronavirusit e pasojat e saj.

Në një letër të 15 prillit, sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Kishave të Lindjes së Mesme, katolikja Souraya Bechealany, përgjigjet se mesazhi është pritur pozitivisht. “Në këto çaste të vështira – shkruan ajo – ndërtimi i urave të solidaritetit e zhvillimi i mekanizmave të bashkëpunimit për mbrojtjen e njerëzve dhe të dinjitetit të tyre, është objektiv i pashmangshëm, të cilin po përpiqemi ta arrijmë së bashku me organizmat dhe me agjencitë e Kombeve të Bashkuara”. Në letër theksohet nevoja e “rizgjimit të ndërgjegjeve dhe e qasjes morale në politikat publike për konsolidimin e paqes, të drejtësisë shoqërore dhe të zhvillimit të qëndrueshëm”. Objektiva, nënvizohet së fundi, që mund të arrihen, duke njohur “të drejtën për të qenë të ndryshëm e duke ngulur këmbë në një dialog të arsyeshëm, bazuar mbi faktin se njerëzit, krijuar në përngjasim me Zotin, kanë përgjegjësi ndaj vëllezërve të tyre”, por edhe ndaj gjallesave të tjera të planetit.

18 prill 2020, 10:12